Më 11 korrik të vitit 1995, është vrarë njerëzimi në Srebrenicë, por Bosnja e Hercegovina vazhdoi të jetojë, theksoi sot në Potoçari kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke folur në ceremoninë me rastin e 27-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Përkujtimi i sotëm është një kujtesë se sa të këqij ishim atëherë. Jo vetëm ata që jetonin këtu, jo vetëm ata që jetonin përreth, por edhe ata që mendohej se kishin ardhur për të ndihmuar, por në fakt nuk arritën të bënin asgjë të rëndësishme”, tha Abazoviq.
Ai shtoi se 27 vjet më vonë, ende jeton në Ballkan “fryma e urrejtjes, përçarjes, ndarjes, e cila, për fat të mirë, nuk manifeston ngjarjet e luftës”.
“Por ajo ende manifestohet në politika që janë të mbushura me gjuhë urrejtjeje ose mohim të së vërtetës dhe fakteve. Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, vetëm të ardhmen. Na takon ne të zgjedhim nëse duam të vazhdojmë të jetojmë në kufirin ballkanik apo nëse duam ta shohim të vërtetën në sy, të ofrojmë të gjithë mbështetjen për familjet e viktimave dhe për këto gurët e bardhë në ballë për të na kujtuar viktimat e pafajshme jo të boshnjakëve, por të njerëzve. Gjenocidi nuk është bërë ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve dhe nuk është bërë nga ushtritë, por nga politika e së keqes, politika e vdekjes dhe e mashtrimit”, tha kryeministri malazez.
Ai theksoi se duhet të ndryshohen gjërat, “të shikojmë njëri-tjetrin në sy, të mësojmë nga gabimet, t’i japim një shans pajtimit, drejtësisë dhe së vërtetës”.
“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi dërgoj ngushëllimet më të thella për të gjitha viktimat, mbështetjen për familjet e viktimave dhe besoj se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme shumë më të mirë”, tha Abazoviq.
Sot, 50 viktimat e gjenocidit do të dërgohen në prehjen e tyre të përjetshme.