Aftësia e Islamit për të ndërvepruar me traditat e shoqërive

Sabaudin Jashari

Historia e njerëzimit dhe faktet e nxjerra nga studime serioze dëshmojnë se Islami është feja me rritjen më të shpejtë nga të gjitha fetë dhe idetë e tjera. Mund të themi se kjo është feja më e pranueshme mes njerëzve. Duke lënë mënjanë pretendimet joshkencore dhe paragjykimet qëllimliga, një nga shkaqet kryesore të kësaj shtrirjeje të shpejtë dhe të gjerë është edhe potenciali i Islamit për të krijuar një ndërveprim shumë të suksesshëm me kulturat e të ndryshmëve. Vlen të qartësojmë se një ndërveprim i tillë është funksionar jo vetëm me kulturat e tyre por edhe me besimet, sado që shpërfaqin kundërshti parimore me besimin islam.

Çfarë duhet të shqyrtohet si më e rëndësishme nuk është shpejtësia e përshtatjes së konvertitëve me fenë e re, por paqëtimi i atyre që zgjodhën të ruajnë besimin e mëparshëm me sistemin e ri politik. Ndërsa të parët e kishin më të lehtë, për shkak të mungesës thuajse totale të dallimit me sunduesit, të dytët kishin arsye të dyshonin tek pastërtia e shpalljes së parimeve të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në një shoqëri që nuk ishte shpirtërisht e tyre. Shpesh dhe dendur është pretenduar një lloj viktimizimi nga ata që mbrojnë tezën e konvertimit me dhunë në fenë islame, por e vërteta është tërësisht tjetër.

Në rrafshin teorik, njeriu mund të gëzojë statusin e “mëkëmbësit” të Zotit në tokë në sajë të lirisë së zgjedhjes. Ky është një mësim themelor në fenë islame. Ndërsa në rrafshin historik, ka mjaft shembuj që mbështesin atë që dua të them këtu, jo për herë të parë. Janë po aq të shumtë shembujt e të jetuarit të besimtarëve të feve të tjera në paqe mes myslimanëve, aq sa ç’janë rastet e ekzistencës së tyre të njëkohshme në një shoqëri të caktuar. Unë po sjell vetëm rastin e koptëve të Egjiptit, të cilët i pati vënë nën thundër Bizanti. Këta njerëz qenë persekutuar e detyruar të arratisen nëpër shpellat e shkretëtirës për t’i shpëtuar shtypjes së egër nga pushteti bizantin. Nën qeverisjen e myslimanëve, ata e rigjetën statusin e njeriut të barabartë dhe qytetarit të respektuar e dinjitar.

Veç sa më sipër, të shumta janë arsyet e fenomenit në fjalë por tjetër arsye deçizive është aftësia e Islamit për t’i trajtuar objektivisht gjërat, pra për t’i pranuar gjërat ashtu siç janë, larg metodave shpërfillëse të reales. Islami erdhi që njerëzve t’ju mundësojë të krijojnë marrëdhënie të natyrshme me ligjet dhe normat e Allahut dhe jo të prodhojë “nifak” hipokrizi. Islami e ka të qartë shumë mirë vendin që zënë doket dhe zakonet në jetën e njerëzve. Ato janë pjesë e mishëruar me jetën e si të tilla kurrsesi nuk mund të qëndronin larg vëmendjes së sistemeve të Islamit.

Në qasjen islame ndaj të ndryshmes, parimi i respektimit të njeriut, jetës, dinjitetit dhe pasurisë së tij, zë një vend qendror. Format e përçudnimit të njerëzve, metodat shpërfillëse dhe dhunimi i lirive nuk kanë asgjë të përbashkët me mësimet e Islamit. Ashtu siç e kam thënë edhe në një trajtesë të disa kohëve më parë, është e qartë se këto shtrëngime krijojnë vetëm situata të paqarta dhe joreale në mesin e shoqërisë, duke instaluar fenomenet e shëmtuara të hipokrizisë dhe mosbesimit të ndërsjellë.

Ahned Fehmi Ebu Sunneh, në veprën e tij të zëshme mbi pozitën e traditave dhe zakoneve në fenë Islame shprehet “Konceptet dhe traditat e një populli përbëjnë metodologjinë mbi të cilën ai ndërton mënyrën e jetesës, duke gëzuar kështu një vlerësim të madh në zemrat e njerëzve, vlerësim që shfaqet në formën e pushtetit mbi ta”.

