Në numrin e saj të radhës, revista “Shenja” botoi një shkrim të Besnik Sinanit me titull “A munden palestinezët t’i çlirojnë izraelitët nga vetja e tyre? A është i mundur një vizion pluralist i Tokës së Shenjtë?”
Në paragrafin e parafundit autori shpalos një “vizion islam” pluralist për Jeruzalemin dhe tokën e shenjtë. Islami i Omerit r.a. dhe Salahudinit, që në mënyrë të panegociueshme përjashton çdo lëvizje islamiste të shekullit XX-të, pasi nuk ka ngurruar t’i ngatërrojë ato me organizatat terroriste të përmendura në shkrim. Duke e mjegulluar dallimin e qartë midis islamizmit, fundamentalizmit dhe terrorizmit përmes një trajtimi akrobatik, shkrimi implikon pohimin se rezistenca e armatosur sot në Palestinë, duke mos u identifikuar me neo-tradicionalizmin që predikon autori, por me islamin politik, nuk ka se si të ofrojë një vizion pluralist fetar, ndaj është e destinuar të jetë sinonim i dhunës së pajustifikuar. E thënë ndryshe, Khamas = ISIS. Akuzë kjo që përkon edhe me boshtin e propagandës izraelite. Shkrimi shpie përsëri ujë në retorikën sioniste kur sugjeron se lëvizjet islamiste bashkëkohore nuk mund të ofrojnë një vizion gjithëpërfshirës për tokën e shenjtë, duke i vendosur ato në të njëjtin kallëp me lëvizjet sekulariste arabe që trumbetonin slloganin (bosh) “ta hedhim në det Izraelin”. Pikërisht “kërcënimin ekzistencial” përdor edhe narrativa sioniste si justifikim për makabritetin, genocidin, spastrimin etnik dhe avancimin e zgjerimin e kolonive në territorin palestinez.
Shkruar në një moment të ndryshëm nga i sotmi, një tezë e tillë nuk do kishte shkaktuar habi, madje as vëmendje, pasi Besniku nuk bën gjë tjetër vetëm se sjell në shqip artikulimet e neo-tradicionalizmit (me seli në Kaliforni e Kembrixh), që sipas përkufizimit që i bën Yahya Birt në reçensën e librit të Walaa Quisay, Neo-Traditionalism in Islam in the West: Orthodoxy, Spirituality and Politics, konsiston në një lëvizje bashkëkohore me origjinë në vitet ‘90, që mbron një teologji politike të shërbimit ndaj pushtetit arbitrar shtetëror.
Në këtë vazhdë, nuk është më pak befasues se mesazhi i nënkuptuar i Besnikut, prononcimi i njërit prej tre eksponentëve të njohur të lëvizjes në një intervistë të disaditëve më parë, ku – nën optikën e vizionit pluralist – pyetjes nëse mund të ndërtohet një tempull hebre në sheshin e xhamisë Aksa, iu përgjigj se aty ka mjaftueshëm hapësirë, por këtë gjë nuk do ta lejonin ekstremistët. Është domethënëse të sjellim reagimin e imam Rashid Asrarit ndaj këtij prononcimi në një video të shkurtër, në të cilën replikon ashpër duke sqaruar se kompleksi përreth xhamisë Aksa është i gjithi Haramu-Sherif sipas Sheriatit islam, ndaj sugjerimi se aty mund të ndërtohet një tempull hebre tregon padituri fetare. Po aq i rëndë është edhe aludimi i një përfaqesuesi tjetër të mendimit neo-tradicionalist, ku në një leksion të para disa viteve, shprehej se vuajtjet e popullatës në Gaza ishin pasojë e hidhërimit të Zotit për revoltën e tyre kundër osmanëve. Kjo që po citojmë më poshtë ishte replika e datës 1 nëntor 2023 e historianit Ovamir Anxhum, pasi video e leksionit qarkulloi sërish dhe u përfol në web: “Nëse Zoti po i ndëshkon Gazanët për rebelimin e disa prej paraardhësve të tyre kundër osmanëve (që në vetvete është përshkrim i rremë i realitetit), a nuk duhet të presim që autori britanik të ndëshkohet nga Zoti për gjenocidet e popullit të tij në mbarë botën? Apo Zoti i fal vetëm disa njerëz, ndërkohë që i përcjell mëkatet e të tjerëve nëpër breza? Kjo logjikë është xhahile – e bazuar në injorancën paraislamike – aq sa nuk rrëfehet”.
Por le t’i kthehemi pohimit të tërthortë të Besnikut, se fraksionet e lëvizjes çlirimtare palestineze nuk mund të ofrojnë një vizion pluralist dhe gjithëpërfshirës për pakicat fetare, siç kërkon parimi islam dhe praktika e Omerit r.a. dhe Salahudin Ejubit. Sa i vërtetë është ky aludim? Do mjaftonte një vështrim i realitetit në Gazën e qeverisur nga Hamasi për gati dy dekadat e fundit, ku të krishterët autoktonë jetojnë të sigurt dhe në paqe me shumicën muslimane siç kanë bërë ndër shekuj, për ta bërë të duket qesharak spekullimin e tij.
