Pyetja: A është çdo gjë që i ndodh njeriut në dynja e shkruar për të nga përhershmëria: vdekja dhe rizku (furnizimi), suksesi dhe dështimi, lumturia dhe mjerimi në dynja dhe nëse ai është prej banorëve të Xhenetit apo banorëve të Zjarrit?
Paskëtaj ç’vlerë ka ecejaku i njeriut? A u takon doktorëve (mjekëve) të shpëtojnë një njeri nga vdekja në rastin e një aksidenti? a kanë lidhje Përpjekja, puna e vazhdueshme dhe administrimi i mirë i biznesit apo bujqësisë me shtimin e rizkut (furnizimit), apo rizku është i përcaktuar dhe fiksuar, punuam apo u plogështuam?
Përgjigja nga dok. Jusuf Abdullah el Kardaui:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe çdonjërin që e ndjek atë, kurse më tej:
Muslimanit i kërkohet të marrë në konsideratë shkaqet dhe të punojë me gjithë fuqitë që i janë dhënë për përfitimin e dobisë dhe evitimin e dëmit, duke qenë tërësisht i sigurt se kësisoj ai nuk po tërheq për veten e tij ndonjë dobi dhe as po eviton nga ajo një dëm, sepse të gjtiha ndodhin vetëm me lejen e Allahut.
Dijetari i nderuar dok. Jusuf el Kardaui, thotë:
Kjo pyetje është një pyetje e vjetër, që dihet dhe duket se sado që të zgjasë koha, ajo do vazhdojë të sodisë zemrat dhe të qarkullojë nëpër gjuhë. Nuk ka vend për asnjë destabilizim, sa i përket kësaj pyetjeje, pasi Islami i ka dhënë asaj një përgjigje shëruese dhe të mjaftueshme.
Do t’i përgjigjemi kësaj çështje me pikat në vijim:
a. Gjithçka që gjendet në univers është e shkruar e regjistruar:
Fakti se gjithçka që gjendet në univers është e shkruar e regjistruar, është një dituri e pakontestueshme e fesë islame, në të cilën nuk ka pikë dyshimi, paçka se ne nuk e dimë mënyrën e këtij shkrimi dhe thelbin e shkresës (librit të caktimit hyjnor).
Gjithë sa ne dimë është, se Allahu i Lartësuar e ka sjellë në ekzistencë këtë univers, tokën, qiellin, sendet dhe gjallesat e tij, sipas një kaderi (caktimi) të përhershëm të gjendur tek Ai, dituria e Tij ka përfshirë çdo gjë, Allahu i Lartësuar e di sasinë e çdo gjëje që ekziston dhe gjithçka që ndodh në këtë univers të gjerë, ndodh sipas Diturisë dhe Vullnetit të Tij:
“…Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as në tokë dhe as në qiell as sa grimca e as më e vogël se ajo e as më e madhe, por e gjitha është evidentuar në Librin e sigurt” [Junus: 61], “…Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjethe që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, as të njomë dhe as të thatë, që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi – Mahfudh)” [Enam: 59].
“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as tek juve, e që të mos jetë në Libër (Levhi Mahfudh) para se ajo të ngjajë, e kjo për Allahun është lehtë”. [Hadid: 22]
b. Kjo dituri nxënëse, kjo përllogaritje e detajuar dhe regjistrim përfshirës i objekteve dhe ngjarjeve para se të ndodhin, nuk i kundërvihet përpjekjes për të punuar dhe konsiderimit të shkaqeve:
Allahu i Lartësuar, ashtu siç shkroi pasojat, shkroi edhe shkaqet, ashtu siç caktoi rezultatet, caktoi edhe nismat.
Allahu nuk ia shkruan suksesin një nxënësi dhe kaq, në një formë të tillë që nxënësi do arrijë tek ky rezultat me çdo mjet, por ia shkruan atij suksesin me mjetet e vëna në dispozicion, prej të cilave janë: serioziteti, angazhimi, vëmendja, zgjuarsia, durimi, rezistenca, e të tjera shkaqe deri tek shkaku më i fundit.
Rezultati është i caktuar, i shkruar por edhe ndjekja e shkaqeve është e caktuar dhe e shkruar. Konsiderimi i shkaqeve nuk i kundërvihet kaderit (caktimit), por një gjë e tillë është gjithashtu prej kaderit (caktimit).
