/ATSH-AFP/ – Presidenti palestinez, Mahmud Abbas nuk do ta presë zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, njoftoi sot një këshilltar i presidentit palestinez, pas vendimit amerikan për të shpallur njëanshmërisht Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit.
“Nuk do të ketë takim me zëvendëspresidentin amerikan në Territoret palestineze”, theksoi Majdi al-Khalidi, këshilltar diplomatik i presidentit, Abbas.
Një vizitë e zëvendëspresidentit amerikan, Pence në Izrael dhe në Territoret palestineze ishte parashikuar gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor.
Vendimi i njoftuar disa ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump për të shpallur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit ngjalli në Territoret palestineze manifestime dhe përplasje të përgjakshme me forcat izraelite.
“Me vendimin e saj për Jeruzalemin, SHBA-ja kaloi të gjitha linjat e kuqe”, nënvizoi këshilltari i Abbas.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi kundërproduktive anulimin e takimit të parashikuar me Pence në Cisjordani, territor palestinez i pushtuar nga ushtria izraelite që prej viteve ’50.