Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas gjatë një takimi me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob në Jordani diskutoi për zhvillimet e fundit në Palestinë, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Abbas priti kryeministrin slloven, Golob në kuadër të Konferencës së Ndërhyrjes Humanitare Emergjente në Gaza të mbajtur në rajonin e Detit të Vdekur në perëndim të kryeqytetit të Jordanisë, Aman.
Abbas shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin e guximshëm parimor të Sllovenisë në njohjen e shtetit palestinez. “Vendimi për të njohur shtetin palestinez do të kontribuojë në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete, e cila është shkatërruar sistematikisht dhe do të kontribuojë në ofrimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit për të gjithë”, tha ai.
Duke informuar kryeministrin slloven për zhvillimet e fundit në fushën palestineze, Abbas përcolli përpjekjet e bëra nga palët ndërkombëtare për të ndaluar sulmet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, veçanërisht në Rripin e Gazës.
Golob tha se vendi i tij mbështet të drejtat legjitime të popullit palestinez dhe theksoi se populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes dhe krijimit të një shteti të pavarur në tokën e tij.
Ai potencon domosdoshmërinë e vendosjes së një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare për popullin palestinez. Golob bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.