Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit: Takimi konsultativ, kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për një takim konsultues.

Abdixhiku thotë se fjalët dhe qëndrimet politike të shprehura ndaj LDK-së gjatë viteve nga Vetëvendosje janë të papajtueshme me një komunikim të tillë.

Ai thotë se një takim konsultativ do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.
Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë. Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

I pari i LDK-së shprehet i bindur se ky subjekt politik u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës.

“Besë do të ketë! Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë. LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj.
Sepse fjalët kanë peshë! LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës”, shkroi ai.