Ne duket se jetojmë në kohëra të mrekullueshme. Një dekadë mbasi të drejtat e grave shërbyen si një arsye e respektueshme për të përkrahur ndërhyrjen ushatarake në Afganistan, jo vetëm që gjuha e të drejtave të njeriut gjendet pothuajse në gojën e gjithkujt, por thirrja për të drejtat globale të grave ka hyrë tashmë në ligjërimin mainstream, apo diskursin qendror. Abuzimet që gratë kanë pësuar nuk konsiderohen më një çështje private dhe as nuk flaken tutje si të parëndësishme në sferën publike ndërkombëtare. Shenjat e këtij ndryshimi sizmik janë ngado, askund më të dukshme se sa në librat e mirëpritur në SHBA të shkruar nga shkrimtarë të cilët botojnë për një publik të gjerë të arsimuar. Half the Sky: Turning Opression into Opportunity for Women Worldwide (Gjysma e qiellit: Të shndërrosh shtypjen në mundësi për gratë aneskaj botës) e Nicholas Kristof dhe Sheryl Wudunn, për shembull, etiketohet si “një thirrje për të rrokur armët kundër shkeljes më tronditëse dhe më të përhapur të të drejtave të njeriut të epokës sonë – pabarazisë gjinore.”[1]
Çfarë zhvillimesh – në institucionet globale, në industritë kulturore, dhe në politikë – i kanë mundësuar publikut perëndimor që të gjejë një mbrojtje moralizuese kaq bindëse dhe të besueshme të grave të largëta nga gazetarët e New York Times apo denoncimet e zjarrta të patriarkisë islame nga emigrantja somaleze Ayaan Hirsi Ali, apo madje edhe një thirrje të një filozofi liberal të Princeton-it për të civilizuar burrat pakistanezë të cilët po kryejnë një luftë mbi gratë nëpërmjet krimeve të nderit?[2]
Këto pyetje mund të mos ishin bërë në qoftë se Edward Said nuk do të na kishte mësuar se si t’i shtronim ato. Ai ekspozoi në mënyrë të shkëlqyer lidhjet ndërmjet pushtetit dhe dijes në veprën e tij Orientalizmi, dhe unë dëshiroj të ndaj me ju sot një pjesë të asaj që vepra e tij na bën të mundur të shohim në këtë moment të ri të triumfit të feminizmit global.[3] Unë dëshiroj të bëj një pyetje që të marrim në shqyrtim se si arkitektët e këtij bonsensi të ri në lidhje me të shkuarit në luftë për gratë ka fituar një autoritet të këtillë. Si dhe të bëj një pyetje përse kaq shumë njerëz pajtohen me argumentet e tyre – të cilat fabrikojnë miratim për angazhimet ndërkombëtare ushtarake dhe humanitare në mbarë botën myslimane – kur ka të meta në arsyetimin e tyre, heshtje në historitë e tyre, dhe njëanshmëri në paraqitjet që ata u bëjnë problemeve të grave, unë do të argumentoja se një mit – i një vendi të quajtur Islamdom, apo Bota Islame, e banuar nga një krijesë e quajtur gruaja-myslimane[4] – shtrihet në thelb të kësaj mbrojtjeje të grave.
Në librin tim Do Muslim Women Need Saving? (A kanë nevojë gratë myslimane për shpëtim?) (i cili ndryshe nga Half the Sky (Gjysma e qiellit) nuk do të bëhet kurrë film televiziv për shkak se shkon kundër rrymës së këtij bonsensi të ri), unë argumentoj se intelektualë të tillë publikë i bëjnë premisat e tyre të pakundërshtueshme duke përdorur si burim një gjuhë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të gruas që sot ka një përdorim të frikshëm.[5] Kjo gjuhë këmbëngulë që njerëzit përreth botës duhet të mësojnë se si të jenë të drejtë dhe se si të maten në një metrikë universale të humanizmit që është e përkufizuar, pjesërisht, nga aspiratat për barazi gjinore dhe lirinë e grave.[6] Por në qoftë se autoriteti për këtë kryqëzatë morale për të shpëtuar gratë në pjesë të tjera të botës varet nga të asociuarit e vetes me gjuhën e lartë të të drejtave universale që është e ngulitur në një mori institucionesh ndërkombëtare, shtysa e tij emocionale buron nga baza mbi të cilën përkrahës të tillë ndërtojnë një zhanër masivisht popullor të të shkruarit në lidhje me padrejtësitë që vuajnë gratë e tjera – sidomos gratë myslimane. Ky zhanër është i mbushur me skena të rënda erotike, madje edhe pornografik.
Diskursi i të drejtave ndërkombëtare të njeriut që përligj këtë “bonsens” varet, me fjalë të tjera, mbi një tjetër diskurs më të degraduar. I ardhur nga një botë e botimit komercial të tregut masiv, dhe sigurisht i përbuzur nga shkrimtarë të respektueshëm si këta, ai megjithatë garanton kryqëzatën e tyre. Ky zhanër librash mund të identifikohet nga kopertinat e tyre. Ne i kemi parë ato në libraritë e aeroporteve. Vron Ware ka vërejtur se në vitin 2004 në Aeroportin Heathrow të Londrës këto libra ishin mbledhur së bashku në një seksion të quajtur “Studime Lindore”.[7] Një imazh i një gruaje të mbuluar është i shoqëruar me tituj si: Sold: One Woman’s True Account of Modern Slavery (E shitur: Rrëfimi i vërtetë i një gruaje mbi skllavërinë modern); Without Mercy (Pa mëshirë); Burned Alive (E djegur për së gjalli); Married by Force (E martuar me dhunë); Daughters of Shame (Bija turpi); A True Story of Life Behind the Veil in Saudi Arabia (Një histori e vërtetë jete pas vellos në Arabinë Saudite); dhe madje tituj edhe më të gjatë që të sjellin në kujtesë melodramat e shekullit të 19: Disgraced: Forced to Marry a Stranger (E turpëruar: E detyruar të martohem me një të panjohur); Betrayed by My Own Family (E tradhëtuar nga vetë familja ime); Sold My Body to Survive (Shita trupin për të mbijetuar); This is My Story (Kjo është historia ime). Ato janë histori personale të tipit “siç i është rrëfyer filanit apo filanes.”
Dy gjuhët, njëra abstrakte dhe e paanshme, tjetra prekëse, pleksen me njëra tjetrën. Kyçe për leksikun e të dyjave janë fjalët miratim, apo pëlqim, zgjedhje dhe liri. Drama qendrore është e sendërtuar si diferenca ndërmjet atyre që zgjedhin dhe atyre që nuk zgjedhin, ndërmjet atyre që janë të lira dhe atyre që rrojnë në vargonj.
Ndonëse në librin tim unë i marr në shqyrtim të dyja këto gjuhë, në këtë kumtesë unë e hedh vështrimin vetëm tek e dyta, në zhanrin qarkullimin e të cilit ne mund ta mendojmë si një formë të trafikimit letrar. Unë do të analizoj kontekstet politike në të cilat këto libra janë prodhuar dhe reflektoj se si ato mund të ndikojnë tek ata që i konsumojnë ato. Gjithashtu, unë do të bëj një lexim që i vë në pikëpyetje eksitimet e tyre të zymta dhe alkeminë e tyre të çuditshme – në të cilat e jashtëzakonshmja bëhet e përgjithshme – për t’ju lënë që të hidhni një vështrim kalimthi madje edhe në rrëfime të tilla mekanike mbi një tjetër mënyrë të të menduarit në lidhje me viktimat/heroinat të cilat janë objekte të një shqetësimi kaq të thellë. Duke vepruar kësisoj, unë ofroj një imazh alternativ të jetëve të grave myslimane.
Feminizmi dhe pulp nonfiction[8]
Ne jetojmë në një epokë në të cilën ideja e të drejtave universale të njeriut është pranuar gjerësisht. Vetë suksesi i institucionalizimit të këtij koncepti në një miriadë organizatash dhe monopoli i saj i njëmendët mbi viset e larta të moralit global i shtyu feministet, duke filluar nga vitet 1980, që të lidhnin luftën për të drejtat dhe mirëqenien e grave me të drejtat e njeriut.[9] Aktivistët që punonin në arenën ndërkombëtare ndërmorën një fushatë të suksesshme për të shpallur të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ata e bënë këtë nëpërmjet hartimit të konventave, duke u instaluar në institucione burokratike pafund, dhe duke krijuar mekanizma të llogaridhënies. Në qoftë se të këqijat e diskriminimit gjinor tani duken kaq qartë, dhe gjuha e të drejtave të grave ka një autoritet kaq të madh, ne duhet të falenderojmë pikërisht këto konventa dhe fushata.
