A lejohet agjërimi i ditës së një nate të madhe?

Dr. Rijad Imeri

Pasi që shumë po më pyesin për agjërimin e ditëve me aspekt të rëndësishëm historik e fetarë, siç është nata e #Isras dhe #Miraxhit dhe në anën tjetër për ta mënjanuar hutinë që fusin disa persona në mesin e besimtarëve përmes rrjeteve sociale, sa që disa janë detyruar ta prishin agjërimin e tyre, e disa nuk kanë agjëruar fare nga frika se po bëjnë diç të ndaluar, e shoh të nevojshëm ta bëj këtë sqarim siç u lutem ta shpërndani këtë shkrim në mesin e shoqërisë tuaj me qëllim që ta ngritim vetëdijen fetare.

• Agjërimi i ngjarjeve të mëdha e të rëndësishme ka bazë fetare duke e pasur parasysh se Pejgamberi a.s. kur emigroi për në Medine, i gjeti hebrejtë duke agjëruar në ditën e 10. të Muajit Muharrem (Dita e Ashures) dhe i pyeti: ” Pse e agjëroni këtë ditë?” Ata thanë: ” Se në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain a.s. nga Faraoni dhe ne dëshirojmë që të jemi falënderues ndaj Zotit për këtë mrekulli” Muhamedi a.s. tha: “Ne kemi përparsi në Musain a.s. më shumë se ju” dhe e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi shokët e tij të agjërojnë dhe tha: “Agjërimi i ditës së Ashures, llogarisë në Allahun, se i falë gjynahet e vitit të kaluar”. Pra ky agjërim ka motiv të qartë historik.

• Agjërimi i ditës së hënë që është Sunet i Pejgamberit a.s. ka gjithashtu motiv historik, pasi vet Pejgamberi a.s. kur u pyet se pse e veçon këtë ditë me agjërim u përgjigj: “Se në këtë ditë kam lindur dhe në këtë ditë më ka zbritur mua Kurani.”

• Nuk ka divergjencë në mesin e Dijetarëve të të gjitha kohërave se nëse njeriu korr një sukses në jetën e tij (maturon, doktoron, fiton ndonjë punë, triumfon në diçka që është e hajrit, furnizohet me diçka, apo dita e çlirimit nga armiku etj.) e të tregoj falenderim ndaj Zotit, një gjë e tillë të jetë e ndaluar! Vetëm se dijetarët kanë thënë se nëse premton atëherë obligohet me të. Si psh: Nëse kam sukses në këtë gjë do të agjëroj kaq ditë.

• Agjërimi i netëve të mëdha varion prej obligimit e deri te vullnetarja. Psh. Agjërimi i natës së Kadrit është obligim se është brenda muajit Ramazan. Por Pejgamberi e agjëronte edhe jashta Ramazanit (shih. agjërimin e ditës së hënë e që është Sunet). Agjërimi i ditës së Arafatit dhe të Ashures, për të cilat ka shpërblim të madh, janë Sunet, kurse agjërimet tjera janë Vullnetare.

• Përderisa besimtari nuk mendon se agjërimi i netëve të mëdha është obligim prej Zotit, siç është Muaji i Ramazanit, e as Traditë e Pejgamberit (Pasi që për Sunet duhet të kemi argument se Pejgamberi a.s. e ka vepru një gjë të tillë, si në disa ditë të caktuara që i cekëm më lartë), por e llogaritë si AGJËRIM VULLNETARË, për të treguar falenderim ndaj Allahut për një mirësi qoftë e kaluar apo e tashme, atëherë do ta ketë shpërblimin e agjërimit vullnetar, me lejen e Zotit, siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Kush agjëron një ditë për hirë të Allahut, Allahu do t’ia largojë fytyrën e tij nga zjarri 70 vjeshta (vite)” dhe inshaAllah do ta ketë dhe shpërblimin e falenderimit, ku Zoti ka thënë në Kuran:”Nëse jeni falenderues, Unë do t’ua shumfishojë mirësitë e Mia” (Kuran 14:7)

• Disa pretendojnë se në ibadete (adhurim) është bidat (risi) shpikja e gjërave të reja dhe për këtë është e ndaluar të agjërohet. Kjo nuk qëndron, pasi këtu flitet për formën e ibadetit (si psh. të shpiket agjërimi vetëm gjysmë dite ose të hahet diçka gjat agjërimit) dhe jo për kohën e ibadetit nëse adhurimi vullnetar bëhet ashtu siç duhet, e sidomos pasi që nuk ka ndonjë ndalesë që e ndalon një gjë të tillë.

• Nëse themi se të gjithë dijetarët nuk janë unanim se këto data të këtyre ngjarjeve janë fikse, këtyre u themi: Këto data të vendosura në kalendarin islam janë të bazuara në mendime të dijetarëve, e nëse besoni se ka ndodh në ndonjë datë tjetër atëherë jeni të lirë t’i ngjalli ato ditë me adhurim.

• Gjithashtu duhet ta kuptojmë se dita në Islam fillon me perëndimin e diellit. Dmth: Nata e Israsë është e lidhur me ditën që vje dhe jo me ditën që ka kaluar. Dmth nëse agjëroni nesër, ditën e hënë, që me të me praktiku traditën profetike dhe me falenderu Zotin për këtë natë madhështore e keni shpërblimin e dyfisht inshaAllah.

• Nuk është e kushtëzuar që vetëm të agjërohet, por mund të percillet kjo natë edhe me adhurime apo vepra të tjera të lejuara në Islam, siç lejohet që shpërblimin e veprës së mirë ta mbash për vete apo t’ia dhurosh një personi të gjallë apo të vdekur, me kusht që vepra e mirë të jetë vetëm për Allahun.

• Dhe krejt në fund, një këshillë për hirë të Zotit, mos i ndaloni besimtarët e besimtaret që t’i përafrohen Allahut përmes adhurimit që Zoti e ka përzgjedhur për ta. Po ua lë vetëm një ajet Kuranor ta meditoni dhe shikoni se qfarë dënimi kanë ata që bëhen pengesa në mes njerëzve dhe Krijuesit të tyre qoftë në adhurim qoftë në madhërim: “Kush është më zulluqarë se ai që pengon të përmendet nëpër xhamitë e Allahut Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Ata nuk duhet të hyjnë në to, përveçse të frikësuar. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër dënim të madh.”(Kuran 2:114) Pra këtë njerëz e dinin vlerën e xhamisë dhe përmendjes së Zotit dhe megjithkëtë mundoheshin t’i pengonin besimtarët nga një gjë e tillë, kështu është edhe me ata që e dijnë vlerën e agjërimit vullnetarë dhe mundohen t’i pengojnë njerëzit nga një adhurim i tillë.

Dr. Rijad Imeri