Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) ndau miell për banorët e Gazës, të cilët përballen me sulmet izraelite për më shumë se një vit.
Shpërndarja e miellit u organizua në qendrën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) që ndodhet në kampin e refugjatëve Nuseirat në Deir al-Balah.
Shumë palestinezë, që jetojnë në kushte shumë të vështira, u renditën në radhë për të marrë një thes miell, i cili është jetik për ta.
Para qendrës u krijua radhë e gjatë, pasi të gjithë dëshironin të merrnin miellin për të siguruar ushqim në enklavën palestineze, ku për muaj me radhë ka palestinezët kanë përjetuar uri të madhe për shkak të sulmeve izraelite dhe embargos.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar më herët për “urinë akute” që kërcënon enklavën palestineze.
“Dislokimi i madh dhe dërgesat e kufizuara të ndihmës humanitare nënkuptojnë se njerëzit në Gaza po përballen me nivele katastrofike urie,” ka thënë Guterres.
Republika e Afrikës së Jugut gjithashtu akuzon Izraelin se po përdor urinë si armë lufte, me qëllim shpopullimin e Gazës përmes vrasjeve masive dhe dëbimeve të detyruara.
Izraeli, pas një sulmi të grupit palestinez Hamas në tetorin e kaluar, ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 44.200 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur mbi 104.500.
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve (GjNP) ka lëshuar urdhra arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte, të cilët akuzohen se i kanë kryer në territoret palestineze, përfshirë Rripin e Gazës.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.