Abazoviq tregon gatishmëri të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Malit të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është shprehur me gatishmëri të japë dorëheqje nga pozita që aktualisht ka.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi partia Mali i Zi Demokratik tha se do të duhej ta bënte këtë sapo të përfundojë procesi i zgjedhjeve të organeve të drejtësisë, raporton Vijesti, përcjell lajmi.net.

Kreu malazez tha se në parim e mbështet qëndrimin e Kryesisë së subjektit politik.

“Të gjithë duhet të kemi konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, të Gjykatës Kushtetuese. Le të kontribuojmë të gjithë për këtë dhe të themi: ‘Mirë, po shkojmë në zgjedhje të reja’. Por para kësaj, le ta bëjmë punën të përbashkët. Nëse kolegët demokratë, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, mendojnë kështu, unë jam gati të jap dorëheqjen”, deklaroi Abazoviq për mediumin malazez.

Abazoviq ka pësuar një sërë kritikash së fundmi, sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe. Kritikë kreut malazez iu bë edhe për një deklaratë relativizuese për gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.