Por, në qoftë se bonsensi i ri për emergjencën e të luftuarit për të drejtat e grave fiton autoritet nëpërmjet asocimit të tij me këtë konsensus ndërkombëtar mbi viset morale të larta utopike të të drejtave “universale”, me vlerën e tij qendrore që është “të zgjedhurit lirisht”, unë do të argumentoja se ai mbështetet vjedhurazi mbi një diskurs tjetër për joshjen e tij emocionale. Një zhanër tronditës i të shkruarit mbi gratë dhe vajzat e abuzuara – kryesisht myslimane – shpërtheu në këtë skenë në vitet 1990 dhe pati një ngjitje të hatashme mbas 11 shtatorit. Këto libra lexohen në klube librash, u bëhen konspekte kudo, dhe shiten me entuziazëm. Temat e përsëritura dhe përkufizuese të këtij zhanri janë forca dhe vartësia e plotë prej skllaveje. Në njërin skaj janë memoaret, apo kujtimet, e këndshme si libri i Azar Nafisi Reading Lolita in Tehran (Të lexosh Lolitën në Teheran), dhe polemika si ajo e Ayaan Hirsi Ali, The Caged Virgin (Virgjëreshë në kafaz), dhe pjesët e tjera vijuese. Në skajin tjetër gjejmë librat që studiuesi i letërsisë Dohra Ahmad i ka quajtur pulp nonfiction.[10] Këtu, ne jemi të zhytur në botët distopike të abuzimit të dhunshëm, ku udhërrëfyeset tona janë vajzat myslimane që kanë vuajtur dhe kanë marrë arratinë.
Sikundër e dimë të gjithë, ka një traditë të gjatë të pasqyrimit të grave myslimane në Perëndim. Studiuesit e quajnë atë orientalizëm të gjinizuar, duke ndjekur kësodore udhën e Edwuard Said-it.[11] Piktoreske, por edhe letrare, ajo që del në pah pareshtur është se gratë myslimane portretizohen si kulturalisht të dallueshme, të kundërtat pasqyrë të grave perëndimore. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, këto përshkrime morën dy trajta: gratë e orientit ose portretizoheshin si viktima të nëpërkëmbura të cilat ishin të burgosura, të izoluara, të mbështjella me çarçaf, dhe të trajtuara si kafshë barre, ose, përndryshe, ato shfaqeshin në një botë sensuale të seksualitetit të shfrenuar. Gratë misionare të krishtera bënin thirrje për përkrahje, duke denoncuar publikisht shtypjen e simotrave të tyre myslimane që në fjalët e para. Artistë dhe shkrimtarë, madje edhe fotografë të kartolinave koloniale të fillimit të shekullit të njëzet, preferonin sensualen dhe seksualen.
Librat e xhepit të fundit të shekullit të njëzet dhe të fillimit të shekullit të njëzet e një, të tregtuar masivisht, u bëjnë jehojnë këtyre temave, por kanë stilin dhe karakterin e tyre të dallueshëm. Protagonistet e tyre janë, siç vëren Dohra Ahmad, “individe guximtare” me ideale feministe, të cilat nuk dëshirojnë të mbesin të zëna në grackë në botët e tyre të çuditshme dhe të ndyra. Ato duan liri, si njerëzit e shquar “informatorë autoktonë” denoncimet e të cilëve ndaj Islamit se gjoja ky shkakton shtypjen e grave janë mirëpritur kaq ngrohtësisht dhe karrierat e të cilëve janë përkrahur nga institucione të fuqishme të së Djathtës, njerëz të shquar historitë personale të të cilëve janë gjithnjë të rrëfyera, siç ka vërejtur Saba Mahmood, në termat e emancipimit.[12]
A duhet t’i trajtojmë këto “memoare”, apo “kujtime”, si jofiksion? Kjo është ajo se si ato etiketohen. Disa janë të pabesueshme për shkak se ato bazohen mbi kujtime të shtypura. Shumë prej protagonisteve njihen vetëm prej emrit. Disa libra janë bazuar mbi “njohje të fshehtë”. Disa, si libri i Norma Khouri-t, Honor Lost (Nder i humbur), janë ekspozuar si sajesa.[13] Pothuajse të gjithë librat janë të shkruar bashkarisht me gazetarë ose shkrimtarë profesionistë të porositur (ghost writer). Për rrjedhojë, ata janë, në më të paktën, të ndërmjetësuar në mënyra të ndryshme. Deri në masën që ato mund të pasqyrojnë përvoja apo ndodhi të vërteta, ato janë po aq trazuese sa çdo incident abuzimi që ne lexojmë në gazetat tona, në rastet ligjore, apo në rastet studimore psikologjike të sjelljes patologjike.
Por librat bëjnë çmos që të mos na lejojnë ne të bëjmë krahasime të tilla. Ndonëse ato rrëfehen në vetën e parë të grave individuale, traumat dhe abuzimet që ato katalogojnë nuk u paraqiten lexuesve si unike për këta individë. Ato kontekstualizohen gjithnjë nga kultura – detajet autentifikuese të të shtyrit me vështirësi të jetës në një majë të zhveshur mali në Jemen; ngjyrat ekzotike të dasmave dhe ekzorcizmat ekzotike marokene; bollëku i izoluar i pallateve të Arabisë Saudite; qelat e lagështa të komuniteteve imigrante pakistaneze në veri të Anglisë; fushat e Palestinës rurale. Vendosja e këtyre vendodhjeve i shënon abuzimet si kulturore ose kolektive. Pa ofruar një tablo të përgjithshme të komuniteteve në të cilat jetojnë heroinat tona, meqenëse ato janë “thjesht” histori personale, këto memoare, apo kujtime, nuk mund t’iu japin lexuesve ndonjë shenjë se abuzime të tilla mund të jenë përjashtime, apo se ato mund të gjykohen po aq të tmerrshme në këto komunitete sa ç’do të ishin në komunitetet tona. Pa këtë informacion kontekstual, ne shtrëngohemi që t’ia mveshim këto abuzime të gjithë kulturës në procesin selektiv që Leti Volpp, teoricieni ligjor, e ka quajtur “të fajësuarit e kulturës për sjelljen e keqe.”[14]
Përkundër mesazhit të uniformitetit që përçojnë kopertinat e tyre të imituara fije për pe nga njëra tjetra dhe që nënkupton ky kornizim kulturor, për dikë si unë që ka njohuri të thella mbi llojet e komuniteteve apo vendeve në të cilat ato janë vendosur, këto histori duken rrënjësisht specifike. Kur i bën një lexim përkundër asaj që autori kërkon të përçojë, ka madje edhe një mori shenjash se ato janë të pavenda dhe përjashtuese, madje edhe në qoftë se bazohen në të vërtetën. Merrni trilogjinë e memoareve, apo kujtimeve, që fillon me Sold (E shitur) e cila tregon rrëfenjën e tmerrshme të dy vajzave “të shitura” për martesë në Jemen. Këto janë bijat e një nëne britanike nga gjiri i klasës punëtore dhe i një babai të dhunshëm kumarxhi, një emigrant jemenas ky. Ndonëse batakçiu në fjalë është burri i pashpirt arab (kjo ishte para 11 shtatorit, kështu që myslimanët nuk ishin bërë akoma detyrimisht armiku, dhe ky ishte momenti i Luftës së Gjirit), memoaret, apo kujtimet, përmendin se familjet të cilat “blenë” nuset në moshë minore ishin nga një grup i përçmuar. Kalimthi shënohet se ky është një vend i varfër ku tre të katërtat e burrave dalin nga shtëpia thjesht për të kërkuar punë. Sigurisht, kjo duhet të prodhojë detyrimisht një situatë të pazakontë për gratë, pa përmendur pakicën e meshkujve që kanë mbetur pas.