Prandaj dhe kur Profeti (a.s.) u pyet rreth ilaçeve dhe shkaqeve mbrojtëse (preventivave) që merr i lënduari, nëse këto ilaçe dhe shkaqe kthejnë mbrapsht diçka prej kaderit (caktimit) të Allahut, përgjigja e tij kategorike ishte: “Ato janë prej kaderit të Allahut”. [Tramsetim i Ahmedit, Ibn Maxhes dhe Tirmidhiut i cili e konsideron këtë transmetim hasen-të mirë]
Po kështu, kur në vendet e Shamit u përhap epidemia, Umeri (r.a) pasi u konsultuar me sahabet (shokët e Profetit a.s), vendosi ta shmangë hyrjen në Sham dhe të kthehet së bashku me muslimanët që ishin me të.
Dikush e pyeti: “O prijësi i besimtarëve! A po i ikën kaderit (caktimit) të Allahut?” Umeri (r.a) tha: “Po. Ikim nga kaderi (caktimi) i Allahut, për tek caktimi i Allahut.
Më thuaj nëse do zbrisje në dy zona të tokës, njëra pjellore dhe tjetra shterpë, nëse do e kullosje tufën tek pjellorja, a do e kullosje me kaderin (caktimin) e Allahut dhe nëse do e kullosje tufën tek shterpa, a do e kullosje me kaderin (caktimin) e Allahut?!”.
c. Kaderi (caktimi hyjnor) është një çështje e fshehtë, që na është mbuluar, prandaj ne na bëhet e qartë se diçka ka qenë kader, vetëm pasi ajo të ndodhë.
Kurse para se kaderi (caktimi hyjnor) të ndodhë, ne jemi të urdhëruar të veprojmë, duke i marrë për bazë ligjet universale dhe orientimet e Sheriatit (Ligjit Islam), me qëllim që të arrijmë të përftojmë më të mirën si për fenë ashtu edhe për dynjanë tonë.
Gajbi është libri i të fshehtave,
Që Zoti i botëve syve ua mbuloi,
Prej tij njerëzve s’u del në pah veçse,
Faqja e së tashmes, moment pas momenti.
Ligjet e Allahut në universin dhe Sheriatin (Ligjin) e Tij e bëjnë kategorik konsiderimin e shkaqeve, tamam ashtu siç veproi në këtë kontekst i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s), i cili ishte njeriu me besimin më të fuqishëm tek kadaja dhe kaderi (vendimi dhe caktimi) i Allahut.
Ai mori masat e duhura, përgatiti ushtritë, përdori shërbimet inteligjente, u vesh me dy parzmore dhe vendosi mbi kokën e tij përkrenaren, i vendosi shigjetarët në hyrjen e luginës, në betejën e Ahzabit hapi kanal rreth Medines, apeloi të bëhej emigrimi në Abisini dhe Medine e edhe vetë qe prej atyre që emigruan, mori në konsideratë shkaqet e mbrojtjes gjatë emigrimit të tij, bëri gati kafshët me të cilat udhëtoi dhe mori një udhërrëfyes që do i shoqëronte, e ndryshoi kursin e rrugës, u fsheh në shpellë, i mori në konsideratë shkaqet e ngrënies dhe pirjes, ua siguroi familjarëve të tij ushqimin e një viti, duke mos pritur që t’i zbriste rizku (furnizmi) nga qielli, atij që e pyeti a ta lidhtë devenë e tij apo ta lëshonte dhe të mbështetej tek Allahu, i tha:
“Lidhe (i’akil ha) dhe mbështetu!” [Transmetim i Ibn Hibanit me zinxhir të saktë transmetimi, nga Amër ibn Umeje ed Damiriu, teksa Ibn Khuzejme dhe Tabaraniu e transmetojnë me një zinxhir të mirë transmetimi me artikulimin: “Shtrëngoje (kajjid ha) dhe mbështetu].
Profeti (a.s) ka thënë gjithashtu: “Largohu nga ai që ka lebrozë, ashtu siç i largohesh luanit!” [Transmetim i Buhariut], si dhe dhe: “Pronari i deveve, nuk duhet ta përziejë devenë e tij të sëmurë me atë të shëndoshë”; pra për t’iu ruajtur epidemisë ngjitëse [Transmetim i Buhariut].
e. Kësisoj, besimi tek kaderi (caktimi hyjnore) nuk e kundërshton punën, rendjen dhe
seriozitetin për të përftuar atë që duam dhe për t’u mbrojtur nga ajo që urrejmë.