Nëse do të provojmë të kuptojmë se si e koncepton ai aplikimin në jetën reale të bashkëjetesës harmonike në tokën e shenjtë – pasi ai vetë nuk na e thotë – nuk mund të mos mendojmë se e vetmja mënyrë e mundshme – si rrjedhojë e logjikës së autorit – në kushtet që imponon Izraeli, është largimi i plotë nga Palestina e të gjithë popullatës, qoftë ajo në Gaza apo në Bregun Perëndimor, pasi tërheqjen në kufijtë e 67-ës e kanë pranuar të gjitha fraksionet palestineze, përfshirë edhe Hamasin (i cili ka bërë modifkime edhe në kartën e vet themeltare në vitin 2017, mbi këtë premisë), në këmbim të paqes. Jo vetëm pranimi i kufijve të 67-ës, por as marrëveshja e Oslos dhe madje as njohja e gjithë territoreve të pushtuara deri në vitin 2020 dhe normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin nga Emiratet e Bashkuara Arabe e shtete të tjera, nën sloganin Abraham Accords dhe bekimin e disa dijetarëve kuetistë, nuk ka mjaftuar për të ndalur represionin izraelit. Këtë të fundit e pohon edhe një e përditshme mainstream si Times, në artikullin It’s Time to Scrap the Abraham Accords të së cilës thuhet: “Në vend që të frenonte abuzimet izraelite, Marrëveshja inkurajoi qeveritë e njëpasnjëshme izraelite që të injoronin më tej të drejtat palestineze. Në vitin e parë pas Marrëveshjes dhuna e kolonëve u rrit në mënyrë dramatike në Bregun Perëndimor. Pas zgjedhjes së qeverisë më të djathtë të Izraelit në histori në 2022, ministrat e kabinetit kërkuan hapur aneksimin e Bregut Perëndimor dhe njoftuan zgjerime masive të vendbanimeve. Në vitin që çoi në 7 tetor, forcat izraelite kishin vrarë tashmë pothuajse 200 palestinezë në Bregun Perëndimor. Izraeli ka bërë shkatërrime në Gaza pas sulmit të Hamasit duke vrarë të paktën 15,500 njerëz, 70% e tyre gra dhe fëmijë, ndërkohë që planit të dëbimit masiv i bëhet jehonë nga Ministri i Inteligjencës i Izraelit për të zhvendosur me forcë banorët e Gazës në Egjipt, duke e shtyrë qeverinë egjiptiane t’u ofrojë atyre strehim të përhershëm dhe leje qëndrimi në Sinai. Dhjetra studiues e kanë përshkruar fushatën e Izraelit si gjenocid”.
Besniku nuk sugjeron asgjë se si mund të aplikohet konkretisht në botën tonë vizioni islam që ai evokon, dhe nuk është i vetëm në këtë rast. Natyrshëm lind pyetja pse duhet atëhere t’i atribuojë sektit të tij neo-tradicionalist atë vizionin madhor islam pluralist të mishëruar nga kalifi i dytë i myslimanëve, Omeri, sulltan Salahudini e të tjerë përgjatë shekujve, kur nuk bën asnjë tentativë për të ofruar një zgjidhje konkrete referuar në traditë? Nga ana tjetër stigmatizon rezistencën palestineze duke e katapultuar në taborin më të keq të mundshëm – atë të ISIS-it – gjë që nuk e bën asnjë studiues serioz. Madje e deleguara speciale e Kombeve të Bashkuara në Gaza, Francesca Albanese, shpesh i ka tërhequr vëmendjen opnionit publik duke theksuar se nuk mundet të ngatërrojmë Hamasin me organizatat terroriste si ISIS-i.
