Një shpërthim kamikaz përpara Ambasadës së Irakut në Kabul tronditi kryeqytetin afgan, një sulm që nuk përfundoi aty, por u pasua edhe nga të shtëna.
Situata e rënduar në lagjen qendrore “Shar-e-Naw” nuk është vënë ende nën kontroll. Raportet në media tregojnë se forcat vendase të sigurisë janë përfshirë në një shkëmbim të ashpër zjarri me agresorët, ndërsa civilët po evakuohen nga zona e luftimeve.
Sulmin e fundit në Kabul e pati marrë përsipër Shteti Islamik, ndërsa për valën e dhunës që ka përfshirë këtë vit kryeqytetin e Afganistanit fajësohen me radhë, sa militantët e dhunshëm të ISIS-it, ashtu edhe talebanët.
Shënjestra e atentatorit vetëvrasës në ngjarjen e së hënës ishte vendi që strehon zyrat e policisë, si dhe kompleksi i misionit diplomatik të Irakut. Ndërkohë, disa sulmues të tjerë duket se janë vendosur në ndërtesën e Ambasadës, ku vetëm dy javë më parë u festua me të madhe mposhtja e ISIS-it në Mosul.
Nga të dhënat e OKB-së rezulton se, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit, në Afganistan janë vrarë të paktën 1.660 civilë, gati 20% e të cilëve në kryeqytet.