Agjencia amerikane e barnave miraton rreth 800 mijë vaksina kundër lisë së majmunit

Vaksina ‘Jynneos’ është prodhuar nga kompania ‘Bavarian Nordic’ në Danimarkë dhe përdoret për të parandaluar linë e majmunit dhe linë e vogël

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar rreth 800 mijë doza të vaksinës ‘Jynneos’ për të luftuar shpërthimin e lisë së majmunit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vaksina ‘Jynneos’ është prodhuar nga kompania ‘Bavarian Nordic’ në Danimarkë dhe përdoret për të parandaluar linë e majmunit dhe linë e vogël. Ky veprim është një hap i madh në luftimin e shpërthimit të fundit të lisë së majmunit në SHBA para se gjendja të përkeqësohet.

“Ky veprim nga FDA-ja është një hap kritik përpara në planet tona për të përforcuar dhe përshpejtuar përgjigjen tonë ndaj lisë së majmunit, i cili përfshin shpërndarjen e një vaksine të sigurt dhe efektive për ata që janë në rrezik më të lartë të ekspozimit ndaj lisë së majmunit”, tha Xavier Becerra, sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS).

Becerra tha se inspektimi dhe miratimi i përshpejtuar i vaksinës së kompanisë ‘Bavarian Nordic’ nga FDA-ja do të thotë se 786 mijë doza shtesë të vaksinës tani janë në dispozicion për përdorim në SHBA.

“Përgjigja në mënyrë agresive ndaj shpërthimit të lisë së majmunit është një prioritet kritik i HHS-së. Brenda ditëve të rastit të parë në SHBA, ne aktivizuam një përgjigje të shumë-anshme, duke rritur ndjeshëm furnizimin dhe shpërndarjen e vaksinave, duke zgjeruar qasjen në testime, duke i bërë trajtimet falas dhe duke edukuar publikun mbi hapat për të reduktuar rrezikun e infeksionit”, tha ai.

HHS tha se do të njoftojë shpërndarjet e vaksinës duke filluar sot.

“Ne do të vazhdojmë të përshpejtojmë dhe forcojmë përgjigjen tonë në ditët në vijim dhe do të punojmë me partnerët në terren, në komunitet dhe ndërkombëtarisht për të luftuar këtë virus dhe për të mbrojtur ata që janë në rrezik”, tha Becerra. /aa