Njerëzit me lëkurë të zezë, ndihen të diskriminuar. Për ta racizmi kundër të zinjve është përvojë e përditshme. Kështu thotë rezultati i një sondazhi jo gjithëpërfshirës.
Berlin, zona Fennpfuhl në lindje të qytetit. Të premten e kaluar, prindi Adegbayi B. doli shëtitje me të bijën njëvjeçare. Një moment, burri me origjinë nga Nigeria, u pështy në rrugë nga një grua dhe u sha me fjalë raciste. Ai e xhiroi skenën, e lëshoi videon në internet dhe lajmëroi policinë. Pas kësaj gruaja u arrestua.
Në disa intervista që dha Adegbayi B, shpjegoi se në Gjermani racizmi e shoqëron vazhdimisht. Dy tre herë në muaj ai ofendohet prej racistëve. E bija, tregon Adegbayi B., është traumatizuar nga ngjarja e javës së kaluar.
Rasti nuk është i veçuar. Shpesh ndodh që njerëzit me ngjyrë të zezë lëkure, preken tek flokët pa u pyetur. Po ashtu ata pyeten shpesh mos kanë drogë ose ngacmohen me komente seksiste. Policia i kontrollon ata më shpesh se njerëzit me lëkurë të bardhë.
Për People of Color është e vështirë gjetja e një banese për ta marrë me qera. Shumë njerëz me ngjyrë të zezë lëkure kanë pasur përvoja të tilla. Rreth 6000 prej tyre I kanë treguar ato në një sondazh të zhvilluar online. Sondazhi i zhvilluar në mënyrë anonime dhe vullnetare filloi më 20 korrik dhe përfundoi më 6 shtator të 2020. Përfundimet e nxjerra prej tij janë përmbledhur tani në një raport 300 faqesh.
“Rruga që bëmë ishte e gjatë. Ishte luftë”, tha studiuesi i racizmit Daniel Gyamerah nga organizata “Each One Teach One”, gjatë prezantimit online të rezultateve të studimit. Ai flet për “tregime të përvojave të dhimbshme”. Qeveria e deritanishme nuk është kujdesur në mënyrë të veçantë për marrjen e të dhënave të tilla, “siç e kërkojnë detyrimet e të drejtave të njeriut”, shton Gyamerah. “Racizmi kundër të zinjve nuk është vetëm problemi ynë. Ai nuk është sajuar dhe gjetur prej nesh, përkundrazi problemi është strukturor.”
Studimi i parë sistematik për racizmin kundër të zinjve
Sondazhi nuk është gjithëpërfshirës, por ai tregon tendencat dhe pasqyron përvojat e hidhura të njerëzve që ende diskriminohen në Gjermani. Ai është kryer gjatë një projekti të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile “Each One Teach One” dhe “Citizens for Europe”, organizata që angazhohen për diversitetin dhe demokracinë. Projekti u përkrah me 150 mijë euro nga Zyra për luftën kundër diskriminimit, në ministrinë për çështjet e familjes. Bernhard Franke është drejtori komisar i zyrës dhe thotë: „Rezultatet e afro-censusit tregojë shprehimisht për format e shfaqjes dhe pasojat e diskriminimit dhe racizmit kundër të zinjve në Gjermani.”
“Ku qëndron problemi? A ekzistojnë ata në të vërtetë?” Pyetje të tilla shtrohen gjithnjë, edhe prej politikanëve, thotë studiuesi i racizmit Daniel Gyamerah në një intervistë për Deutschen Wellen. Edhe kjo është një nga arsyet që e nxiti atë për të bërë këtë projekt.
Po, ata ekzistojnë. Në Gjermani jetojnë mbi një milionë vetë, që bien në sy sepse lëkura e tyre ka ngjyrë të zezë. Ata janë gazetarë, muzikantë, studiues, pastruesa dhe pensionistë dhe shumë më tepër. Shumë prej tyre ndihen të lënë pas dore nga institucionet shtetërore në Gjermani dhe përballen me racizmin dhe diskriminimin e përditshëm. Kështu thonë mbi 42 përqind e pjesëmarrësve të sondazhit të zhvilluar online.
Një gjë të tillë si afroncensus, nuk ka pasur kurrë në Gjermani. Nxjerrja e të dhënave statistikore të qytetarëve në bazë të kritereve etnike është e pazakontë. Ajo ka të bëjë me periudhën e kolonializimit dhe të nacionalsocializmit.
Bashkëiniciatori dhe studiuesi Daniel Gyamerah është kundër argumentimeve që nuk i lejojnë nxjerrjen e të dhënave të tilla: “Gjithnjë ekziston frika, se komunitete të tilla krijohen atëherë kur bëhet studimi,” thotë ai për Deutschen Wellen. “Por ne ndodhemi këtu. Ne jemi pjesë e shoqërisë dhe nuk lejojmë që të na mohojnë.”
Përvoja diskriminuese dhe raciste
Studiuesit kanë nxjerrë se racicmi kundër të zinjve funksionon nëpërmjet tre mekanizmave. Ekzotizimi luan një rol të rëndësishëm. 90 përqind e të pyeturve thonë se preken tek flokët pa u pyetur. Por edhe seksualizimi i të zinjve është një përvojë e shpeshtë. 80 përqind thonë se kanë marrë në Dating-Apps komente seksuale në lidhje me pamjen ose „prejardhjen”.
Rol luan edhe kriminalizimi. Rreth 56 përqind e të pyeturve thonë se janë pyetur a shesin drogë. Po ashtu shumë prej tyre kontrollohen nga policia pa pasur arsye të njohur. Dy të tretat e të pyeurve në afro-census (67,6 përqind) mendojnë se për shkak të atributeve raciste vlerësohen në shkollë ose në universitete më keq se sa nxënësit dhe studentët e tjerë.
Kur të zinjtë, afrikanët dhe njerëzit e diasporës afrikane mbrohen kundër diskriminimit, ata përjetojnë shpesh përvoja të këqija. Mbi 90 përqind thonë se nuk besohen kur flasin për racizmin. 75 përqind e të prekurve nuk i raportojnë incidentet raciste.
Përveç kësaj shpesh thuhet, “mos bëni kështu, se nuk u bë qameti”. Por, sipas të dhënave të shoqatës nga Pocdami, Opferperspektive, që në shqip do të thotë „Perspektiva e viktimave”, çdo ditë tre deri katër vetë kthehen në viktima të dhunës së djathtë. Rreth dy të tretat e gjitha incidenteve janë me motive raciste.
Afrocensusi – vetëm fillimi
Bernhard Franke nga Zyra federale kundër diskriminimit është i kënaqur me afrocensusin. Ai lëvdon qeverinë e ardhshme, e cila kërkon që të hapë një post në polici që të merret me rastet e diskriminimit.
Për autorët e afrocensusit, ky studim është vetëm fillimi. Ata do të vazhdojnë punën e tyre kërkimore dhe do i publikojnë rezultatet edhe në gjuhën angleze dhe franceze. Përveç kësaj ata kërkojnë më shumë qendra komunitetesh, qendra këshillimore dhe plane shtetërore për luftimin e racizmit kundër të zinjve. Nevojën për krijimin e tyre e tregon edhe sulmi racist në Berlin-Fennpfuhl. /dw