Abbas: Pa’lestinezët nuk do të largohen kurrë nga Ga’za, ashtu siç nuk do të largohen kurrë nga Bregu Perëndimor

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha sot se populli i tij “nuk do të largohet kurrë nga Gaza”, teksa zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në margjinat e Samitit të 16-të të BRICS-it në Rusi, raporton Anadolu.

“Palestinezët nuk do të largohen kurrë nga Gaza, ashtu siç nuk do të largohen kurrë nga Bregu Perëndimor. Kjo është një gjë e rëndësishme. (Kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu, nga ana tjetër, po përpiqet ta bëjë këtë, të dëbojë palestinezët nga atdheu i tyre, por ne kurrë nuk do ta bëjmë këtë”, tha Abbas gjatë takimit në ditën e tretë dhe të fundit të samitit në Kazan.

Ai tha se e di se Egjipti dhe Jordania nuk e mbështesin atë politikë dhe nënvizoi se Gaza është pjesë integrale e shtetit palestinez.

“Prandaj, ne synojmë të punojmë për t’i dhënë fund okupimit, në mënyrë që më pas të mund të jetojmë në një shtet të vetëm palestinez – së bashku me Gazën, së bashku me Bregun Perëndimor”, tha Abbas.

Presidenti palestinez deklaroi se populli i tij dëshiron vetëm armëpushim, gjë që ai tha se është diçka që të gjithë po e kërkojnë, duke shprehur më tej shpresën se palestinezët do të jenë në gjendje ta arrijnë atë dhe që të fillohet me rritjen e ndihmave humanitare.

Ai shtoi se Palestina është e kënaqur me “qëndrimin e fortë” të Rusisë në mbështetje të çështjes palestineze dhe “së drejtës sovrane të popullit palestinez për të arritur të gjitha qëllimet e tyre dhe për të krijuar shtetin tonë”.

Ndërkaq, Putin tha se situata në rajon po përkeqësohet dhe se tensionet po rriten në Bregun Perëndimor.

“Pozicioni parimor i Rusisë është konsistent dhe absolutisht jooportunist. Ne mbrojmë me vendosmëri një fund të hershëm të gjakderdhjes dhe ofrimin e aksesit humanitar për të gjithë ata që kanë nevojë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje”, tha Putin.

Ai theksoi se një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes një “zgjidhjeje politike dhe diplomatike mbi bazën e njohur ligjore ndërkombëtare, e cila parashikon krijimin e një shteti të pavarur sovran palestinez që do të bashkëjetonte në paqe dhe siguri me Izraelin”.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 42.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 100.500 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Sulmet izraelite në Gaza kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.