Pra, këto histori përdorin të gjitha një situatë të veçantë pa e nxjerrë në pah specificitetin rrënjësor të saj apo mungesën e përfaqësimit, dhe pa dhënë asnjë kontekst. Rezultati është se këto libra best-seller që spekulojnë me imazhet e varësisë së plotë prej skllaveje – Sold (E shitur) e Zana; seria vijuese A Promise to Nadia (Një premtim për Nadian); dhe mëma e tyre Without Mercy: A Mother’s Struggle against Modern Slavery (Pa mëshirë: Lufta e një nëne kundër skllavërisë moderne) – bëjnë që lexuesi të pandehë se martesa e detyruar është normale në këto komunitete, dhe se gratë lipsen shpëtuar medomeos nga të huaj që vijnë nga jashtë këtij konteksti.[15]
Ky zhanër është i karakterizuar nga po të njëjtat tema: shtrëngimi dhe mungesa e miratimit, apo pëlqimit, mungesa e zgjedhjes, dhe joliria. Për të dhënë aromën e këtyre veprave dhe për të sugjeruar se si loja karakteristike me forcën mund të ndikojë te lexuesit, unë ia nis me një skenë tipike. Ajo është nga Sold (E shitur) me autore Miriam, nëna e dy vajzave dhe e shkruar me qëllimin për të shpjeguar përse asaj i është dashur të marrë arratinë nga babai mizor jemenas i shtatë fëmijëve të saj. Ajo sapo ka zgjedhur që të sterilizohet. Bashkëshorti i saj kthehet në shtëpi i dehur, dhe ajo përballet me të sërish në lidhje me dy vajzat e saj të humbura. Ai i thotë asaj që t’i harrojë ato, dhe e kyç atë në dhomën e saj. Miriami rrëfen:
Tani ai ishte afër, i kërrusur mbi mua, me frymën e tij me birrë që më gllabëroi. E tmerruar, u ula mbi kanape. Ai u afrua edhe më tepër, dhe zgjati dorën. Unë ia qëllova furishëm, me shpresën se ai do të largohej. Por jo! Më ngriti, me gishtin e madh dhe gishtin e mesit rreth fytit tim. U rreka t’ia tregoja vendin, dhe e shtyva duke e hedhur në dysheme. Ai më rroku prej robëdëshambrit në një përpjekje të kotë për t’i shpëtuar rrëzimit, duke e çarë pëlhurën më dysh, duke e grisur gjer në fund…. “Hiqi rrobat! Të gjitha!”, hungëriu thellësisht Mutheneja.
… Sytë e tij gjarpëruan mbi trupin tim, duke u fiksuar mbi vragën që më kishte lënë ndërhyrja kirurgjikale për të më sterilizuar. Zgjati dorën dhe preku mishin e vrarë… Bëra ta qëlloja sërish me shuplakë në dorë, kur, krejt papritmas, ai më kapi dorën nga kyçi dhe më hodhi përdhe, duke me rrokullisur mbi shpinë dhe duke m’u hedhur menjëherë përsipër me një lëvizje sa hap e mbyll sytë. Mbylla sytë fort dhe mblodha grushtet në anë. Qëndrova shtrirë e ngurtësuar në dysheme teksa ai kënaqej, duke klithur në kënaqësinë e tij, teksa unë ulërija në turpin tim.[16]
Përdhunimi martesor mishëron mungesën e miratimit, apo pëlqimit, pikërisht siç bën edhe martesa e shtrënguar, praktika që ka rrokur imagjinatën dhe ka mobilizuar përpjekjet e grupeve të grave dhe të zyrtarëve qeveritarë aneskaj Europës. Një nga trajtimet më të plota të kësaj dukurie në pulp nonfiction vjen nga Franca.
Married by Force (E martuar me detyrim) nga Leila (pa mbiemër) është me një përmbajtje madje edhe më erotike në dhunën e saj se sa rrëfimi i Miriam-it. Historia e një vajze të trazuar franceze me prindër marokenë, libri rrëfen incidentet e dhunës dhe mizorisë së tmerrshme në familjen në të cilën rritet Leila. I ati i saj është një ithtar i disiplinës; vëllezërit e saj janë abuzivë. Ajo dëshiron të jetë si vajzat franceze, por ata nuk ia lejojnë. Prindërit e saj e detyrojnë të martohet me një burrë nga Maroku, një bashkëshort që ajo e urren. Ajo ka një ballafaqim të frikshëm me një imam manjak seksi, i pajtuar në punë për ta ekzorcizuar atë për shkak se ajo kundërshton. Njëlloj si Zana, heroina e Sold (E shitur), Leila më në fund arratiset nga martesa e saj e detyruar dhe gjen lirinë. Pikërisht atëherë ajo na tregon historinë e saj.
Përgjatë rrugës, lexuesi gostitet me disa skena të llahtarshme ndërmjet bashkëshortit dhe bashkëshortes. Duke u përpjekur dëshpërimisht me të gjitha mjetet për ta provokuar atë që ta divorcojë, Leila e ngacmon dhe e ofendon të shoqin në mënyrë të pamëshirshme. Kjo shpie në një skenë kulminante. Leila rrëfen: “Një mbrëmje, në mesnatë, unë po bëja qetësisht një banjë për t’u relaksuar dhe kisha harruar të kyçja derën e banjës. Ai filloi të niste një zënkë: unë në banjo, ai në anën tjetër të derës, plot dashakeqësi.” Ata këmbejnë fyerje derisa ajo i zbulon atij një sekret në lidhje me nënën e tij. Ai merr në telefon Marokun për ta konfirmuar dhe pastaj është “i bërë xhind, me sytë që gati sa s’i dilnin nga koka. ‘Ah moj kuçkë e ligë, ah moj ndyrësirë, hape këtë derë!’”
Ai e hap me forcën derën e banjos dhe ia zhyt asaj kokën në ujë. Ajo ia gërvisht fytyrën. Ai e flak atë në dysheme dhe e qëllon sa me grushta, sa me shkelma, duke bërtitur: “Kjo është ajo që do? Na, merre këtë, edhe këtë.” Ajo përshkruan ndjenjat e saj, e shtrirë zhveshur në dysheme, dhe pasi është rrahur, me një metaforë çuditërisht krejt pa vend që ka për qëllim ta pozicionojë këtë martesë të keqe pikërisht në kontekstin specifik të barbarizmit islamik: “Ishte turpërimi, poshtërimi dhe tmerri i plotë i një gruaje që e qëllojnë me gurë deri në vdekje.[17]
Një pornografi e vartësisë së plotë myslimane
Në një tjetër libër, kësaj radhe të mbarsur edhe me me tepër imagjinatë, të iluminuar nga një heroinë e ngjashme e cila ka një dobësi për uiskin dhe psonisjen ekstravagante në Bergdorf Goodman, tema e detyrimit fshikullohet gjithashtu edhe mbi burrat e Lindjes së Mesme. Desert Royal (Shkretëtira Mbretërore) është i katërti i një kolane popullore librash që prezantohen si rrëfime në vetë të parë (siç u janë rrëfyer Jean Sasson) të “Sulltaneshës”, një princeshë e pasur feministe nga Arabia Saudite e cila dëshiron të ekspozojë përpara botës se çfarë po ndodh në të vërtetë në shoqërinë e saj saudite. Libri përmban ndodhi që ngërthejnë jolirinë esenciale të grave atje. Një ngarkesë seksuale e përshkon atë në çdo faqe.