Duke parë se veprimtaria e Besnikut – kohët e fundit – në lançimin e neo-tradicionalizmit në Shqipëri konsiston kryesisht në goditjen e vehabizmit dhe mandej islamit politik, kemi të drejtë të mendojmë së edhe artikulli në fjalë është pikërisht në kuadrin e këtij revanshi. E parë nga një besimtar musliman që nuk e sheh veten në asnjërin nga formacionet e përmendura, vënia në dritë të keqe nga autori e termit “islam politik”, pa shkoqitur mirë se çfarë ka parasysh me të, është gjithësesi shqetësuese. Kjo pasi në zhargonin mediatik, Islami politik shpesh përdoret si element paketimi për të kaluar pa doganë çdo lloj afirmimi, sado i pabazë dhe cinik të jetë. Kështu fjala vjen, jo më pak se The Economist, në editorialin A religious revolution is under way in the Middle East. Can it survive the Gaza war? autori i rrëfen botës zbulimin e tij se Islami politik është në prag të vdekjes, por është akoma shpejtë të festojmë për mortin, pasi lufta në Gaza ka gjasa ta sjellë në jetë edhe një herë. Ajo që ka rëndësi për ne në këtë pikë shtrohet përmes pyetjes se cilat janë simptomat e këtij të sëmuri global me njërën këmbë në varr? The Economist na rreshton shumë, por po përmendim disa prej tyre që janë domethënëse për argumentin. Islami politik ka vdekur, sipas tij, pasi në vëndet e Gjirit janë shtuar aq shumë divorcet, sa disa prej tyre ia kalojnë edhe disa vendeve perëndimore. Po ashtu, marrëdheniet seksuale paramartesore, deri pak kohë përpara një tabu për atë shoqëri, tani janë shtuar në masë. Gjithashtu, tregues është edhe fakti se iranianët janë duke e lënë Islamin për Krishterimin me ritmet më të shpejta në planet, në masë të tillë saqë Irani mund të konsiderohet vendi i parë post-islamik në botë (kjo sipas asaj që ka rrëfyer një pastor evangjelist që shërben në Iran prej kohësh). Një tregues tjetër domethënës – për autorin – se Islamit politik i ka ardhur fundi, është edhe fakti që parlamenti tunizian votoi shfuqizimin e një norme sheriatike që ndalon martesën e grave muslimane me burra të feve të tjera. Lista është e gjatë, por po mjaftohemi me kaq. Është e qartë tani se në çfarë llogoreje e vendos veten Besniku apo të tjerë ithtarë të neo-tradicionalizmit, kur etiketojnë si islamiste iniciativa të sinqerta për të frenuar abuzimin dhe padrejtësinë në kontekste të ndryshme.
Në përpjekje për të kuptuar nga buron vetëbesimi në ideologjinë neo-tradicionaliste dhe guximi në delegjetimimin e plotë të atyre rivale (sa i përket rezistencës palestineze si çështje), ose thënë ndryshe, nëse do hipotetizonim se çfarë alternative do të ofronte Besniku pasi të kishte dekonstruktuar totalisht Islamin politik, nuk arrijmë të gjejmë në atë ligjërim diçka më shumë së të kapurit pas doktrinës se kuetizmit politik si një formulë universale, e kanonizuar në traditë në shekullin e dhjetë.
Në lidhje me këtë, prof. Ovamir Anxhum në studimin me titull Rebellion in Islam, argumenton se nesë marim në shqyrtim tekstet fetare (hadithet) do të gjejmë prova si pro ashtu edhe kundra kuetizmit politik. Po ashtu, edhe bashkëkohësit e Profetit a.s. (sahabët) nuk kanë pasur opinion të unifikuar për këtë çështje. Duke e parë në një kronologji historike, Anxhum evidenton se dy shekujt e parë të Islamit kanë qenë të mbushur me iniciativa kryengritëse, të mbështetura gjerësisht nga dijetarët. Jurstët e mëdhenj themelues të katër shkollave të ligjit islam kanë mbështetur rebelime kundër pushtetarëve. Kjo tregon edhe ndjenjën e tyre të përgjegjshmërisë për mirëqenien e popullatës si dhe pikëpamjen e tyrë në lidhje me konceptin se kush është sovrani. Më tej, në shekujt në vijim qëndrimi i dijetarëve ka evoluar, në favor të pro-kuetizmit. Por kjo, thotë, jo aq për nga evidenca e teksteve fetare sesa për nga përvoja e hidhur e kryengritjeve të dështuara, duke llogaritur gjasë-mundësinë për t’ia dalë me sukses dhe dëmin që sjell një tentativë e dështuar. Përndryshe arsyeton ai, do të ishte e paimagjinueshme një ndalesë apriori e çdo tentative për ndryshim, duke pranuar me fatalizëm stanjacionin në një gjendje mjerimi e padrejtësie të përhershme.
Ndaj, nëse Islami politik është përpjekje njerëzore, si e tillë e kritikueshme dhe e dekonstruktueshme, Besniku duket se sheh tek tradita – përmes lenteve të neo-tradicionalizmit – vetë hyjnoren të mishëruar. Vetëm kjo mund t’i japë hov zellit partizan për revansh sektar e të mjegullojë mjaftueshëm shikimin për të barazuar rezistencën palesitneze me organizatat terroriste.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme nga çfarë thamë më sipër, duket se “vizionit islam” në tezën e Besnikut i ka shpëtuar dimensioni eskatologjik islam, i cili – siç sqaron Abdul Aziz Suraka – vërtet nuk na lejon ta shohim si skenar, e veten si aktorë (përmbarues të vullnetit hyjnor), por megjithatë ka vlerën e vet orientuese, si pjesë e fesë. Midis Kalifornisë dhe Askalanit, eskatologjia islame e përcakton qartazi drejtimin.
Altin Braka