Aerofobia – Ja disa mënyra si ta mposhtni frikën nga fluturimi

Jemi në pikun e sezonit turistik dhe shumë familje kanë zgjedhur udhëtimet me avion drejt destinacioneve turistike. Jo vetëm kaq, miliona njerëz udhëtojnë çdo ditë me avion kudo në botë, ndërkohë që statistikat flasin se rreth 25 për qind e popullsisë së përgjithshme vuan nga aerofobia, ndërsa një në dhjetë njerëz nuk kanë udhëtuar kurrë me avion.

Aerofobia ndikon miliona njerëz në mbarë botën, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës niveli i të rriturve që vuajnë nga aerofobia qëndron në 8,7% ose 19,2 milionë njerëz, shprehur nga frika e vazhdueshme, e tepruar dhe irracionale që rezulton nga fluturim. Zakonisht ndodh në fëmijëri ose në mes të njëzetave dhe është më e zakonshme tek gratë sesa tek meshkujt.

Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aerofobisë mund të luajë prania në të njëjtën familje e një anëtari që vuan nga aerofobia. Përgjegjësi duket se mban edhe media duke transmetuar vazhdimisht lajmet e aksidenteve të aviacionit dhe duke i bërë të gjithë shikuesit e televizorit dëshmitarë të tyre. Për më tepër, rritja e sulmeve terroriste në vitet e fundit, veçanërisht pas 11 shtatorit 2001, ka ndikuar në shumë udhëtar.

Shfaqja e aerofobisë mund të çojë në përpunimin negativ të stimujve të marra nga personi gjatë fluturimit, të tilla si turbulenca, zhurma të ndryshme, dhimbje trupore nga ndryshimi i presionit, mungesa e informacionit të besueshëm dhe mungesa e njohurive rreth aeroplanëve.

Por miliona njerëz udhëtojnë çdo ditë dhe kjo duhet të qetësojë frikën tonë. Pra, nëse keni frikë nga fluturimi, thjeshte mendoni se  matematika, statistika dhe teknologjia na thonë se avioni është mjeti më i sigurt i transportit.

Ja gjërat që duhet të dini për të larguar frikën nga fluturimi:

Nuk jeni vetëm
Mesatarisht çdo ditë fluturojnë 8 milionë njerëz. Në vitin 2014, numri total i pasagjerëve civilë ishte 3,1 miliardë (ose 44% e popullsisë së botës). Gjatë kësaj periudhe ka patur vetëm 81 aksidente dhe 210 të vdekur.

Turbulencat
Kush ka frikë fluturimin, terrorizohet mbi të gjitha prej turbulencave. Është frikë e pabazë. Ekzistojnë tre lloje turbulencash: të lehta, të moderuara dhe të forta. Për pilotët, ajo e lehta nuk është e ndryshme nga një rrugë me gunga të lehta. E moderuara as nuk i tremb, pasi zakonisht zgjat 10-15 minuta dhe, nëse vazhdon, piloti mund të zgjedhë të fluturojë në një tjetër lartësi. Turbulenca e fortë është shumë e rrallë, pak minuta në 10 mijë orë fluturim të një piloti. Shkakton parehati, por nuk është e rrezikshme. Avioni mund të devijohet në lartësi deri 30 metra, por aspak si në ato që shihen tek filmat me fatkeqësi në kinema.

123 mijë vjet i sigurt
Por ka nga ata që janë edhe më optimistë. Në vitin 2013, Arnold Barnett, profesor i statistikës në “MIT” të Bostonit ka konkluduar se rreziku i vdekjes për pasagjerët e linjave ajrore civile është 1 në 45 milionë fluturime. Sipas “New York Times”, një udhëtar mund të fluturojë përditë për 123 mijë vjet dhe të jetë sërish i sigurt.

Qiejt e mbushur
Në botë ka 49.871 rrugë ajrore në të cilat kryhen 102.465 fluturime përditë. Vetëm fluturimet e tre kompanive kryesore ajrore (Star Alliance, One World, Sky Team) janë 47.777 në ditë.

Të sigurt në fluturim
Fluturimi është mjeti i transportit më i sigurt. Të dhënat i referohen vetëm SHBA-së, por janë më se të qarta. Aksidentet shkaktojnë 0,06 të vdekur për çdo një mijë fluturime, autobusët shkaktojnë 0,14, metroja 0,24, trenat 0,47, makinat 5,75 dhe motorët 217.

Dashuria fiton
Psikologu dhe ish-kapiteni i aviacionit amerikan, Tom Bunn, ka vënë në zbatim një program kundër frikës së fluturimit që quhet “Soar” dhe bazohet në lëshimin e oksitocinës, i njohur si hormoni i dashurisë. Sipas tij, nëse imagjinojmë, pak a shumë si në një ushtrim, një burim të besueshëm të hormonit të dashurisë, si për shembull fytyrën e partnerit/es etj., oksitocina hyn në lojë dhe amigdala nuk lëshon më hormonin e stresit, që është përgjegjës për ankthin e fluturimit. Duhet provuar për ta besuar.