Skena më sensacionale është një vizitë që Sulltanesha dhe dy bijat e saj adoleshente i bëjnë një kushëriri të largët. Ato kanë dëgjuar thashetheme se ai ka ndërtuar një pallat spektakolar për të imituar Parajsën, dhe ato dëshirojnë ta shohin. Vizita e tyre del një katastrofë e vërtetë. Përveç se gjejnë mijëra zogj të ndryer në kafazë që njëra bijë dëshiron t’i lirojë dhe t’i marrë me vete (një simbolizëm shumë i hollë ky), ato ndeshin një pavion që mban mbishkrimin “Stallë”. Teksa ato kërkojnë për kuaj e pela, bija tjetër zbulon një “harem” me skllave seksi nga Azia. Këto vajza të reja ruhen nga një eunuk sudanez, që është ekzotik dhe xhuxh. Sikundër shpjegon Sulltanesha në dënimin në dukje të paanshëm që ajo i bën patriarkalizmit: “E dija se nuk ishte një çështje e lehtë që të vendosesh ndërmjet burrave dhe epsheve të tyre seksuale. Është prirja e natyrshme e shumë burrave, dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme, që të vihen në kërkim të vajzave apo grave si pushtime seksuale.”[18] E megjithatë, ajo hamendëson se zotëruesi i tyre i kamur i do këto vajza për një arsye të veçantë kulturore. Në sytë e tij, ajo sugjeron: “Këto vajza të reja ishin si virgjëreshat ngashënjyese të quajtura “hyrije”, që përshkruhen në Kuran. Mua më hyri dyshimi se po vështroja një skenë që kishte për synim të ofronte kënaqësi të parrëfyera për Fadelin. E megjithatë, kjo duhet të jetë skena e ferrit të papërshkrueshëm për këto gra të mbajtura përkundër vullnetit të tyre.”[19]
Oreksi publik për përshkrime të tilla të trajtimit të ndyrë dhe mizor të grave nga burra myslimanë dhe arabë është turbullues. Ndryshe nga shumë etnografi të mira që përshkruajnë jetën e përditshme të grave në këto vende, këto “memoare”, apo “kujtime”, të vuajtjes së grave myslimane të shtypura gëzojnë një popullaritet spektakolar dhe jetëgjatë, duke shitur miliona kopje dhe duke vijuar me botime të shumta. Më turbulluese është referenca e vazhdueshme ndaj seksit. Fokusi mbi abuzimin seksual ka bërë që disa prej shkrimtarëve aktivistë të kujtimeve, apo memoareve, të fitojnë çmime. Rasti më i çuditshëm është ai i Hannah Shah, autore e The Imam’s Daughter (E bija e imamit). Ajo doli në publik në vitin 2009 me historinë e saj të tmerrshme të abuzimit seksual nga babai i saj, një imam në Anglinë Veriore, me origjinë nga viset rurale të Pakistanit. Ajo thotë se flet para mbledhjeve me 5.000 persona.[20]
Çfarë i bën këto libra kaq joshës dhe autoret e tyre kaq të dëgjuara kur shkrimi është shpeshherë i tmerrshëm dhe historitë kaq ekstreme? Për ta kuptuar këtë, unë them se ne duhet t’i vendosim ato në kontekstet në të cilat ato po lexohen. Këto libra janë të ngërthyer në një fushë politike ndërkombëtare të ngarkuar në të cilën arabët, myslimanë, dhe të tjerë njerëz me identitete të veçanta shihen si rreziqe për Perëndimin. Feministet të cilat shkruajnë përshkrime të shkurtra mbi kopertinat e këtyre librave të sforcuar e të panatyrshëm shpesh janë të asociuara me grupe të krahut të djathtë dhe grupe zioniste. “Letra personale” nga Sulltanesha që shërben si parathënie e Desert Royal angazhohet hapurazi me politikën ndërkombëtare, duke e konturuar librin si një ftesë për Perëndimin. “Unë shpresoj që ju të mos jeni të lodhur së dëgjuari rrëfenjat tona tragjike, pasi ne po fitojmë copëza të vogla lirie aty këtu, dhe ne nuk reshtim së paturi nevojë për vëmendjen dhe përkrahjen tuaj … Pa vëmendje mediatike dhe ndërhyrje politike nga vise të tjera, pjesa më e madhe e burrave tanë do të ishin mëse të gëzuar që të riktheheshin në një kohë të territ të plotë për femrat që jetojnë në Arabinë Saudite.”[21]
Që librat për arabët e këqij të cilët detyrojnë dhe skllavërojnë vajza kanë një vend të posaçëm në politikën e imigrimit europian, kjo zbulohet nga pritja entuziaste e librave të tillë në Francë. Tre prej klasikëve të këtij zhanri u botuan ose u reklamuan fillimisht atje: Burned Alive (E djegur për së gjalli), kujtimet nga “Souad” dhe Jacqueline Thibault e një të mbijetuare palestineze të vrasjes së nderit; Sold (E shitur), libri nga Zana Muhsen dhe Andrew Crofts në lidhje me vajzat në Jemen, që u bë një best-seller mbas shfaqjes së saj në një talk-show francez të orës më të ndjekur televizive (prime time); dhe Married by Force (E martuar me forcë), nga “Leila” dhe Marie-Therese Cuny. Ankthet franceze për imigrantët afrikano-veriorë janë vçanërisht intensive, duke qenë se këta myslimanë arabë përbëjnë një nënklasë postkoloniale në getot (banlieues) që nuk gjejnë prehje.[22] Në studimin që ajo i ka bërë politikës së humanitarizmit në Francë, Miriam Ticktin heq një paralele nga bota reale dhe thotë se kjo gjë nuk është befasuese për një vend ku presidenti i asaj kohe, Nicolas Sarkozy, i kishte ofruar mbështetjen e Francës “secilës gruaje të martirizuar në botë.”[23]
Në Britani gjatë dekadës së kaluar – me trupa të dislokuara në Irak dhe Afganistan, me shpërthimet e histerisë publike kundër çështjes së gjykatave të arbitrazhit të bazuara në Sheriat, dhe me burkat, me frikërat e fanatizmit të rritur brenda Britanisë të nxitura nga bombat e sulmit të 11 korrikut, dhe me agjitacionin feminist që shpie në legjislacion kombëtar kundër krimeve të nderit dhe martesës së detyruar – janë pakistanezet, jo arabet, që kanë dalë si autore të reja të këtyre memoareve, apo kujtimeve. Disa prej të njëjtave apo të njëjtëve shkrimtarë me porosi të cilët kanë punuar me arabet, tani punojnë me këto të fundit.
Elementi pornografik i këtyre memoareve, apo kujtimeve, ka qenë befasues për mua. Kjo dinamikë është më e qartë në një libër të botuar në Britani në vitin 2009 që sfidon më drejtëpërdrejtazi autoritetin e Islamit në një kohë kur histeria në lidhje me gjykatat e arbitrazhit të familjes ishte në kulmin e saj. I keqi në këtë rast është një imam i tmerrshëm dhe heroina është e bija e tij.
Tipike e skenave me pullë të kuqe të përdhunimit dhe abuzimit të kësaj çupëline nga i ati i saj, me sa duket ky një shtyllë i komunitetit mysliman të zonës, i cili e kyç atë në qelinë e krijuar për të punuar, është sa vijon: “Babi ishte si një grabitqar i llahtarshëm. Nuk e kuptoja kurrë se kur do të godiste. Njëherë isha në banjë, kur krejt papritmas Babi hyri brenda. E kyçi derën… Uli pantallonat e tij shallvare, dhe u plandos në nevojtore. Ai më detyroi që ta vështroja teksa ai filloi të prekte veten duke marrë frymë rëndë. U përpoqa të hiqja vështrimin, e neveritur, por ai më kapi prej flokësh dhe ma drejtoi fytyrën nga nënvetja me të përdhunë – kaq afër saqë unë mund të nuhasja atë aromën e tmerrshme si prej myku që më bënte gjithnjë si për të vjellë. Pastaj më rrëmbeu dorën dhe e vuri përreth mishit të tij.[24]”
Këtu në mund të shohim në qartësinë më të skajshme se si këto kujtime, apo memoare, kanë për qëllim të frymëzojnë tmerr dhe keqardhje, të pasuara nga admirimi për arratisjet drejt lirisë të heroinave të mbijetuara. Liria nënkupton arratisjen jo vetëm nga burrat myslimanë që i torturojnë ato, por edhe nga bashkësitë dhe kulturat e tyre. Autoret e biografive në fjalë rrëfejnë zemëratën e tyre, neverinë për veten dhe tentativat e vetëvrasjes; shpesh ato e përshkruajnë veten si adoleshente rebele. Kjo është diferenca feministe e fundit të shekullit të njëzetë dhe fillimit të atij të njëzetë e një, ku gratë zeshkane duket se dëshirojnë që simotrat e tyre të bardha dhe miqtë e tyre të bardhë t’i shpëtojnë ato, për të përshtatur një formulim të famshëm të Gayatri Chakravorty Spivak.[25] Në qoftë se këto vajza dhe gra myslimane nuk do të portretizoheshin se dëshirojnë atë që ne duam – dashuri, zgjedhje, dhe liri seksuale – duke parapëlqyer në vend të kësaj që të jenë bija të bindura që jetojnë në gjirin e familjeve të tyre, virgjëresha në martesë, bashkëshorte të devotshme që lidhen me bashkëshortët e tyre, apo individë fetarë që kërkojnë t’u qëndrojnë besnike idealeve morale të fesë dhe ligjeve të tyre, atëherë do të ishte e vështirë për lexueset perëndimore që t’i identifikonin ato. Do të ishte e vështirë për botuesit që të gjejnë audienca kaq të etura në qoftë se ata do të na ofronin gra e vajza të cilat do të sfidonin supozimet tona në lidhje me atë që ato duhet të dëshirojnë dhe çfarë është më e mirë për to. Në një rast të tillë, gratë perëndimore nuk do të ishin më shembujt për t’u ndjekur, dhe as nuk do të ishin të nevojshme. Ç’është më interesantja, kjo liri nuk prezantohet domosdoshmërisht si sekulare. Unë e kam gjetur The Imam’s Daughter (E bija e imamit) të shkruar nga Shah të reklamuar në një uebsit të quajtur ChristianBooks, ku libri përshkruhej si “një histori e vërtetë e një gruaje kurajoze e cila u çlirua nga shtypja kulturore dhe përqafoi një jetë të re në Krisht… Ajo u martua me njeriun që donte. Një rrëfim i shkëlqyer i hirit shpëtimtar të Perëndisë.”[26]
Të vetmet gra fetare të devotshme që figurojnë në këtë zhanër të rrëfimeve të “grave të shtypura myslimane” janë viktimat fatkeqe, të tradhëtuara hidhurisht nga Zoti i tyre i pagojë, të cilat shfaqen në shembujt më të skajshëm dhe më kontroversialë. Mobilizimi i pornografisë së vartësisë së plotë për politikën evropiane anti-imigrante shihet më së miri në një film të shkurtër që, faktikisht, shkëputet nga konvencionet e kulturës së rreme dhe specificitetit individual të këtij zhanri distopik. Konteksti është Hollanda në vitin 2004. Shkrimtarja është Ayaan Hirsi Ali. Vepra në fjalë është filmi njëmbëdhjetë-minutësh i titulluar Submission (Nënshtrimi) që e katapultoi autoren në sferën e famës dhe rezultoi në vrasjen e regjisorit të filmit, Theo Van Gogh.
