Pas Lëvizjes Vetëvendosje edhe dy subjektet e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e kanë kundërshtuar propozimin e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Salihaj ka propozuar që të bëhet ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, duke ia shtuar një aneks në të cilin kërkohet që ky proces të rishikohet pas një viti. Po ky propozim është i papranueshëm edhe për AAK-në dhe Nismën.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se marrëveshje aktuale për demarkacionin nuk duhet të pranohet dhe se deputetët nuk duhet të bien në lajthitje nga propozimet e tilla.
“Verzioni aktual nuk duhet të pranohet në asnjë mënyrë për shkak se me të Kosova humbë territor dhe kjo ideja që të rishqyrtohet pas një viti është vetëm lojë. Sjellja e Qeverisë për këtë problematikë tregon për nivelin e ulët të përgjegjësisë dhe poashtu për mashtrimin që ajo do t’ia bëjë opinionit. Deputetët nuk duhet të bien në lajthitje nga idetë e tilla”, ka deklaruar Isufi, për lajmi.net.
Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka thënë se për lajmi.net se ideja e për miratimin e Marrëveshjes së Vjenës duke ia bashkangjitur ndonjë aneks, nuk mund të realizohet.
“Kjo është e pamundshme të realizohet dhe vetëm sa bënë mjegull edhe më shumë në këtë tollovi politike, nëse mund të them. Ajo marrëveshje nuk mund të ndryshohet pasi të nënshkruhet, aq më tepër tani kur është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi. Pra, çdo tendencë për të shtuar ndonjë nen në atë marrëveshje apo për të bërë ndërhyrje në të është tentim për mashtrim”, është shprehur Berisha, duke thënë se vetëm me hedhjen poshtë të marrëveshjes aktuale mund të bëhen ndryshime.
Përndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka propozuar që Marrëveshja për Demarkacionin të ratifikohet, duke ia shtuar një aneks në të cilin thuhet se demarkacioni me Malin e Zi do të rishikohet pas një viti. Ky propozim ka ardhur si opsion për të gjetur një zgjidhje për të mos e penguar procesin e liberalizimit të vizave, pasi ratifikimi i demarkacionit është kusht në këtë proces. Ky propozim është duke u shqyrtuar në LDK.