Një nga zëdhënësit e talibanëve, Suheil Shahin në një intervistë për “Sky News” foli për kaosin dhe panikun në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul.
“Afganët duan të jetojnë në vendet perëndimore. Ky është një lloj migrimi ekonomik, sepse Afganistani është një vend i varfër, 70 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Të gjithë duan të vendosen në vendet perëndimore për një jetë të begatë. Nuk ka të bëjë me frikën”,- tha zëdhënësi i lëvizjes.
Shahin gjithashtu mohoi pretendimet se talibanët po shëtisin derë më derë në kërkim të punonjësve të ish-qeverisë afgane.
Përveç kësaj, ai theksoi se talibanët nuk do të bëjnë lëshime për çështjen e pranisë së mëtejshme të trupave të huaja në vend pas 31 gushtit.
Sipas tij, 31 gushti është një “vijë e kuqe” për talibanët dhe të gjitha forcat e huaja duhet të largohen nga Afganistani deri në atë datë.
Përveç kësaj, Shahin paralajmëroi se talibanët do të refuzonin kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Britanisë së Madhe për kohë shtesë për arsye të evakuimeve në mënyrë që ata të zgjasnin praninë e tyre ushtarake në vend.
“Përgjigja jonë është jo. Përndryshe do të ketë pasoja”, theksoi ai.
Në 14 gusht talibanët e rrethuan kryeqytetin e vendit, Kabul, dhe e morën kontrollin e qytetit pa luftime kur Presidenti Eshref Gani e braktisi vendin dhe forcat qeveritare u larguan nga kryeqyteti. /trt