Stili intelektual tipik i Hirsi Ali i të kërkuarit të hallkave shkakësore direkte ndërmjet ajeteve të dekontekstualizuara të Kuranit dhe abuzimit me gratë që ajo ka njohur në streha për gra e në fantazitë e saj i japin formë filmit. Ka katër personazhe: një grua e neveritur nga bashkëshorti të cilin ia ka zgjedhur familja, dhe e cila seksin martesor e percepton si përdhunim; një grua që duhet t’u nënshtrohet rrahjeve nga një bashkëshort xheloz, i cili edhe rend mbas grave të botës, për shkak se ai e mban atë financiarisht; një grua modeste me shami e cila i nënshtrohet incestit poshtërues nga një ungj; dhe një grua e cila fillimisht kishte rënë në dashuri, por më pas ishte braktisur nga i dashuri i saj, dhe më vonë ishte fshikulluar me kamzhik për kurvërim.
Filmi nënkupton se abuzime të tilla janë të sanksionuara nga Islami, në mos të shkaktuara drejtëpëdrejt prej tij, duke shpërfillur shekuj e shekuj të interpretimit – ekzegjet, juridik, dhe të përditshëm – të vargjeve kuranore në fjalë, dhe duke mos thënë asnjë fjalë për urrejtjen që shpreh tradita ligjore islame në lidhje me përdhunimin apo incestin, pa përmendur këtu neverinë që kanë të gjitha shoqëritë myslimane ndaj tyre. Kemi edhe vizualizmin pornografik të këtij filmi, që Annelies Moors e ka ngërthyer përsosurisht, duke e quajtur këtë film “orientalizëm hard core[27]”.[28]
Në qoftë se ne dëshirojmë të vlerësojmë joshjen e këtij zhanri, unë mendoj se ne duhet të ballafaqojmë këtë aspekt pornografik. Me Marcus Wood, studiuesi i cili ka analizuar atë që ai e quan pornografi plantacioni, ne mund të na lindë dëshira që të pyesim se cilat janë efektet e zhanrit të pornografisë – me objektifikimin që ajo i bën temave, dhe përshkrimin që i bën dhunës, dhunës seksuale, dhe vartësisë së plotë – kur ajo është e lidhur me një politikë racore dhe një trashëgimi të dominimit kolonial apo racor? Wood e hedh vështrimin në rolin e shkrimeve dhe pikturave të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, të vendosura shpeshherë në kontekstin e literaturës abolicioniste, që përshkruajnë abuzimin e trupave të zezakëve në tregtinë e skllevërve të Atlantikut, duke vërejtur se si ai derdhet në të tashmen si një “biznes vigan” që ka infiltruar në letërsi, në artet e bukura, në botimet popullore, në film, në video, si edhe në vartësinë e plotë dhe në disiplinën, por edhe në kulturat e sadomazokizmit në rrjetin e internetit.[29]
Wood tregon se sa qendror është ky zhanër pornografik për paraqitjen e shtrembërt të skllavërisë. Leximi që ai i bën klasikut të vitit 1790, Narrative of a Five Years Expedition against the Revolted Negroes of Surinam (Narrativë e një ekspedite pesë vjeçare kundër negrove kryengritës të Surinamit) shkruar nga John Gabriel, shpalos një efekt dyfish trazues: mënyra se si qëndrimi i tij ndryshon vazhdimisht “ndërmjet një indinjate morale të mprehtë dhe një vargu përpjekjesh për t’u lidhur emocionalisht me viktimat skllevër duke u përpjekur që të përvetësojë dhimbjen e tyre në mënyrë që të tregojë ndjeshmërinë e tij.”[30]
Ne gjejmë një indinjatë të ngjashme morale në pulp nonfiction në lidhje me gruan apo vajzën myslimane, të nxitur (dhe, ndoshta, të eksituar) nga dhunimet dhe dhuna e seksit. Por duke patur parasysh autoret gra (të gjitha “dikur” myslimane) dhe publikun e shënjestruar (gjerësisht femëror dhe, ndoshta, kryesisht jomysliman), ne mund të shohim inskenimin e një dinamike lehtësisht të ndryshme të identifikimit dhe përvetësimit të dhimbjes.
Lexueseve perëndimore këto libra u duken të bujshëm, mjaftueshëm mbërthyes për t’i blerë ato me miliona, dhe identifikimi i tyre me viktimat gra myslimane mund të jetë një identifikim feminist, i cili i jep atij një dinamikë lehtësisht të ndryshme se sa empatia habitshëm e ndërmjetësuar e tregtarit të skllevërve apo ish-tregtarit të skllevërve me viktimën skllave të abuzuar që gjendej në veprat e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë ose që qarkullonte në letërsinë abolicioniste. Unë mendoj se ne mund të shohim që këto libra prodhojnë një tmerr që garanton një sens të spikatjes morale dhe të virtytit feminist perëndimor. Një armik i përbashkët – patriarkia – duket se pohon motërninë, apo sisterhood. Por e përbashkët është burri mysliman kërcënues dhe pandreqshëm patriarkal që aktron skenarin e tij kulturor i cili qëndron si e keqja e qartë kundër së cilës një komunitet i tillë simotrash mund të lidhet. Ne e dimë se burra të tillë janë shënjestruar si armiqtë e forcave tona policore dhe e ushtrive tona. Kështu pra, ne duhet të shtrojmë pyetjen se si identifikime të tilla fshijnë rolet e lexuesve si kryerës të dhunës (për sa kohë që ato i përkasin një komuniteti të përfshirë në dhunë kundër myslimanëve jashtë dhe brenda vendit, që këto libra duket se e justifikojnë), pikërisht sikundër ata burra britanikë të cilët krijuan empati për viktimat skllave fshinë fajësinë e tyre racore dhe kombëtare.
A ndihmon ky zhanër në shfajësimin e këtyre kriminelëve, lotët empatikë të të cilëve u garantojnë moralitetin, madje edhe teksa të fantazuarit në lidhje me abuzimin i mban ata të ngërthyer? A u jep vuajtja e tyre imagjinare mbi të tjerët jo thjesht ndonjë lloj kënaqësie, por gjithashtu edhe garancinë e dallimit dhe ndarjes së plotë nga ata që vuajnë?
Të strukturuarit e dëshirave
Paraqitjet letrare të popullarizuara përkufizojnë këndvështrimet dhe strukturojnë ndjesitë për gratë myslimane dhe të drejtat e tyre. Ky Orientalizëm i ri është komercial dhe në botën tonë të masmediave këto gra myslimane ikona të abuzuara, por rebele, nderohen në qarqet elitare të Nju Jorkut, gjejnë paraqitje në revista luksoze, dhe financiohen me tepri nëpërmjet bamirësisë personale. Ato ngrohin zemrat e atyre që i promovojnë ato, shesin rrëfimet e tyre, dhe “vjedhin dhimbjen e tyre” për përfitim dhe komoditet personal.[31] Këto histori janë padyshim përbërësit kyçë në normalizimin e armiqësisë politike dhe ushtarake ndaj vendeve si Pakistani, Afganistani, Irani, Jemeni dhe Iraku.
Por analiza ime e natyrës befasisht pornografike të këtyre memoareve, apo kujtimeve, sugjeron se efektet e tyre më të qenësishme dhe më të rëndësishme janë mënyrat sipas të cilave ato përqendrojnë energjinë emocionale apo psiqike mbi lexuesit, sidomos gratë perëndimore, drejt një të vërtete emocionale të brishtë. A gjejnë ngushëllim këto lexuese në të qenit përmbi një vartësie të tillë të plotë, apo skllavërie të tillë të neveritshme? Të verbuara para historive të ngjashme që ndodhin në gjirin tonë, a gjenerojnë këto libra fantazi për mundësinë e autonomisë dhe lirisë nga një dhunë e tillë? Vuajeriste të mizorisë, a ndjejnë gratë lexuese se ato janë empatike dhe subjekte morale thjesht të ftuara për veprim nga ndjesia e tyre prej simotre dhe neveria e tyre për ata që nëpërkëmbin të tjerat e pafajshme, disa prej të cilave vetëm trembëdhjetë vjeçe? Njëlloj si keqardhja në adresë të atyre skllaveve fshikullimet dhe përdhunimet e të cilave humanistë evropianë si Stedman i vajtonin në imtësi ngjethëse, shqetësimet komplekse që frymëzon ky zhanër sot krijojnë një ndjesi virtyti dhe i japin pasion misionit të të shpëtuarit të grave në çdo skaj të botës, madje edhe me forcë në qoftë se është nevoja.
