Agim Bahtiri njëherë kryetar, tani i diplomuar

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, më në fund e ka futur diplomën në xhep. Këtë vit ai i ka përfunduar studimet për menaxhment dhe ekonomiks në kolegjin “Biznesi” me të cilin e ka trashur fort bashkëpunimin edhe si kryetar komune.

Gazeta Fjala, ka siguruar dokumentacion që dëshmon se kreu i Komunës së Mitrovicës, në afat rekord, për më pak se tri vite është futur në listën e studentëve të diplomuar në këtë kolegj.

Kjo listë është publikuar edhe në faqen zyrtare të kolegjit, në të cilin askush nuk tregon ta ketë parë Bahtirin si student.

Zyrtarët e administratës, si në Prishtinë ashtu edhe të degës së “Biznesit” në Vushtrri nuk kanë pranuar të flasin. Ai i Vushtrrisë është arsyetuar se është punësuar së voni në këtë institucion dhe se nuk ka informacione të mjaftueshme.

Ndërkaq, as vet Bahtiri nuk ka dashur të flas për lidhjet e tij me ketë kolegj.

I kontaktuar nga Gazeta, Bahtiri sapo ka dëgjuar për kolegjin nuk ka pranuar të jap sqarime.

“Nuk e kuptoj se për çka po flisni”, ka thënë shkurtë Bahtiri, derisa e ka mbyllur telefonin duke u bërë më vonë i paqasshëm.

Në tetor të viti të kaluar, derisa Bahtiri ishte student në kolegjin “Biznesi”, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me të nijetin kolegj, por tash si kryetar komune.

Përmes këtij memorandumi që palët janë marr vesh për bashkëpunim në fushën e kërkimeve shkencore, Bahtiri si kryetar komune ka favorizuar studentët e kolegjit “Biznesi”, për punë praktike në komunë.

Gazeta Fjala ka siguruar dokumente që dëshmojnë për lidhjet e afërta të Bahtirit me këtë institucion arsimor.

Memorandumi favorizon studentët e kolegjit “Biznesi”

Ndërkohë në ueb faqen zyrtare të komunës së Mitrovicës ekziston komunikata që tregon për memorandumin e nënshkruar mes Agim Bahtirit si kryetar i Mitrovicës dhe dekanit të kolegjit “Biznesi”, Shyqeri Kabashi.

Në këtë komunikatë që mban datën 6 tetor 2016 thuhet se memorandumi ka për qëllim që të përcaktoj fushëveprimin e bashkëpunimit të të dyja palëve për realizmin e interesave të dyanshme në fushën e njohurive kërkimore dhe shkencore.

“Me memorandum palët dakordohen që të bashkëpunojnë për kualifikimin e kuadrove të reja dhe njëkohësisht të japin ndihmë reciproke në këtë aspekt”, thuhet aty.

Në komunikatë thuhet se me memorandum komuna merr përsipër që studentët e Kolegjit “Biznesi”, të rajonit të Mitrovicës, të bëjnë punë praktike në institucionet e veta, ndërsa që Kolegji të ju mundëson nxënësve të shkollave të mesme të larta vijimin e kurseve për përgatitjen e testit kombëtar.

“Përveç të tjerash, me memorandum komuna merr përsipër që studentët e Kolegjit “Biznesi”, të rajonit të Mitrovicës, të bëjnë punë praktike në institucionet e veta”, thuhet në komunikatë.