A keni dëgjuar për gripin e syrit?

Gripi i syrit (konjuktiviti)

Transmetohet kryesisht nga kontakti direkt i gishtave me sytë, të cilët kanë rënë fillimisht në kontakt me virusin. Periudha e inkubacionit për shfaqjen e kësaj sëmundje është 5 deri në 12 ditë dhe për sa kohë nuk ka kaluar në gjendje më të rëndë syri i infektuar është ngjyrë rozë.

Simptomat:

· Skuqje e të bardhës së syrit
· Ënjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës
· Lotim i vazhdueshëm i shtuar
· Shqetësim nga drita
· Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin
· Kruarje, irritim apo djegie e syrit
· Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
· Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë

Diagnoza vendoset kryesisht nëpërmjet njohjes së mirë të simptomave klinike të sëmundjes.
Pacientët këshillohen që të përdorin kompresa të ftohta ose lot artificial për të lehtësuar simptomat. Në rastet e kruarjes së syve mund të përdoren pomada me kortizonikë, por dhe me përmbajtje antibiotiku për të parandaluar mbivendosjen e ndonjë infeksioni bakterial.

Masa parandaluese:
1. Lani duart në mënyrë të vazhdueshme.
2. Shmangni fërkimin e syve sepse transmetimi i infeksionit, ndodh lehtësisht nga njëri sy tek tjetri.
3. Evitoni përdorimin e përbashkët të sendeve personale si peshqirëve, këllëfëve, jastëkëve, çarçafët apo kuvertat, apo mjetet e make up-it.
4. Mos përdorni lente kontakti derisa të shërohet syri dhe t’ju thotë mjeku.
5. Trajtimi medikamentoz bëhet vetëm për syrin e sëmurë.