Afrikë e Jugut, 2 persona të therur për vdekje në një sulm në xhami

Dy besimtarë muslimanë u therën për vdekje dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulmues me thikë në një xhami në Malmesbury në afërsi të Cape Town në Afrikë të Jugut, të enjten në mëngjes, njoftoi policia e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia më vonë e qëlloi sulmuesin për vdekje.

Zëdhënësi i policisë së Western Cape, Andre Traut, tha për televizionin lokal NCA se “I dyshuari, që besohet të jetë në të 30-at, i armatosur me thikë sulmoi policin në vendin e ngjarjes i cili u përpoq ta bindte të dorëzohej”.

“Ai injoroi thirrjen dhe u përpoq të sulmonte policinë, por u qëllua dhe u vra”, shtoi Traut.

Komuniteti musliman në të gjithë Afrikën e Jugut e dënoi incidentin, i cili erdhi vetëm një ditë përpara festës së Bajramit.

Këshilli Gjyqësor Musliman i Afrikës së Jugut tha se janë të trishtuar që një incident i tillë ndodhi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Rasti në fjalë nuk është sulmi i parë ndaj muslimanëve gjatë Ramazanit në Afrikën e Jugut.

Një besimtar musliman u vra gjithashtu në fillim të Ramazanit në qytetin bregdetar Durban.