Sami Frashëri nuk ishte vetëm një ideolog, por edhe një gjuhëtar, fuqinë e së cilës ai diti ta përdorte në thirrjet e forta që ndezën motorët e akteve deri në shpalljen e pavarësisë. Ai ka fuqinë ta shohë atë që nuk e shohin bashkëkohësit e tij, teksa e mbyll veprën me fjalët plot ngarkesë emocionale: “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!”.
Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë
“A mund të qëndrojë Shqipëria si është?” Kjo pyetje e Sami Frashërit, e bërë në pjesën e tretë të manifestit të tij politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, mund të jetë sa e asaj kohe aq edhe e së sotmes sonë. Por, e bërë vetëm pak vite pasi ai e kishte hartuar “Abetaren e gjuhës shqipe”, pyetja duket edhe si motoja e përhershme e të gjithë brezave për t’iu kthyer asaj që duam për atdheun, për gjuhën, për kombin.
E nëse sot ajo që duam të jemi është sa e qartë e jona, aq edhe e kërkuar nga “familja europiane”, në rastin Sami Frashërit pyetja kishte të bënte me atë panoramë të një vendi me principata larg njëra-tjetrës në rrugëtimin e vet, duke rrezikuar që të mbetet një vend pa një kufi të përbashkët. Por, më keq se sa kaq, ai fshikullon atë kulturë prej shekujsh, ku shumë shqiptarë nuk janë nderi i flamurit shqiptar, por i vendeve të tjera.
Fakti që ky manifest politik u botua në vitin 1899 në Bukuresht pa emrin e tij, mund të ketë qenë edhe për arsye se në vepër ai përmend vezirë e personazhe të tjera, si Qyprillinjtë, që dhanë gjithçka të mirë për… Turqinë. Përmend Boçarët e dhjetëra të tjerë, që bënë gjithçka për… helenizmin. Ndërkohë që i rikthehet Skënderbeut, si figura që duhej t’i referoheshin bashkëkohësit e tij, duke kërkuar bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një të vetëm, pasi vetëm kështu, sipas tij, mund të mbroheshin shqiptarët nga sllavizimi dhe helenizimi, që kërkonte asimilimin. (“Nuk ka asnjë dyshim se vepra ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet’ është një vepër e konfirmuar e Sami Frashërit. Tekstet e tjera të analizuara në dorëshkrime tregojnë përfundimisht se kjo vepër është e tija”, konfirmuan në Tiranë gjatë prezantimit të botimit të veprës së tij të plotë në Tiranë në mesin e nëntorit, gjatë panairit të librit 2024, dy përgatitësit e këtij botimi të plotë, gjuhëtarët dhe profesorët Xhevat Lloshi dhe Emil Lahe.)
Sami Frashëri, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, iu bashkua komisionit prej 10 anëtarësh dhe e takoi kancelarin gjerman, Bismarkun, dhe kontin austro-hungarez, Andrassy, duke kërkuar që shqiptarët të kishin më shumë të drejta brenda pushtetit osman. Deklaratat e tij se ishte shqiptar dhe e donte Shqipërinë ishin beteja e tij e fortë, deri në refuzim të njohjes si autoritet kulturor nga autoritetet osmane. Edhe drama e tij me 6 akte, “Besa ose Mbajtja e Premtimit”, ishte një lloj përkujtimi i asaj çfarë u duhej më shumë atyre që duhej të kishin një besë për shqipen, për vendlindjen, për vendin e paraardhësve të tyre. “O burrani shqiptarë! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë” ishte motoja përmes së cilës ai besonte atë që i duhej. Domethënë, që na duhet…
Gjuha dhe bindja
Sami Frashëri nuk ishte vetëm një ideolog, por edhe një gjuhëtar, fuqinë e së cilës ai diti ta përdorte në thirrjet e forta që ndezën motorët e akteve deri në shpalljen e pavarësisë. Ai ka fuqinë ta shohë atë që nuk e shohin bashkëkohësit e tij, teksa e mbyll veprën me fjalët plot ngarkesë emocionale: “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!”.
