Nga ana gjuhësore fjala “El Uudu – Abdes” do të thotë bukuri dhe pastërti. Fikhu e përkufizon abdesin me fjalët: “Larja dhe fshirja e gjymtyrëve të caktuara me ujë sipas një mënyre të përcaktuar” Abdesi merret me ujë.
Shkaku i obligimit të abdesit
Shkaku për obligimin e abdesit është falja e namazit dhe kryerja e adhurimeve të tjera, të cilat kanë si kusht abdesin. Adhurimet që kanë kusht abdesin janë: Namazi, prekja e Kuranit, Tavafi, bërja e sexhdes kur lexohet ajeti me sexhde dhe sexhdja e Shukrit.
Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagur; lani edhe këmbët deri në nyje..”[1]
Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e atij që ka kryer nevojat dhe pastaj nuk ka marrë abdes”[2] Abdesi – si çdo adhurim tjetër – ka farze, sunete, mustehabe, mekruhe dhe veprime që e bëjnë atë të pavlefshëm.
Farzet e abdesit
Abdesi ka katër farze, pa të cilat ai nuk është i vlefshëm. Ato janë:
1- Larja e fytyrës.
2- Larja e duarve bashkë me bërrylat.
3- Fshirja e një pjese të kokës.
4- Larja e këmbëve bashkë me kyçet.
191 – El Ikhtijar (1/40) dhe Enisul Fukaha (6).
Argument se këto veprime janë Farz, është ajeti i lartpërmendur. Një pjesë e madhe e dijetarëve shtojnë si farz të abdesit edhe nijetin. Disa dijetarë vendosin si kusht respektimin e rradhës gjatë marrjes së abdesit.
Sunetet e abdesit
Abdesi ka 12 sunete:
1- Qëllimi (nijeti): Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve…”[3]
2- Përmendja e Allahut në fillim të abdesit: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka namaz pa abdes dhe nuk ka abdes për atë person, i cili nuk e përmend emrin e Allahut, kur fillon të marrë abdes”[4]
3- Larja e duarve: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush ngrihet nga gjumi, të mos i fusë duart në enën me ujë, pa i larë tre herë, pasi nuk dihet se ku i ka pasur duart”[5] Eus ibn Eus Thekafiu (r.a) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut duke marrë abdes. Ai i lau
pëllëmbët tre herë”[6]
4- Misvaku: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur të mos i rëndohej popullit tim, do ta urdhëroja misvakun (përdorimin e tij) për çdo namaz”[7] Zejneb bintu Xhahsh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur të mos ishte e rëndë për Umetin tim, do ta urdhëroja të përdorte misvakun në çdo namaz, siç është i detyruar abdesi për çdo namaz”[8] Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Misvaku pastron gojën dhe kënaq Zotin”[9]
5- Shpërlarja e gojës dhe pastrimi i hundës: Hamran tregon, se Uthmani (r.a) kërkoi një enë me ujë për të marrë abdes. Ai lau duart tre herë, shpërlau gojën dhe pastroi hundën nga tre herë, lau fytyrën tre herë, lau tre here dorën e djathtë bashkë me bërrylin, të njëjtën gjë bëri edhe me të majtën, fshiu kokën (një herë), lau tre herë këmbën e djathtë bashkë me kyçin dhe të njëjtën gjë bëri edhe me këmbën e majtë…”[10]
6- Fshirja e plotë e kokës dhe e veshëve një herë: Mikdadi (r.a) tregon, se e pa të Dërguarin e Allahut (a.s) duke marrë abdes dhe kur arriti tek fshija e kokës, vendosi duart tek pjesa e përparme e kokës dhe e fërkoi atë deri tek qafa. Më pas nga qafa i ktheu duart andej nga kishte filluar fshirjen e kokës. Në fund fshiu veshët nga brenda dhe jashtë, duke futur gishtat në brendësi të tyre”[11]Ebu Umame (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Veshët janë prej kokës”[12] Ibn Abasi (r.a) – duke përshkruar abdesin e të Dërguarit të Allahut (a.s) – tha: “Ai e fshiu kokën dhe veshët vetëm një herë”[13]
7- Fërkimi i mjekrës: Enesi (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes, merrte një grusht me ujë, ia hidhte mjekrës dhe e fërkonte atë. Më pas thoshte: “Kështu më ka urdhëruar Zoti i Lartësuar”[14]
8- Fërkimi i gishtërinjve: Lakiti (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë: “Kur të marrësh abdes, fërkoji gishtërinjtë”[15] Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur të marrësh abdes, fërkoji gishtërinjtë e dorës dhe të këmbës”[16] Musteurid ibn Shedadi (r.a) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke fërkuar mes gishtave të këmbës me gishtin e vogël të dorës”[17]
