A po ndryshon mendjen për automjetet elektrike: Donald Trump mori dhuratë një Tesla Cybertruck

Ai thotë se nuk i pëlqejnë veturat elektrike dhe dëshiron t’i japë fund të gjitha subvencioneve, por Donald Trump pranoi me kënaqësi një Tesla Cybertruck që mori si dhuratë nga transmetuesi 23-vjeçar Adin Ross.

Ndoshta tani ai po ndryshon mendjen për automjetet elektrike pasi ka marrë si dhuratë një kamionçinë Cybertruck.

Transmetuesi Adin Ross intervistoi kandidatin presidencial në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago. Ai arriti atje me një Tesla Cybertruck, një dhuratë për Donald Trumpin, i cili gjithashtu mori një orë Rolex nga transmetuesi.

Cybertruck është pikturuar me motive nga atentati i 13 korrikut ndaj Trumpit në Butler, Pensilvani dhe mbi kapak është teksti Make America Great Again, që është motoja e lëvizjes politike të Trumpit.

Kandidati republikan për president të SHBA-së ishte i impresionuar me Cybertruck kur u ul në kabinën e automjetit.

Drejtori dhe bashkëpronari i Tesla Elon Musk më vonë komentoi të gjithë ngjarjen në X me një fjalë – cool. Donald Trump mori mbështetjen e Elon Musk pavarësisht se ai ka thënë në disa raste se është kundër veturave elektrike.