Aden, vritet një nga krerët e forcave jemenase

Një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë së Jemenit, gjenerali Fahd Gharam u vra sot në një sulm të armatosur në qendër të Adenit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një burim lokal anonim tregon se tre sulmues të armatosur hapën zjarr dhe vranë gjeneralin Gharam para shtëpisë së tij në qendër të qytetit.

Në sulm u plagosën edhe 7 të tjerë, prej të cilëve 6 studente.

Gjenerali Gharam ishte zëvendës komandant i forcave jemenase të sigurisë të cilat mbështeten nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Jemeni është kthyer në një vatër të krizës së thellë politike dhe të sigurisë e cila në fund të 2014 u përshkallëzua në luftë qytatare.

Rebelët e lëvizjes Huthi kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe disa rajone të rëndësishme në vend ndërsa qeveria e njohur ndërkombtarisht vepron nga qyteti port i Adenit.

Përleshjet në Jemen u përshkallëzuan edhe më tej në mars të vitit 2015 kur Arabia Saudite me aleatët e saj filloi sulmet ajrore ndaj rebelëve.

Lufta ka shkatërruar infrastrukturën, shëndetësinë dhe rrjetin e ujësjellësit dhe atë të ujërave të zeza, gjë e cila e çoi OKB-në të përshkruaj gjendjen në Jemen si një nga katastrofat më të mëdha humanitare të kohës moderne.