9- Larja e gjymtyrëve nga tre herë: Hamran tregon, se Uthmani (r.a) kërkoi një enë me ujë për të marrë abdes. Ai lau duart tre herë, shpërlau gojën dhe pastroi hundën nga tre herë, lau fytyrën tre herë, lau dorën e djathtë bashkë me bërrylin tre herë, të njëjtën gjë bëri edhe me të majtën, fshiu kokën (një herë), lau këmbën e djathtë bashkë me kyçin tre herë dhe të njëjtën gjë bëri edhe me këmbën e majtë. Në fund tha: “Kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke marrë abdes në këtë formë dhe e kam dëgjuar të thotë: “Kush merr abdes në këtë mënyrë dhe fal dy rekate duke qenë i përqendruar, i falen mëkatet që ka bërë”[18]
10- Larja e gjymtyrëve dy apo një herë: Lejohet që gjymtyrët e abdesit të lahen nga dy herë apo vetëm një herë. Abdullah ibn Zejdi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka marrë abdes, duke i larë gjymtyrët nga dy herë”[19] Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka marrë abdes duke i larë gjymtyrët vetëm një herë”[20]
11- Respektimi i rradhës: Ajeti kuranor dhe hadithi i Uthmanit (r.a) që flasin për abdesin, përmendin se abdesi merret sipas rradhës. Kjo gjë është sunet në medh`hebin hanefi, ndërsa në medh`hebet e tjera është farz.
12- Mosndërprerja: Me këtë nënkuptohet mos lënia e gjymtyrëve që të thahen. Kjo bazohet në praktikën e të Dërguarit të Allahut (a.s), siç është përcjellë në hadithin e Uthmanit (r.a). Imam Maliku thotë, se ky veprim është farz.
Mustehabet (të pëlqyeshmet) e abdesit
1- Fillimi me të djathtën: Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e donte të djathtën në çdo punë, në veshje, në ngrënie dhe në pastërti (abdes)”[21]
2- El Gurra dhe Tahxhil: Ebu Hurejra (r.a) thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Populli (Ummeti) im vjen Ditën e Kijametit me dritë në vendet e abdesit. Kush prej jush ka mundësi që ta zgjasë dritën e tij, le ta bëjë”[22]
Termi “Gurrah” në këtë rast përdoret për dritën që lë abdesi në fytyrën e besimtarit në Ditën e Kijametit. Termi “Tahxhil” ka kuptimin e dritës në gjymtyrët e tjera që lahen gjatë abdesit. Pra kur besimtari merr abdes, preferohet që t`i lajë pjesët e trupit më shumë seç është obliguar. Me këto
terma nënkuptojmë shtimin e larjes së pjesëve të trupit. P.sh: është Farzqë këmba të lahet bashkë me kyçin, mirëpo preferohet që ajo të lahet deri poshtë gjurit etj.
3- Fshirja e qafës: Ky veprim është i pëlqyeshëm (mustehab). Ka`b ibn Amru el Jemami (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka marrë abdes në këtë formë: Ai ka shpërlarë gojën tre herë, ka larë hundën tre herë, duke marrë ujë të ri për çdo herë, më pas ka larë fytyrën dhe ka fshirë kokën, duke filluar nga rrënjët e flokëve tek balli deri në fund të qafës dhe pastaj i ka kthyer duart në pozicionin fillestar”[23]
4- Kujdesi për larjen e gjymtyrëve siç duhet: Khalidi tregon nga disa sahabë (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) ka parë një person duke falur namazin e Drekës, ndërkohë që në shpinën e këmbës kishte një pjesë – sa një monedhë – e palarë fare. I Dërguari i Allahut (a.s) e urdhëroi
që të përsëriste abdesin dhe namazin.”[24] Abdullah ibn Amri (r.a) tregon, se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mjerë për ata që nuk I lajnë thembrat, pasi nëse nuk lahen, do të digjen nga zjarri i Xhehenemit”[25]
5- Maturia në përdorimin e ujit: Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte gusul me një Sa`a (3.28 kg) apo me pesë Mud`(një mud është 815 gram), ndërsa abdesin e merrte vetëm me një Mud”.(219)[26] Enesi (r.a) tregon gjithashtu, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes me një Mekuk (rreth 5 litra ujë) dhe lahej me pesë mekuk”[27] Enes ibn Maliku (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dy ritla (masa e një ritli është rreth 406 gram) mjaftojnë për abdes”[28]
Adabet (edukata) e abdesit
1- Ulja në një vend të ngritur, në mënyrë që të mos lagemi. Argument për këtë është hadithi i Aliut (r.a), i cili kërkoi një karrige. Më pas kërkoi një enë dhe lau duart tre herë, lau gojën dhe hundën me një dorë ujë dhe më pas mori abdes”[29]
2- Kthimi nga Kibla. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo gjë ka prijësin (mbretin, zotërinë) e tij dhe prijësi i kuvendeve është qëndrimi drejt Kiblës”[30]
3- Evitimi i fjalëve të zakonshme gjatë marrjes së abdesit.
