Admirali amerikan bën thirrje për dialog me Malin e Zi për demarkacionin

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Admirali James G. Foggo, ka bërë thirrje për Kosovën dhe Malin e Zi që të dialogojnë për, siç e quajti ai, çështjen e nxehtë të demarkacionit duke thënë që Kosovës duhet t’i vijë mirë që ka një fqinjësi shtete që janë anëtare të NATO-s, si në këtë rast Malin e Zi.

Këto komente ai i bëri pas ceremonisë së ndërrimit të Komandës së KFOR-it nga Giovanni Fungo te Salvatore Cuoco, njofton Klan Kosova. Pos kësaj admirali amerikan ka thënë që tashmë beson se presidenti i Kosovës dhe të tjerët e kanë kuptuar që procesi i shndërrimit të FSK-së në ushtri duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Foggo ka hedhur poshtë çdo mundësi që Kosova të jetë e rrezikuar nga Serbia.