Dega e Inteligjencës Ajrore, një nga qendrat e torturës dhe marrjes në pyetje që ka ngjallur frikë ndaj popullit të Sirisë për dekada, po pret të regjistrohet si një nga vendet që përmban provat më të rëndësishme të krimeve të kryera nga regjimi i rrëzuar i Bashar Asadit.
Dega e Inteligjencës Ajrore, ku regjimi i rrëzuar futi në qeli madje edhe fëmijët dhe të rinjtë që demonstruan gjatë luftës civile, u filmua nga gazetarët e Anadolus.
Në degë, qelitë e quajtura “qelia e kuqe” dhe “dhoma e zezë”, ku mbaheshin të burgosurit dhe të cilat kanë përmasat e një tualeti të vogël, shihen se janë të ndotura.
Në muret e qelive shihet se fëmijët e mbajtur këtu kanë “gërvishtur” mallin e tyre për nënat dhe baballarët e tyre duke shkruar: “Babi më mungon” dhe “Mami më mungon”.
Copa kartoni dhe batanije janë të shpërndara në dyshemenë e reparteve dhe qelive teke në qendrën e marrjes në pyetje, e cila ka kushte çnjerëzore.
Ndërkohë, shumë sende dhe dokumente janë filmuar të shpërndara në dysheme, ndërsa vëmendje tërheq edhe prania e mjeteve dhe pajisjeve prerëse.
Muret dhe pllakat e pista, qelitë e ngushta për një person ku është e vështirë të marrësh frymë, zbulojnë kushtet çnjerëzore të cilave u janë nënshtruar të burgosurit e mbajtur këtu.
– I burgosuri nga Damasku tashmë përgjegjës për sigurinë e degës ku u mbajt si i burgosur në fëmijëri
Majiduddin Ahmed al-Hushan, banor i lagjes Qaboun të Damaskut, ishte një nga të rinjtë që u mor në këtë degë nga regjimi i rrëzuar i Asadit më 21 korrik 2011, ndërsa ai ishte ende gjimnazist.
Sot, Majiduddin Ahmed al-Hushan, i cili është përgjegjës për sigurinë e degës me ardhjen në pushtet të administratës së re në Siri, tregoi historinë e tij për vendin ku u mbajt si fëmijë, ku u soll dhe u torturua.
Hushan deklaroi se ata ishin nxënës kur iu bashkuan lëvizjeve paqësore që populli i Sirisë filloi në vitin 2011 për të kërkuar lirinë dhe tha se forcat e sigurisë së regjimit arrestuan një grup nxënësish, përfshirë edhe atë.
Duke shpjeguar se pasi u ndaluan, ata u tërhoqën zvarrë në rrugë për rreth një kilometër, u rrahën dhe u dërguan në Degën e Inteligjencës Ajrore në Harasta, Hushan shtoi se aty u mbajtën për 2 muaj e gjysmë dhe më pas u transferuan në Degën Al-Khatib.
Ai shpjegoi se ata u mbajtën për 8 ditë në Degën Al-Khatib dhe më pas u dërguan përsëri në Degën e Inteligjencës Ajrore. Hushan vuri në dukje se ata u liruan në kuadrin e amnistisë që doli për nxënësit në atë kohë.
Lidhur me momentet e ndalimit, Hushan deklaroi se është dërguar në komisariat me një automjet policie me sy të lidhur dhe duar të lidhura me pranga. “Më thanë të ecja rreth 2 metra. Më pas më thanë të qëndroja në maja e një shkalle dhe dikush më shtyu, unë rashë poshtë para se këmba ime të prekte shkallën”, rrëfen ai.
Hushan tha se poshtë ishin rreth 30 persona që prisnin të grumbulluar njëri mbi tjetrin dhe se ai ra mbi këta njerëz.
Pasi deklaroi se personat e sjellë në degë u thirrën një nga një në dhomën e marrjes në pyetje me sy të lidhur dhe me pranga, Hushan bëri të ditur se më pas janë dërguar në qeli duke iu marrë të dhënat e identitetit dhe sendet që kishin dhe se u vendos në qelinë “e kuqe” të izolimit me pretendimin se ishte kapur në flagrancë.
“Fillimisht ishim 10 veta, por brenda 2 orësh na u bashkuan edhe 4 persona, mes të cilëve dy fëmijë 7-8 vjeç. Kaluam plot 7 ditë në një qeli me 14 persona në një metër katror. Përgjatë ditës lejoheshim të shkonim në tualet vetëm në mëngjes. Ushqimi jepej ma pjata plastike”, tregoi Hushan.
– “Tortura e vërtetë nuk ishte fizike, por ajo psikologjike”
Duke vënë në dukje se ata çdo ditë merreshin në pyetje që zgjasnin rreth një orë dhe se ata u rrahën nga rojet pa asnjë arsye ndërsa prisnin në korridor gjatë kësaj, Hushan theksoi se “tortura e vërtetë nuk ishte fizike, por ajo psikologjike” dhe se ndonjëherë janë detyruar të jepnin emra gjatë këtyre marrjeve në pyetje nga frika.
“Nuk kishte rëndësi nëse ishe i përfshirë në një krim apo jo, qëllimi i tyre ishte vetëm të rrisnin numrin e të arrestuarve dhe të mund t’u thoshin oficerëve ‘kapa të gjitha protestuesit'”, tha Hushan, duke theksuar se arrestimet e tyre ishin arbitrare.
– Nxënësit gërvishtën në muret e qelisë mallin për prindërit
Hushan deklaroi se pas “qelisë së kuqe” u transferua në një vend tjetër të quajtur “dhoma e zezë” dhe se këtu nxënësit e mitur si ai gërvishtnin mallin e tyre për nënat dhe baballarët e tyre në muret e qelisë.
Nxënësit shkruanin në mure gjëra të tilla si “Babi, më mungon” dhe “Mami, më mungon”, tha Hushan, duke shtuar: “Sistemi i ndëshkonte të gjithë njësoj, pavarësisht moshës. Të gjithë trajtoheshin njësoj, pavarësisht nëse ata ishin fëmijë apo të moshuar”.
Hushan bëri të ditur se e kishte shkruar edhe emrin e tij në murin e qelisë në rast se do të kthehej një ditë dhe theksoi se u bashkua me luftëtarët e rezistencës pasi u lirua nga burgu dhe “luftoi kundër kësaj shtypjeje” dhe se në fund “shumë njerëz u shpëtuan nga këto burgje”.
– “Siria po përparon drejt drejtësisë”
Hushan deklaroi se ishte i shqetësuar që anëtarët e regjimit të vjetër do të ktheheshin në pozicionet e tyre të mëparshme duke bërë marrëveshje pajtimi dhe tha se askush nga regjimi i rrëzuar nuk duhet të kthehet në pushtet në Siri në të ardhmen.
Duke theksuar se shpreson për administratën e re në vend, Hushan tha: “Tashmë është e mjaftueshme që një viktimë të qeverisë vendin. Sepse ky person do të kuptojë të shtypurit. Ai ishte një fëmijë i revolucionit, ai e ndjeu revolucionin, përjetoi rrethimin, urinë dhe luftërat. Për këtë arsye, nuk mendoj se dikush në Siri do t’i nënshtrohet padrejtësisë. Siria po përparon drejt drejtësisë”.