4- Pastrimi i veshit në brendësi me gishtin e vogël dhe nga jashtë me gishtin e madh. Rrab`ije bint Muauedh (r.a) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke marrë abdes; ai i futi gishtat në vrimat e veshit”[31]
Mikadadi (r.a) gjatë përshkrimit të abdesit të të Dërguarit të Allahut (a.s) tha, se i Dërguari i Allahut (a.s) fshiu veshët nga jashtë dhe nga brenda.[32]
5- Ripërtëritja e nijetit gjatë marrjes së abdesit.
6- Lëvizja e unazës nëse është e lirë, por nëse është shumë e ngushtë, lëvizja e saj është farz. Ibn Ebi Rafia (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes, e lëvizte unazën.[33]
7- Marrja abdes për çdo namaz. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes për çdo namaz. Dikush e pyeti: “Po ju si vepronit”? Ai tha: “I falnim namazet me një abdes, përderisa nuk e kishim prishur atë”[34]
8- Thënia e shehadetit pas abdesit. Umer Ibn Hattabi (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes në formën më të mirë dhe pastaj thotë: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, i cili është i Vetëm dhe nuk ka asnjë ortak, dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij”, i hapen të tetë dyert e Xhenetit, që të hyjë nga ajo derë që dëshiron”.(228)[35]
9- Mos përplasja e ujit në fytyrë.
10- Pritja derisa të thahen gjymtyrët, por s’ka problem edhe nëse fshihen.
11- Pirja e ujit që ka mbetur në enë. Aliu (r.a) ka thënë: “Kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke vepruar kështu (duke e pirë ujin që mbetet pas marrjes së abdesit). Ky është abdesi i saktë”[36]
Gjërat që e prishin abdesin
1- Ajo që del nga dy rrugët e jashtëqitjes. Ajo që del nga organet e jashtëqitjes, qoftë e ngurtë, e lëngët apo e gaztë e prish abdesin, edhe nëse është e pakët: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Abdesi obligohet të merret, atëherë kur dëgjohet zhurmë apo erë (lëshon
gazra)”[37]
Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Abdesi prishet nga ato gjëra që dalin (nga trupi) dhe jo nga ato gjëra që hyjnë”[38].
Ali ibn Talki (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush lëshon gazra në namaz, le të largohet, të marrë abdes dhe të përsërisë namazin”[39]
2- Gjaku dhe qelbi: Ky gjykim është më së shumti për gratë, që janë lehona dhe me menstruacione. Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë Fatime bint Xhahsh (r.a): “Kur të të vijnë menstruacionet, lëre namazin, ndërsa kur të të mbarojë periudha, laje gjakun dhe falu”[40]
Dijetarët nuk kanë mendim unanim për pastërtinë e gjakut. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk merret abdes për një apo dy pika gjak, por abdesi merret kur gjaku rrjedh”[41]
Hasan Basriu thotë: “Muslimanët në një betejë janë falur me plagë të hapura”. Umeri (r.a) është falur, ndërkohë që plaga e tij rridhte gjak. Sipas Ebu Hanifes, gjaku e prish abdesin, vetëm nëse rrjedh. Të njëjtin mendim ka edhe për qelbin. Sipas Shafiut, gjaku që del nga hundët e prish abdesin. Mendimi më i drejtë është, se nëse gjaku rrjedh me shumicë, abdesi prishet dhe nëse ai rrjedh pak, abdesi nuk prishet. Kjo bazohet më shumë edhe nga hadithi i
Zejd ibn Thabiti (r.a), në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Abdesi duhet të merret për çdo gjak që rrjedh”[42]
3- E vjellura: Ebu Derda (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) volli. Më pas u largua dhe mori abdes”[43]
4- Dalja e gjakut nga hundët: Kur Abdullah ibn Umerit (r.a) i dilte gjak nga hundët, largohej dhe merrte abdes e më pas kthehej dhe vazhdonte namazin aty ku e kishte lënë, mirëpo gjatë kësaj kohe ai nuk fliste me askënd.