Kritikat e paraqitjes nxisin gjithnjë pyetje në lidhje me atë se si mund ta kuptojmë ne botën përndryshe. Nuk ka dhe fort rëndësi fakti nëse këto memoare, apo kujtime, janë të vërteta apo fiksion, trill; çështja për mua është se si funksionojnë ato në botën ku ndërfuten. Unë vërtet mendoj, megjithatë, se është e rëndësishme që të ofrojmë alternativa. Në librin tim, unë paraqes jetët dhe historitë personale të grave të zakonshme që kam njohur në Egjipt për të ofruar një lloj perspektive. Por mund të hidhet vështrimi edhe në zhanret e afërta për të fituar një ndjesi të një të vërtete alternative. Është e çuditshme, për shembull, se si historia personale e Ayan Hirsi Ali është e sendërtuar që të ndjekë këtë skenar dhe të ushqejë këtë pasion. Heroina ideale e këtij zhanri, na rrëfen ajo, është e rrahur, e shtypur dhe është e detyruar që të martohet. Mandej ajo është arratisur drejt lirisë. I është dhënë azil në Hollandë, ajo zbuloi arsyen sekulare, dhe hoqi dorë nga robëria ndaj Islamit. Ajo duket se është mishërimi autentik i kësaj viktime të abuzuar të ngërthyer ndërmjet forcës dhe shpagimit nga Perëndimi.
E megjithatë, unë mendoj se ne mund ta përdorim autobiografinë e saj, Infidel (Qafirja), për t’i shkokolepsur çështjet. Në të, ne zbulojmë evidenca se sa të ndërlikuara mund të jenë jetët dhe botët sociale të grave. Infidel nuk mund të përmblidhet në konturin e historisë që Hirsi Ali mbron në lekturat e saj publike dhe deklaratat e saj ekstreme. Së pari, ne mësojmë se ajo nuk është përdhunuar asnjëherë dhe se as nuk shtrënguar që të martohet. Ç’është e vërteta, ajo ia paska mbathur një herë me një kushëririn e saj. Ballafaqimi i saj me “Islamin” ishte ambivalent. Në adoleshencën e hershme, ajo ra nën tundimin e një mësuesi ngashënjyes islamist në shkollën e saj në Kenia. Ajo vullnetarisht i flaku tutje petkat e saj normale për të veshur një mantel të madh të zi dhe shpjegon se kjo e bëri atë që të ndihej e fuqishme. Askush nuk e shtrëngoi atë që të ndiqte mësimet fetare. Në këtë rrëfim autobiografik, ajo regjistron në imtësi të mrekullueshme si diferencën vigane ndërmjet idealeve islame dhe praktikave islame të familjes së saj somaleze dhe të sauditëve në mesin e të cilëve ata jetuan për pak kohë, ashtu dhe tensionet specifike që lindën në vitet 1980 dhe 1990 ndërmjet formave më tradicionale të Islamit dhe lëvizjes së re selefiste të sjellë nga Vëllazëria Myslimane në Kenia, Somali dhe gjetiu.
Një histori alternative madje edhe më shpalosëse në lidhje me atë se si konsiderohen gratë myslimane – sa i takon vlerës së pëlqimit dhe njohjes së saj – është një incident që Hirsi Ali e përshkruan se ka ndodhur në Hollandë mbasi asaj iu dha azil (sot ne e dime se ishte me arsyetim të rremë). Sapo babi i saj mësoi për vendndodhjen e saj, burri që ai e kishte ujdisur më herët që të martohej me të në Nairobi erdhi me avion nga Kanadaja për të zbuluar përse ajo nuk kishte ardhur për t’iu bashkuar atij. Ajo i tha atij se nuk do të shkonte në Kanada me atë dhe as nuk do të bëhej gruaja e tij. Ai u rikthye disa ditë më vonë, duke thënë se ishte konsultuar me të atin e saj dhe ata kishin rënë dakord që të kryenin një takim formal të pleqësisë së njerëzve më të shquar të klanit, të cilët jetonin në Evropë. Bashkëshorti mbërriti të nesërmen me dhjetë burra të denjë, përfshirë “Princin e Kurorës” të klanit. Secili prej tyre e mori fjalën me radhë, kallëzon ajo, dhe foli në lidhje me nderin, martesën, luftën civile, dhe cilat janë vlerat që duhet të mbrohen. Në fund, princi tha: “Tani ne do të pushojmë kështu ti mund të mendohesh gjerë e gjatë rreth kësaj.” Ata propozuan që të rimblidheshin të nesërmen për të dëgjuar përgjigjen e saj, por ajo tha se ishte gati ta jepte aty për aty vendimin. Refuzimi i saj u pasua nga një seri pyetjesh në lidhje me arsyet e përgjigjes negative. Më në fund, duke huazuar një koncept kyç nga Kurani, ajo tha: “Është vullneti i shpirtit… Shpirti nuk mund të shtrëngohet.” Princi iu përgjigj: “Unë e respektoj këtë përgjigje. Besoj se të gjithë ne duhet ta respektojmë atë.” Dhe me këtë, bashkëshorti i saj u pajtua që të divorcohej. “Më pas, të gjithë burrat u ngritën në këmbë,” raporton ajo, “dhe njëri pas tjetrit secili prej atyre burrave më shtrënguan duart më të dyja duart e tyre, dhe u larguan. Ata ishin plot respekt.”[32]
Kjo është një procedurë befasuese, por edhe një vendim befasues, për një komunitet që Hirisi Ali dëshiron të na bëjë të besojmë – në veprat e saj, si filmi Submission (Nënshtrimi) dhe libri The Caged Virgin: An Emancipation Proclamation for Women and Islam (Virgjëreshë në kafaz: Një deklaratë emancipi për gratë dhe Islamin) – se është nën ndikimin e një feje të pakorrigjueshme që abuzon dhe denigron gratë. Dy vizione janë në konflikt me njëri tjetrin në Infidel (Qafirja). Njëri është një pasqyrim i vëzhguar nga afër dhe i ndjerë sinqerisht i përvojave të pasigurta dhe kontradiktore të një vajze të veçantë në një familje somaleze të veçantë me rrethanat e saj unike, tensionet, tragjeditë, cënueshmëritë, dhe përpjekjet e rrezikshme për të ruajtur jetën dhe dinjitetin në kohëra sprovuese. I dyti është një përsëritje obsesive e një formule që qëndron përfund këtyre përpjekjeve prekëse. Kjo formulë gjeneralizon në lidhje me atë se çfarë do të thotë Islam dhe çfarë u bën ai njerëzve. Formula në fjalë e vendos Perëndimin e iluminuar dhe të lirë kundër shoqërive myslimane të prapambetura dhe të skllavëruara. Historia vendos në lëvizje kundërvënie të thjeshta ndërmjet zgjedhjes dhe vartësisë së plotë, forcës dhe miratimit.
Lidhjet e dashurisë
Është e rëndësishme që ne të mos joshemi nga fiksionet zymtësisht tërheqëse të pulp nonfiction-it që garantojnë bonsensin i cili i lidhë ato publikisht me gjuhën e të drejtave të njeriut. Historia e motrës më të vogël, Nadias, e cila refuzon përpjekjet e nënës së saj për ta shkulur atë nga “skllavëria” e saj në Jemen në trilogjinë që fillon me Sold (E shitur), për shembull, na jep disa të dhëna kyçe në lidhje me një mënyrë alternative të të menduarit sa i përket vlerave kyçe të zgjedhjes dhe miratimit.
Unë dua të paraqes këtu një vëzhgim të rëndësishëm: jeta është e ndërlikuar për të gjithë ne. Nuk është asnjëherë e lehtë që të dallojmë pastërtisht lirinë dhe detyrën, miratimin dhe vartësinë e plotë, zgjedhjen dhe shtrëngimin. Nëna e vajzave, Miriam, nuk arrin të shohë se e bija e saj është thellësisht e dërrmuar. Ajo ka pesë fëmijë të vegjël të cilët ajo do të duhet t’i lërë pas, ata janë fëmijët legjitimë të një babi jemenas. Sidoqoftë, në cilat mënyra kjo jetë në një mal shterpë është bërë jeta e vërtetë e Nadias? Ajo ishte vetëm trembëdhjetë vjeç kur u largua nga Birmingami dhe nga një fëmijëri e palumtur. Ajo jeton në varfëri në Jemen, kjo është e vërtetë. Por duhet marrë në konsideratë mundësia se arsyeja përse ajo nuk resht së rezistuari ndaj lutjeve të nënës së saj është se ajo më mirë do të preferonte të rriste fëmijët e saj dhe të ishte një grua e martuar dhe pjesë e komunitetit të bashkëshortit të saj, se sa të shpërngulej drejt “lirisë” së një jete të panjohur në Angli, e torturuar pafundësisht nga humbja e fëmijëve të saj. Sa gra zgjedhin të qëndrojnë në një martesë të keqe për shkak të fëmijëve të tyre, sepse i duan ata? Çfarë kuptimi ka liria apo zgjedhja nën kushte të tilla? Po ata prej nesh në skajin tjetër të ciklit të jetës të cilët po përkujdesen për prindërit e moshuar? A jemi ne të lirë? A është kjo një zgjedhje?