Roli i kodeve zakonore ndër shoqëritë njerëzore është deri edhe i shenjtë. Prandaj pushteti shpirtëror që këto kode kanë mbi njerëzit është i konsiderueshëm. Psikologjia e shpjegon këtë pushtet me faktin se zbatimi ritual i urdhëresave dhe zakoneve shkakton një brendësim dhe përshtatje, që është e vështirë për t’u cënuar. Është njësoj si shtrati i një përroi që çan malin, devijimi i të cilit është thuajse i pamundur.

Zakoni është natyra e dytë e njeriut. Nëse gjithkush lind me të gjitha aftësitë për t’u përshtatur me stilin mbizotërues të jetesës, dhe kjo është natyra e tij e vërtetë, përthithja e normave dominuese shoqërore dhe përbrendësimi i tyre në kodin personal të aktivitetit mund të quhet natyra e dytë e tij. Dijetarët kanë thënë: “Largimi i njerëzve nga traditat e tyre përbën në vetvete vështirësi thuajse të papërballueshme. Ndodh kështu për shkak të forcës së madhe që gëzojnë ato nga depërtimi i thellë në shpirtra”.[1]

Atëherë dua të pyes: me çfarë mënyre Islami i bëri për vete këta popuj, që shpesh braktisën kodet e tyre zakonore, nëse ishin kundërthënëse me Islamin? Nëse është kaq e vështirë për të ndërruar fenë, ose për të pranuar ndonjë mësim të fesë tjetër, si është e mundur që kaq shumë njerëz e pranuan dhe pjesa tjetër jetuan në paqe me administrimin islam të vendeve të tyre?

Këtë përgjigje më së miri mund të na e japë Dr. Abdul-Mexhid Nexhari një nga dijetarët e mëdhenj të shkencës së objektivave të sheriatit dhe bazave të jurisprudencës islame.

“Meditimi në sheriatin islam dhe kohën e zbritjes së tij nxjerr në pah se metoda që ka Islami në zbritjen e dispozitave në aktualitet është jo anuluese apo zhvlerësuese totale e aktualitetit. Pra nuk është metodë e shpërfilljes totale. Kjo metodë i trajton elementët e atij aktualiteti një e nga një. Anulon elementin e pa vlerë ndërsa elementët e vlefshëm i legjitimon. Kjo realizohet në saj të llojshmërisë së dispozitave të këtij sheriati.

Meditimi në sistemet e tij nxjerr në pah këto lloj dispozitash.

Dispozita që përligjin apo pranojnë elementë që ekzistonin edhe para islamit si tavafi “rrotullimi shtatë herë” rreth qabes apo sa’ji “përpjekja shtatë herë” nga kodra Saffa te Merua.

Dispozita reformuese të disa elementëve si poligamia që para islamit qe e pakufinjtë ndërsa në islam u kufizua.

Dispozita anuluese të disa elementëve si alkooli, bixhozi dhe kamata.

Dispozita që përligjin elementë të rinj si zekati që nuk zbatohej në atë aktualitet.

Pra te të gjitha sistemet ligjore Islame, do të gjejmë që një pjesë e mirë e elementëve përbërës të tyre janë elementë që kanë ekzistuar edhe më pare, por Islami me metodën e tij fleksibël i ka bërë pjesë integrale të tij.

Dijetarët muxhtehidë (studiues të pavarur) të sheriatit e kanë zbatuar këtë parim në të gjitha vendet që hynin rishtazi nën administrimin islam. Një pjesë e madhe e këtyre vendeve trashëgonin një qytetërim shumë të zhvilluar me vlera të pasura dhe me larushi kulturore për t’u marrë shembull. Ato jo vetëm nuk u injoruan, por shërbyen si një themel i palëkundur për ngritjen e shoqërive të zhvilluara islame. Gjithsaherë metoda e pranimit dhe reformimit prevaloi mbi atë të nivelit zero.”[2]

Vetëm këtu mund të gjendet shkaqet e kësaj shkalle të lartë pranimi të fesë nga njëra anë, dhe të sistemit politik islamik nga ana tjetër, sa herë që njerëzit vendosën të ruajnë fenë e mëhershme.

Autor: Sabaudin Jashari

[1] – “El Urfu uel ade fi ra’jil fukahai” i Ahmed Fehmi Ebu Sunneh, fq: 40.

[2] – “Fi Minhexhi et tatbiki lish sheriatil islamije” i Abdulmexhid Nexharit, fq: 65 – 66.