5- Gjumi shtrirë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Syri është rojtari i organeve. Kush fle, të marrë abdes.[44]I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Abdesi obligohet për atë që fle shtrirë”[45]
Në rastin kur personi nuk fle shtrirë, apo kotet, abdesi i tij nuk konsiderohet i pavlefshëm. Enesi (r.a) tregon: “Shokët e Muhamedit (a.s) e prisnin namazin e Jacisë (në xhami). Gjatë kësaj kohe, kokat e tyre këputeshin nga gjumi. Më pas, ata faleshin dhe nuk merrnin abdes”[46]
6- Të fiktit dhe humbja e mendjes përkohësisht apo përgjithmonë: Aishja (r.a) tregoi për sëmundjen e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) pyeti: “A janë falur njerëzit”? I thanë: “Jo, ata po të presin ty o i Dërguar i Allahut”. Ai (a.s) tha: “Më sillni ujë”. I sollën ujë dhe ai pasi u la, u nis për tek njerëzit, mirëpo i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: “A janë falur njerëzit”? I thanë: “Jo, ata po të presin ty o i Dërguar i Allahut”. Ai (a.s) tha:“Më sillni ujë”. I sollën ujë dhe ai u la…[47]
7- E qeshura në namaz: Ebu Alije (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) po falej me shokët e tij në xhami, kur hyri një burrë që nuk shikonte mirë. Ai kaloi pranë një grope dhe ra brenda. Disa nga sahabët që po faleshin, filluan të qeshin. I Dërguari i Allahut (a.s) i urdhëroi ata që qeshën, që të përsërisnin abdesin dhe namazin” [48]Dijetarët hanefi janë të mendimit, se e qeshura në namaz e prish abdesin. Sidoqoftë, është e pëlqyeshme që të merret abdes rishtas, pasi kështu shmangen debatet që kanë dijetarët nëlidhje me këtë çështje.
8- Prekja e gruas me epsh dhe kur nga organi gjenital del lëngu epshor: Kur i Dërguari i Allahut (a.s) u pyet për këtë gjë, e urdhëroi pyetësin që të merrte abdes dhe pastaj të falte namazin[49]
9- Prekja e organeve gjenitale nuk e prish abdesin: Një person i tha të Dërguarit të Allahut (a.s): “Kam prekur organin gjenital”,- apo i tha: “A duhet të marr abdes nëse e prek organin gjenital”? I Dërguari I Allahut (a.s) ia ktheu: “Jo, nuk duhet të marrësh abdes, sepse organi gjenital është pjesë e trupit tënd”[50] Ky hadith është më i vërtetë se hadithi, në të cilin thuhet se duhet të merret
abdes, nëse preket organi gjenital. Gjykimi në fjalë përfshin si meshkujt ashtu edhe femrat, si organet gjenitale ashtu edhe organet e jashtëqitjes.
Në lidhje me marrjen e abdesit pas ngrënies së mishit të devesë, apo mishit të pjekur, themi se pëlqehet të rimerret abdesi, pasi kështu shmangen edhe mospajtimet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje. Xhabiri (r.a) ka thënë: “Nga gjërat e fundit që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka anulluar, ka qenë edhe mosmarrja e abdesit pas ngrënies së mishit të pjekur”[51]
Kohët kur pëlqehet që muslimani të jetë me abdes
1- Para rënies në gjumë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Para se të biesh në gjumë, merr abdes si për namaz”[52]
2- Pas zgjimit nga gjumi: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Abdesi obligohet për atë që fle shtrirë”[53] Ky hadith argumenton, se pëlqehet të merret abdes pas zgjimit nga gjumi.