Trilli se cilido prej nesh mund “të zgjedhë lirisht” mbahet duke evokuar ata në toka të largëta të cilët jetojnë në skllavëri, apo vartësi të plotë, pa të drejta, vullnet veprimi, apo aftësi për të refuzuar apo për t’iu arratisur seksit apo dhunës. Fakti se në demokracitë liberale debate më polemizuese shtillen rreth faktit se si duhet të ekuilibrohet zgjedhja kundër të mirës publike – në shkollim, kujdes shëndetësor, ndihmë sociale, apo në kontrollin e armëve – duket gjithashtu se humb në këtë kontur historie. Kjo është arsyeja përse unë mendoj se këto memoare, apo kujtime popullore kanë një joshje të tillë. Prandaj ato duket se kanë ardhur në imagjinatën tonë publike në të njëjtën kohë që ka dalë edhe bonsensi i ri i cili pretendon se ne duhet të shkojmë në luftë për gratë myslimane.
Historitë në lidhje me kompleksitetin e zgjedhjes dhe dëshirave për atë që ne mund të mos duam do të trondiste sigurinë tonë morale në lidhje me disa vlera të çmuara të liberalizmit që janë janë shpërndarë në ligjërimin e të drejtave të njeriut. Bashkë me Talal Asadin[33], unë do të argumentoja se ne nuk duhet flakim tutje këto vlera si instrumente të ndërhyrjeve të reja perandorake.[34] Ne duhet ta marrim seriozisht këtë gjuhë të drejtësisë. Ajo i jep trajtë bonsensit të rij në lidhje me të shpëtuarit gratë myslimane, për shkak se ajo, siç do ta thoshte vetë Asadi, ka prodhuar persona politikë në botë të cilët ndajnë këto vlera dhe flasin këtë gjuhë. Zgjedhja, miratimi, dhe liria janë gramatika e saj. Çfarë lejon dhe çfarë nuk lejon kjo gramatikë?
Si një antropologe, puna e së cilës është të kuptojë se si individët formohen brenda kontureve të kulturave dhe botëve të tyre sociale, unë kam qenë gjithnjë e kujdesshme për koncepte sikundër është “zgjedhja”. Kategoria ligjore e “miratimit” që e shoqëron atë parashtron probleme të ngjashme për këdo që ndalet e mendon se si ne e shkojmë jetën. Dhe çfarë domethënie kanë për ne marrëdhëniet intime. Ëndërrat liberale si ato të gjetura në Nenin 16 të CEDAW (Konventa mbi Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave) në lidhje me barazinë që gratë dhe burrat duhet të gëzojnë në marrëdhëniet martesore dhe familjare më godasin a thua se janë fiksione trazuese. Një gurthemel i CEDAW është se gratë duhet të kenë “të njëjtën të drejtë për të zgjedhur lirisht një bashkëshort dhe për të hyrë në martesë vetëm me miratimin e tyre të lirë dhe të plotë”.[35]
Çfarë do të thotë të zgjedhësh lirisht, apo të miratosh lirisht? Këto janë pyetje të vështira për martesën. Në mbarë Egjiptin gjatë njëzet viteve të fundit, vajzat në komunitetet e ndryshme rurale kanë zhvilluar njohuri për të drejtat e tyre në ligjin islam. Ato kanë përdorur këtë dije për të sfiduar rregullimin zakonor të martesave nga familjet duke drejtuar gishtin te kërkesa e miratimit nga ana e tyre. Përpjekje paralele janë bërë në mbarë botën myslimane nga reformiste feministe të llojeve të ndryshme, nga sekulare dhe islame, për të bërë zgjedhjen, miratimin, dhe kontratën instrumente për të garantuar të drejtat e grave në martesë. Në Afrikën e Veriut, për shembull, reformistet feministe zhvilluan një kontratë martese model që do të përmbante edhe kërkesat për dhënien e pëlqimit nga ana e gruas në rast të vendimit të bashkëshortit për të marrë një grua të dytë. Në Indi dhe Egjipt, ka patur fushata për reformë ligjore të ligjit të familjes myslimane që do të vendoste të drejtat e grave për të nisur procedurat e divorcit.
Megjithatë, të vendosurit në fuqi të parimit të dhënies së pëlqimit, apo të miratimit, nuk i zgjidh ndërdyshjet me të cilat përballen vajzat e reja teksa ato përpiqen të vendosin se me kë do të martohet apo nëse do të martohen. Në një fshat në Egjiptin e Epërm, ku unë kam punuar për njëzet vjet, vajza pyetet gjithnjë sa herë që në shtëpi vjen një propozim për martesë. Por si e formojnë këto vajza opinionin e tyre? Shumëçka duhet peshuar me kujdes. Ndonjëherë, janë lutjet e veçanta që të ndihmojnë. Martesa nuk është një punë e vogël dhe është e vshtirë që të dish se çfarë na rezervon e ardhmja. Për cilindo prej nesh.
Dilemat mëse njerëzore me të cilat përballen personazhet si Nadia në Jemen dhe vajzat e reja në fshatrat Egjiptian të cilat heqin dorë nga të martuarit për shkak se ato i kanë peshuar përgjegjësitë familjare si shumë më të fuqishme apo kanë patur një gjykim të gabuar rreth situatës – gra për të cilat unë flas në librin tim – i hapin rrugë mënyrave të reja të të menduarit në lidhje me zgjedhjet dhe liritë individuale. Në një ese të thellë mbi miratimin seksual në ligj dhe psikoanalizë, Judith Butler shkon përtej kritikave të zakonshme të miratimit ligjor për të vërejtur se miratimi nuk duhet të jetë thjesht një vlerë thelbësore liberale por pjesë e një fantazie të fuqishme të autonomisë.
Së këndejmi lind dhe atashimi që ne kemi me të. Në paragrafin përmbyllës të kësaj eseje, ajo na ofron një të vërtetë prekëse në lidhje me kufizimet me të cilat të gjithë ne përballemi. Fakti më bazik i ekzistencës sonë, na përkujton ajo, është se ne kemi lindur në familje që ne nuk i kemi zgjedhur dhe jemi të varur prej tyre. “Ne jemi përfundimisht krijesa të jetës, si edhe krijesa të pasionit,” thotë ajo, “dhe ne kemi nevojë për atë që ne nuk e kuptojmë plotësisht dhe as nuk e zgjedhim dot plotësisht, dhe jetët seksuale dhe emocionale të të cilëve janë shënuar që nga fillimi nga të qenit i lidhur me njëri-tjetrin me padije dhe në nevojë.”[36]
Këto fjalë na japin një mënyrë të ndryshme për të filluar për të menduar në lidhje me gramatikën përçarëse që ligjërimi i të drejtave dhe pulp nonfiction-i pornografik imponojnë. Këtu gjejmë disa koncepte universale që nuk janë normative dhe nuk pretendojnë të jenë abstrakte, duke fshehur me kujdes mendjengushtësinë dhe politikën. Unë jam e interesuar në këto lloje koncepetesh universale që nuk na ndajnë ne artificialisht në ata që zgjedhin lirisht dhe ata që nuk zgjedhin lirisht, ata që gëzojnë liri dhe autonomitë, dhe ata që nuk i gëzojnë ato. Ky është bonsens, në qoftë se ne ndalemi të mendojmë. Por ky bonsens na vë në alarm për rolin e rrezikshëm politik që pulp noniction-i luan në botën tonë teksa ai nënshkruan një pasion për të shkuar në luftë për të drejtat globale të grave, duke dislokuar të drejtat e njeriut për të siguruar autoritet.
Të invokosh lidhjet universale të dashurisë, obligimit, familjes, dhe pasigurisë do të thotë të fillosh t’i japësh trajtë premisës se ne të gjithë kemi diçka të përbashkët si njerëz. Këto koncepte universale na lidhin tok së bashku në vend se të na ndajnë artificialisht në kultura në të cilat gratë zgjedhin lirisht dhe në ato në të cilat ato nuk zgjedhin lirisht, në shoqëri që mbrojnë me forcë të drejtat dhe ato nuk i mbrojnë. Është ky lloj humanizmi për të cilin kaq shumë prej nesh admirojnë Edward Said-in: Ai arriti të ishte si kritik i palëkundur i mënyrës se si pushteti dhe dija mpleksen, ashtu edhe fund e krye i bindur se ne duhet të aspirojmë për diçka më të mirë, për një botë jo të ndarë në Perëndim dhe Lindje. Nisur nga kjo, kam thënë unë, një botë e ndarë në vende ku gratë janë të lira dhe vende të tjera ku ato duhet të çlirohen, madje edhe me dhunë. Dhe të shtrojmë pyetjen se përse po na kërkohet që të shkojmë në luftë për gra që janë larg.
