Presidenti palestinez Mahmoud Abbas në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, në emër të paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme i kërkoi Izraelit të pranojë zgjidhjen me dy shtete që përfshin dy vendet, Izraelin dhe Palestinën, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të ndalojnë ndërtimin e vendbanimeve hebraike në territoret e pushtuara.
“Nëse izraelitët nuk duan zgjidhjen me dy shtete dhe paqe, atëherë le të vuajnë pasojat për këtë”, tha Abbas.
Ai kujtoi vazhdimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite, si dhe mosmarrëveshjen këtë vit rreth sigurisë së xhamisë Al-Aksa.
Abbas i kërkoi OKB-së t’i japë fund, siç tha “aparteidit” që Izraeli po bën ndaj palestinezëve.
Presidenti palestinez shtoi se dhënia fund e pushtimit izraelit të Territorit Palestinez paraqet përgjegjësinë ligjore, njerëzore dhe morale të OKB-së.
Më tej ai paralajmëroi se palestinezëve nuk u mbetet zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojnë luftën nëse nuk arrihet zgjidhje me dy shtete.
“Nuk na mbetet zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojmë luftën për të drejtat e plota për të gjithë banorët e Palestinës. Kjo nuk është kurrfarë kërcënimi, por paralajmërim”, tha Abbas.
Më herët të mërkurën, ai gjithashtu u takua edhe me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe tha se vendosmëria e tij mund të ndihmonte në sjelljen, e siç e quajti “marrëveshjes së shekullit” në Lindjen e Mesme.