Agjencia e OKB-së: Izraeli kundërshton të gjitha përpjekjet për të ofruar ndihmë në Gaza

Izraeli ka refuzuar shumicën e përpjekjeve të organizatave humanitare për të dërguar furnizime thelbësore në Rripin e bllokuar të Gazës, tha sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.

“Situata në Gaza po përkeqësohet pasi armiqësitë intensive vazhdojnë për javën e dytë”, tha UNRWA në një deklaratë.

“Furnizimet bazë po mbarojnë dhe disa do të zgjasin vetëm për disa ditë të tjera, nëse nuk lejohen dërgesat e ndihmave”, shtoi ajo.

Shumica e “përpjekjeve të organizatave humanitare për të koordinuar aksesin me autoritetet izraelite u refuzuan”, tha agjencia e OKB-së.

Më 2 mars, Izraeli mbylli pikat kufitare të Gazës për furnizime humanitare dhe ushqimore, duke përkeqësuar krizën e rëndë humanitare në enklavë.

Zëdhënësi i UNRWA-s, Adnan Abu Hasna, paralajmëroi për një kolaps pothuajse total në të gjitha aspektet e jetës në Gaza, duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim dhe hyrjen e mijëra kamionëve me ndihma.

“Çdo gjë më pak është dënim me vdekje për njerëzit, infrastrukturën dhe gjithë rajonin”, tha ai.

Ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë 830 njerëz dhe duke plagosur afro 1.800 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në janar.

OKB-ja vlerësoi se rreth 124.000 palestinezë janë zhvendosur përsëri që kur Izraeli rifilloi sulmet e tij në Gaza.

Gati 50.200 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 113.700 janë plagosur në sulmet brutale ushtarak izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.