Një studim i ri i publikuar javën e kaluar, i detyroi konsumatorët të pyesin nëse ia vlen të paguhet më shumë për të blerë ushqim organik pa pesticide. Hulumtimi, i botuar në “JAMA Internal Medicine”, zbuloi se ata që zgjidhnin ushqime të rritura në mënyrë organike për 4 vite e gjysmë, kishin norma paksa më të ulëta të prekjes nga kanceri, dhe në veçanti nga kanceri i gjirit.
Por, ndërkohë që ekziston një lidhje midis ngrënies së ushqimeve organike dhe niveleve më të ulëta të kancerit, kjo nuk do të thotë që njëra ka shkaktuar tjetrën. Njerëzit që zgjedhin ushqime organike, ka gjasa të jenë më të shëndetshme, më të pasur dhe më të arsimuar, të gjithë faktorë të njohur që ndikojnë në rrezikun e prekjes nga kanceri.
Sikurse vërejnë studiuesit, ky është studimi i parë i këtij lloji. Gjetjet duhet të konfirmohen në studime të tjera, përpara se ushqimi organik të propozohet si një strategji parandaluese kundër kancerit. Megjithatë, studimet e kaluara kanë gjetur, se rritja e konsumit të frutave, perimeve dhe drithrave, sidoqë ato të jenë kultivuar, dhe konsumi më i ulët e mishit të përpunuar dhe të kuq, mund të ulë rrezikun e kancerit.
Pra, nëse nuk dëshironi të blini prodhime organike, ose nuk keni mundësi ta përballoni nga ana financiare, është mirë të blini ushqime bimore të rritura në mënyrë konvencionale, veçanërisht nëse kjo do të thotë që të hani më shumë fruta dhe perime.
Si u krye hulumtimi?
Ky hulumtim, ishte pjesë e studimit francez NutriNet-Sante, dhe përfshiu pothuajse 70.000 vullnetarë, të cilët nuk ishin prekur nga asnje lloj tumori. Në fillim të studimit, dieta e secilit pjesëmarrës u vlerësua në bazë të udhëzimeve ushqimore franceze, dhe konsumit të tyre të ushqimit dhe pijeve të regjistruara në 3 përshkrime 24 orëshe gjatë 2 javëve.
Gjatë 2 muajve që ishin pjesë e studimit, pjesëmarrësve iu kërkua të japin informacione specifike, rreth konsumit prej tyre të 16 kategorive të ushqimeve të etiketuara si organike. Lista përfshinte fruta, perime, produkte me bazë soje, produkte qumështi, mishin dhe peshkun etj.
Më pas, pjesëmarrësve iu dha një “rezultat i ushqimit organik”.
Nëse ata zgjedhin ushqime të prodhuara në mënyrë organike në të 16 kategoritë, ata do të marrin një maksimum prej 32 pikësh. Shëndeti i çdo pjesëmarrësi, u vlerësua çdo vit, dhe u monitorua për një periudhë mesatare prej 4.5 vjetësh. Kur ndodhte ndonjë rast i prekjes nga kanceri, detajet konfirmohshin në mënyrë të pavarur me spitalin, ose nga mjeku që ndiqte rastin.
Çfarë gjetën ata?
Pikët e ushqimit organik të pjesëmarrësve, varionin nga 0.7 në 19.4. Këto u përdorën për të ndarë grupin në nëngrupime të barabarta. Rreziku i përgjithshëm nga kanceri, ishte 25 për qind më i ulët tek ata që kishin rezultatin më të lartë të konsumit të ushqimit organik. Kanceret që tregojnë korrelacionin më të madh me rrezikun e zvogëluar, ishin ai i gjirit (sidomos tek gratë pas menopauzës) dhe limfomat (sidomos limfoma jo-Hodgkin).
Nuk shfaqet asnjë lidhje me kancerin e prostatës, ndonëse kuadri relativisht i shkurtër kohor do ta kishte të pamundur ndonjë lloj ndryshimi
Çfarë duhet të marrim parasysh?
Siç e kishin treguar edhe studimet e mëparshme me këtë grup, njerëzit që zgjedhin produkte të rritura organikisht, kanë tendencë të kenë të ardhura më të larta, nivele më të larta të arsimit dhe dieta më të shëndetshme. Pra, studiuesit i morën parasysh këta faktorë.
Ata gjithashtu bënë rregullime për faktorë të tjerë, që mund të ndikojnë tek rezultatn:mosha, gjinia, muaji pjesëmarrësit e ërfshirë në program, gjendja martesore, aktiviteti fizik, pirja ose jo e duhanit, konsumimi i alkoolit, historia familjare me ndonjë lloj tumori, indeksi i masës trupore, marrja e energjisë, fijeve ushqimore dhe mishi i kuq dhe të përpunuar.
Pjesëmarrësit me një rezultat të lartë të ushqimit organik, kishin gjithashtu dieta në përgjithësi më të shëndetshme, me përdorim më të lartë të frutave dhe perimeve, dhe konsum më të ulët të mishit të kuq dhe të përpunuar. Ata gjithashtu kishin nivel më të ulët të obezitetit. Pra, a kishin lidhje pesticidet në produktet konvencionale me disa lloje të kancerit, siç hipotetizuan kërkuesit? Ky studim nuk na e thotë dot këtë.
Por ky është studimi i parë i këtij lloji. Studimi i vetëm me disa ngjashmëri, ishte një studim britanik i vitit 2014. Studiuesit zbuluan se kishte 21 për qind më pak gjasa për t’u prekur nga limfoma jo-Hodgkin, tek gratë që hanin “zakonisht ose gjithmonë” ushqim organik. Në vitin 2015, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin, i klasifikoi disa pesticide si “me gjasë kancerogjene ndaj njerëzve”.
Kjo do të thotë se ka dëshmi të kufizuara, për një lidhje midis përdorimit të pesticideve dhe kancerit tek njerëzit, por dëshmi të mjaftueshme për një lidhje midis përdorimit të pesticideve dhe kancerit në studimet eksperimentale të kafshëve. Ka gjithashtu dëshmi, se njerëzit që konsumojnë më shumë produkte organike, kanë nivele më të ulëta të mbetjeve të pesticideve në urinën e tyre.
Dhe disa studime tregojnë, se marrja e vetë-raportuar e prodhimeve organike, mund të përdoret për të parashikuar nivelet urinare të metabolitëve të disa pesticideve. Një mënyrë ideale për të studiuar këtë çështje në të ardhmen, do të ishte monitorimi i nivelit të kancerit në një grup njerëzish të ngjashëm.
Burimi: ScienceAlert – Bota.al