3- Qëndrimi me abdes gjatë gjithë kohës: Theubani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Bëhuni të qëndrueshëm në adhurime, edhe pse e keni të vështirë që t`iu përmbaheni. Dijeni se puna juaj më e mirë është namazi. Vetëm ai që është besimtar, rri gjithmonë me abdes”[54]
4- Abdesi pas fjalëve të këqija dhe përgojmit, edhe nëse personi e ka abdesin: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes, duke qenë me abdes, Allahu i shkruan atij 10 të mira”[55]
5- Pas larjes së të vdekurit: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e lan të vdekurin, le të lahet edhe vetë, kush e mbart të vdekurin, të marrë ab[56]
6- Marrja abdes për çdo namaz: Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte abdes për çdo namaz, sido që të ishte – me abdes apo pa abdes.[57]
7- Para larjes nga xhunubllëku: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) dëshironte të lahej nga xhunubllëku, lante duart para se t`i fuste në enë, më pas lante pjesët intime, merrte abdes siç merrte për namaz dhe pastaj lahej komplet duke hedhur ujë me grushta[58]
8- Marrja abdes para ngrënies ose fjetjes: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) ishte xhunub dhe dëshironte të hante e të pinte, merrte abdes.[59]
9- Para kryerjes së marrëdhënieve intime: Ebu Seid Khuderiu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush i afrohet gruas së tij, kryen marrëdhënie me të dhe pastaj dëshiron të kryejë marrëdhënie për së dyti, le të marrë abdes”.(255)[60]
10- Në rast zemërimi: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Zemërimi është nga shejtani, kurse shejtani është nga zjarri. Zjarri fiket me ujë. Nëse ndonjëri nga ju zemërohet, le të marrë abdes”[61]
11- Kur ha mish të pjekur në prush apo mish deveje: Kur i Dërguari I Allahut (a.s) u pyet për mishin e devesë, tha: “Pas ngrënies së saj merr abdes”[62]
12- Pas fjalëve të pahijshme: Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Të marr abdes pasi kam thënë një fjalë të keqe është më e dashur për mua, sesa të marr abdes pasi ha ushqim të pastër”
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Maide: 6.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Ebu Dadui, Ibn Maxheh dhe Ahmedi. Hadithi është i saktë.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.
[6] – Nesaiu dhe Ahmedi. Hadithi është i saktë.
[7] – Buhariu dhe Muslimi.
[8] – Ahmedi. Hadithi është i saktë.
[9] – Buhariu.
[10] – Buhariu dhe Muslimi.
[11] – Ebu Daudi dhe Ahmeti. Hadithi është i saktë.
[12] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[13] – Ebu Daudi dhe Ahmeti. Hadithi është i saktë.
[14] – Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[15] – Ebu Daudi dhe Ahmeti. Hadithi është i saktë.
[16] – Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[17] – Ebdu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[18] – Buhariu dhe Muslimi.
[19] – Buhariu.
[20] – Buhariu.
[21] – Buhariu dhe Muslimi.
[22] – Buhariu dhe Muslimi.
[23] – Ebud Daudi dhe Tabareniu ne El Kebir. Hadithi është i dobët.
[24] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[25] – Buhariu dhe Muslimi.
[26] – Buhariu dhe Muslimi.
[27] – Buhariu dhe Muslimi.
[28] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[29] – Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe të tjerë. Hadithi është i saktë.
[30] – Tabaraniu në Eusat. Hadithi është i saktë.
[31] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[32] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[33] – Ibn Maxheh. Hadithi është i dobët.
[34] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[35] = Muslimi.
[36] – Buhariu.
[37] – Muslimi.
[38] – Darakutni. Hadithi është i dobët.
[39] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[40] – Buhariu dhe Muslimi.
[41] – Darakutni. Hadithi është i dobët.
[42] – Darakutni. Hadithi është i dobët.
[43] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[44] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[45] – Ibn Shejbe. Hadithi është i dobët.
[46] – Muslimi.
[47] – Buhariu dhe Muslimi.
[48] – Darakutni. Hadithi është i dobët.
[49] – Tirmidhiu dhe ahmedi. Hadithi është i saktë.
[50] – Ebu Daudi.
[51] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[52] – Buhariu dhe Muslimi.
[53] – Ebu Daudi. Hadithi është i dobët.
[54] – Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[55] – Ebu Daudi. Hadithi është i dobët.
[56] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[57] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[58] – Buhariu dhe Muslimi.
[59] – Muslimi.
[60] – Muslimi.
[61] – Ebu Daudi. Hadithi është i dobët.
[62] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.