AAK i kërkon Qeverisë Kurti t’ia japë nga 100 euro secilit qytetar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëpërmjet një konference për mediat, ka propozuar që Qeveria e Kosovës të ndajë nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës, për ta tejkaluar krizën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet ta ndjejnë dorën e shtetit sikur asnjëherë më parë.

“Si kurrë më parë, scili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit. Ne si AAK propozojmë si mbështetje të menjëhershme ndarjen e nga 100 eurove për secilin qytetar të Kosovës. Zbatimi i këtij vendimi do të duhej të bëhej nëpërmjet ekstrakteve të lindjes. Këto ndihma ta mbështesnin secilën familje, dhe në të njëjtën kohe e rrisin edhe konsumin, e kjo ndikon drejtpërdrejt në arkëtimin e parasë në arkën e shtetit”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka thënë se sipas vlerësimeve të para të AAK-së, e gjithë kjo do të kushtonte rrreth 170 milionë eurove.