E lexuar dhe rilexuar, kjo vepër nuk e pasuroi vetëm bindjen se çfarë duhej bërë nga shqiptarët për mëmëdheun, por e pasuroi gjuhën shqipe, duke i hapur rrugën një stili të publicistikës që do të pasohej nga të tjerët që nisën të përhapnin idenë e bashkimit në një “vilajet”. Samiu, i cili ka drejtuar edhe revistat e para në gjuhën shqipe, “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85), vuri në linjë atë që i duhej publicistikës shqiptare. Veprat e tij “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (Gramatika, 1886) dhe “Dheshkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe janë themeli i asaj që ndodhi më pas me konkretizimin e alfabetit më 1908 në Manastir. “A jemi shqipëtarë? Besa, feja, puna, kujdesi, dëshira jonë, mendimi ynë të jetë për Shqipërinë e për shqipëtarinë. Të çojmë gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri; të hapim shkolla, të mësojmë, të mos mbesë ndonjë shqipëtar i paditur e që të mos dijë të lexojë e të shkruajë; të largojmë shkollat e huaja nga Shqipëria e ta mbushim mëmëdheun tonë me shkolla shqipe; djemtë tanë në një kohë të shkurtër të mësojnë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e tyre edhe dituritë që u duhen; meqenëse gjuhën e dinë vetvetiu e mundin ta mësojnë në pak kohë, do te kenë dëshirë të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu dhe bujku edhe mjeshtëri i mureve nuk do mbetet pa dituri”, shkruan Samiu në veprën e tij, i bindur se për bashkim nevojitet më së pari gjuha. Dhe, për gjuhën ai dha gjithçka, duke hartuar veprat më fondamentale të mësimdhënies shqipe.
Por, a vlerësuam sa duhet Samiun?
Për fat të keq, Sami Frashëri po njihet shumë vonë me veprën e tij të plotë. Ndërkohë që prej dekadash shumë shkolla mbajnë emrin e tij, në vendin e akademikëve Sami Frashëri nuk ka mundur të gjejë panetonin e duhur. Kështu, enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900), botuar në 6 vëllime në gjuhën turke, ku Samiu u jep një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij, nuk është e njohur në vendlindje. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura. Por, këto të dhëna mbetën të panjohura, të papërkthyera.
Gjatë diktaturës komuniste, Sami Frashëri u lexua vetëm për atë që i duhej sistemit. Në një nga analizat e tij, studiuesi Zija Xholi nënvizonte se Sami Frashëri nuk e përmendte Islamin dhe Kuranin si domethënës. Ky mostheksim i Islamit, në fakt, nuk ishte të bënte me këndvështrimin e Xholit, si mohim për besimin, por si një këmbëngulje që besimi nuk kishte luajtur rol në atë çfarë e kishte inspiruar mendimtarin shqiptar. Një anashkalim lidhur më çështjen e besimit kishte ndodhur edhe me vëllain poet, Naimin, ku në shqip erdhën vetëm ato pjesë ku besimi nuk ishte prioritet i punës. Botimi i veprës së Sami Frashërit lidhej me së shumti me përshkrimin e gjendjes së përçarë, për varfërinë dhe mungesën e gjuhës shqipe.
Me ndryshimin e sistemit, për vëllezërit Frashëri nisi një ridimensionim i figurës së tyre. Por, nëse për Naimin dhe Avdylin rrugët e kthimit të eshtrave ishin të hapura edhe nga Turqia, për Samiun negociatat e eshtrave të tij kanë mbetur pezull. Samiu, i njohur si Shemsedin në vendin ku ai e zhvilloi gjithë aktivitetin e tij, mbetet një figurë që turqit e kanë mbrojtur “pronësinë”. Fjalorët, kontributi në leksikografinë turke, vijojnë t’i mbajnë eshtrat në Stamboll, duke e kthyer këtë figurë në një urë të fortë kulturore, por më së shumti në një shembull të asaj që ai vetë ka mundur ta ndërtojë si pyetje: A mund të qëndrojë Shqipëria si është?
Bashkë me mospraninë e eshtrave në Tiranë, për Samiun mbeten shumë enigma ende të veprës së tij të plotë. Dëshira e tij për ta menduar Shqipërinë se si duhet të jetë ndoshta bashkohet një ditë me ardhjen e eshtrave të tij në mëmëdhe. E pse jo, të mundemi që dimensionimin e dimensionin e tij patriotik, të nacionalizmës së tij, të ideve të tija, të kontributit të tij, ta rizgjojmë me një rilexim të fortë?! Pse jo edhe të leximit edhe të Samiut si dramaturg, i cili tashmë në shqip ka edhe pjesën letrare të panjohur gjer më sot?!
Dëshira e Samiut për të qenë katër vilajetet bashkë mbeti një ëndërr, pasi edhe ajo shpallje e pavarësisë nga Ismail Qemali në vitin 1913 u rrëzua një vit më pas, në Konferencën e Londrës, më 1913. E, megjithatë, ëndrra e tij për një shtet të zhvilluar demokratik, me një ekonomi e moral të shëndetshëm, mbetet një ëndërr që mundet… U mbetet shqiptarëve t’i rikthehen ëndrrës së tij. /revistashenja