Nisur nga sa u tha më lart, nuk i takon të plogështit apo dembelit që t’ia hedhë kaderit (caktimit hyjnor) të gjitha barrët, përgjegjësitë, gabimet dhe mëkatet e tij; sepse ky është fakt i paaftësisë së personit dhe shmangies së tij nga përgjegjësia.
Allahu e mëshiroftë doktor Muhamed Ikbalin për thënien e tij: “Muslimani i dobët justifikohet (shfajësohet) me kadanë dhe kaderin (vendimin dhe caktimin) e Allahut, ndërsa muslimani i fuqishëm ka nga ana e tij bindjen se ai është kadaja (vendimi) i Allahut, që nuk kthehet mbrapsht dhe kaderi (caktimi) i Tij që nuk mposhtet”.
Ky ka qenë edhe besimi i muslimanëve të parë, prandaj tregohet se në betejat e zgjerimeve islame Mugira ibn Shu’abe hyri tek një prej komandantëve romakë. Ky komandant i tha Mugirës: Kush jeni ju? Mugira tha: “Ne jemi kaderi (caktimi) i Allahut. Allahu ju ka sprovuar juve me ne. Edhe nëse do ishit mbi re, ose do të ngjiteshim ne tek ju, ose ju do zbrisnit tek ne”.
Njeriu duhet të strehohet tek justifikimi përmes kaderit (caktimit hyjnor), vetëm pasi t`i ketë shfrytëzuar mundësitë e veta dhe t`i ketë shpenzuar përpjekjen dhe energjinë e tij. Vetëm pas kësaj ky person mund thotë: “Ky është vendim (kada) nga Allahu”.
Profeti (a.s) gjykoi midis dy burrave në favor të njërit kundrejt tjetrit. I humburi tha: “Hasbi Allahu ue Ni’amel Uekil-Më mjafton Allahu e Ai është Garantuesi më i mirë”. Profeti (a.s) u zemërua dhe këtë fjalë që dukshëm ishte besim, e vlerësoi në thelb si paaftësi.
Profeti (a.s) tha: “Faktikisht Allahu e kritikon paaftësinë (të qenit neglizhent). Ty të duhet të jesh i zgjuar (i përpiktë në qëndrimin që ndërmerr) dhe nëse (pastaj) të mund diçka, atëherë thuaj: ‘Hasbi Allahu ue Ni’amel Uekil-Më mjafton Allahu e Ai është Garantuesi më i mirë”. [Transmeton Ebu Daudi, me zinxhir të dobët transmetimi]
f. Fryti i besimit tek kadaja dhe kaderi (vendimi dhe caktimi) i Allahut:
Prej fryteve të besimit tek kadaja dhe kaderi – por pasi njeriu shpenzon gjithë sa ka në dorë dhe pastaj pret atë që është në dorë të Allahut –, është dhurimi i mprehtësisë dhe ndriçimit në situatën e pesimizmit, përkushtimit në arenën e betejës, guximit në kohën e rrezikut, durimit në situatë alarmante dhe kënaqjes me fitimin hallall, kur humbin shanset e dynjallëkut.
Në përpjekje e sipër, njeriu thotë: “Ka për të na ndodhur vetëm ajo që Allahu ka shkruar për ne”.
Në fushëbetejë thotë: “Thuaj: Edhe nëse do ishit në shtëpitë tuaja, ata persona të cilëve u është shkruar vrasja, do dilnin në vendin e vdekjes së tyre”. [Ali Imran: 154]
Në rast fatkeqësie thotë: “E ka caktuar Allahu, çfarë deshi, bëri”.
Qeveritarit tiran i thotë: “Ti nuk mund ta afrosh afatin e vdekjes sime dhe as mund të më privosh mua nga një rizk (furnizim) që është i imi”.
Në realitet, nëse akidja (bindja) mbi kaderin (caktimin hyjnor) kuptohet në fytyrën e saj të saktë, ajo mund të krijojë prej kombit tonë, kombin luftarak, të paepur dhe të meritueshme për të komanduar frerin e historisë. Allahu është më i dijshmi./Mesazhi/