Përktheu: Ariol Guni
Shënimi i autores: Kjo lekturë ka përdorur si burim pjesë të ndryshme të librit tim, Do Muslim Women Need Saving? (A kanë nevojë për shpëtim gratë myslimane?) (Cambridge, Mass.: Harvard Univer-sity Press, 2013), i cili në momentin e mbajtjes së kumtesës ishte në shtyp.
Referenca
[1] Nicolas Kristof dhe Sheryl WuDunn, Half the Sky: How to Change the World (London: Virago, 2010), kopertina e pasme.
[2] Anthony Appiah, The Honor Code: How Moral Revolutions Happen (New York: W.W. Norton, 2010).
[3] Edward Said, Orientalism (New York: Random House, 1978).
[4] Miriam Cooke, “The Muslim woman,” Contemporary Islam 1, no. 2 (2007): 139-154.
[5] Lila Abu-Lughod, Do Muslim Women Need Saving? (Cambridge: Harvard University Press, 2013).
[6] Për një shtjellim të kësaj, shiko Lila Abu-Lughod, “Against Universals: The Dialectics of (Women’s) Human Rights and Human Capabili-ties.” Në Rethinking the Human, edituar nga J. Michelle Molina, Donald K. Swearer, dhe Susan Lloyd McGarry (Cambridge, Mass.: Center for the Study of World Religions, Harvard Divinity School, Harvard University Press, 2010).
[7] Vron Ware, “Info-War and the Politics of Feminist Curiosity: Exploring New Frameworks for Feminist Intercultural Studies,” Cultural Studies 20, no. 6 (November 2006): 526-551.
[8] Ky term vjen nga fraza pulp fiction¸që në anglisht do të thotë: “Fiksion që trajton tema sensacionale dhe ndytësisht të nxehta, shpesh të shypura në letër të trashë e me cilësi të ulët të prodhuar nga tuli i drurit.” Më tutje gjatë këtij shkrimi, do të përdorim termin në gjuhën angleze pulp nonfiction. Sh.p.
[9] Shiko Catharine A. MacKinnon, Are Women Human? And Other Inter-national Dialogues (Cambridge, Mass.: Harvard University Press, 2006); Charlotte Bunch, “Women’s Rights as Human Rights,” Human Rights Quarterly 12, no. 4 (1990): 486-498; Susan Moller Okin, Is Multiculturalism Bad for Women?, edituar nga Joshua Cohen, Matthew Howard, dhe Martha Craven Nussbaum (Princeton, N.J.: Princeton University Press, 1999); Martha Craven Nussbaum, Women and Human Development: The Capabilities Approach (Cambridge: Cambridge University Press, 2000).
[10] Dohra Ahmad, “Not Yet beyond the Veil: Muslim Women in Ameri-can Popular Literature,” Social Text 27, no. 99 (2009): 105.
[11] Meyda Yegenoglu, Colonial Fantasies: Towards a Feminist Reading of Orientalism (Cambridge: Cambridge University Press, 1998); Malek Alloula, The Colonial Harem (Minneapolis: University of Minnesota Press, 1986); Annie Van Sommer and Samuel Zwemer, Our Moslem Sisters: A Cry of Need from Lands of Darkness Interpreted by Those Who Heard It (New York: F. H. Revell, 1907); Linda Nochlin, “The Imaginary Orient,” Art in America, May 1983; Edward W. Said, Orientalism (New York: Vintage Books, 1979); Rana Kabbani, Europe’s Myths of Orient (Bloomington: Indiana University Press, 1986). Për një analizë të frmave më bashkëkohore të Orientalizmit të gjinorizuar, shiko Roksana Bahramitash, “The War on Terror, Feminist Orientalism and Orientalist Feminism: Case Studies of Two North American Bestsell-ers,” Critique: Critical Middle Eastern Studies 14, no. 2 (2005): 221-235.
[12] Saba Mahmood, “Feminism, Democracy, and Empire: Islam and the War of Terror.” In Women’s Studies on the Edge, edituar nga Joan Wal-lach Scott (Durham, N.C.: Duke University Press, 2008).
[13] Norma Khouri, Honor Lost: Love and Death in Modern-Day Jordan (New York: Atria Books, 2003). Filmi dokumentar i Anna Broinowski, viti 2007, Forbidden Lie$, shqyrton këtë mashtrim.
[14] Leti Volpp, “Blaming Culture for Bad Behavior,” Yale Journal of Law and the Humanities 12 (2000): 89-116.
[15] Vron Ware ka shkruar mbi këta libra dhe mbi këtë incident në mënyrë të detajuar. Fatkeqësisht, unë nuk e kisha parë artikullin e saj të shkëlqyer derisa kisha mbaruar tashmë librin tim, Do Muslim Women Need Saving? Analiza e saj e rezonancave koloniale dhe politikave qytetërimore që përmban artikulli i gazetarit të Observer në lidhje me vajzat në Jemen eksplorohet në, “Moments of Danger: Race, Gender, and Memories of Empire,” History and Theory 31, no. 4, Beiheft 31: History and Feminist Theory (December 1992): 116-137.
[16] Miriam Ali me Jana Wain, Without Mercy: A Mother’s Struggle against Modern Slavery (London: Little, Brown, 1995), 88–89.
[17] Leila, me bashkëpunimin e Marie-Thérèse Cuny, Married by Force, përktheu Sue Rose, botimi i dytë (London: Portrait, 2006), 215-216.
[18] Jean Sasson, Desert Royal (London: Bantam Books, 2004), 124.
[19] Ibid., 130.
[20] Hannah Shah, The Imam’s Daughter (London: Rider, 2009), 270.
[21] Jean P. Sasson, Desert Royal (London: Bantam, 1999), 16.
[22] Shiko Nacira Guénif-Souilamas, “The Other French Exception: Virtu-ous Racism and the War of the Sexes in Postcolonial France,” French Politics, Culture & Society 24, no. 3 (2006): 23–41; Miriam Ticktin, Casualties of Care: Immigration and the Politics of Humanitarianism in France (Berkeley: University of California Press, 2011); Mayanthi Fernando, “Reconfiguring Freedom: Muslim Piety and the Limits of Secular Law and Public Discourse in France,” American Ethnologist 37, no. 1 (2010): 19.
[23] Miriam Ticktin, “Sexual Violence as the Language of Border Con-trol: Where French Feminist and Anti-immigrant Rhetoric Meet,” Signs 33, no. 41 (2008): 863–889. Ajo e zgjeron analizën mbi rastin e Zina në Ticktin, Casualties of Care. Citimi nga Sarkozy është në faqen 128.
[24] Hannah Shah, The Imam’s Daughter (London: Rider, 2009), 80-81.
[25] Gayatri Chakravorty Spivak, “Can the Subaltern Speak?” Në Marxism and the Interpretation of Culture, edituar nga Cary Nelson dhe Lawrence Grossberg (Urbana: University of Illinois Press, 1998).
[26] http://www.christianbook.com/the-imams-daughter-hannah shah/9780310325758/pd/325758?event=1036SPF|527742|1036.
[27] Hard core – term i përdorur në filmat pornografikë për të treguar se filmi ka skena të ekzagjeruara grafike.
[28] Ajo e shkroi skenarin për këtë film dhe e bëri atë me Theo Van Gogh, një kineast hollandez i njohur për gjuhën e tij të mprehtë dhe për pëlqimin e kontroversialitetit (përfshirë dhe, por jo e limituar në, komentet raciste që ai ka bërë në lidhe me imigrantët myslimanë). Për disa shtjelime të shkëlqyera, shiko veprën e antropologes hollandeze: Annelies Moors, “Submission,” ISIM Review 15 (2005); dhe Marc de Leeuw e Sonja van Wichelen, “Please, Go Wake Up!,” Feminist Media Studies 5, no. 3 (2005), 329.
[29] Marcus Wood, Slavery, Empathy, and Pornography (Oxford: Ox-ford University Press, 2002), 87.
[30] Ibid., 96.
[31] Sherene H. Razack, “Stealing the Pain of Others: Reflections on Canadian Humanitarian Responses,” Review of Education, Pedagogy, and Cultural Studies 29, no. 4 (2007): 375–394.
[32] Ayaan Hirsi Ali, Infidel (New York: Free Press, 2007): 207–209.
[33] (Të mos harrojmë se ky është një fjalim i mbajtur në një konferencë. Sh.p.)
[34] Talal Asad, “Redeeming the ‘Human’ through Human Rights,” në Formations of the Secular (Stanford, Calif.: Stanford University Press, 2003), 140.
[35] Shiko Abu-Lughod, “Against Universals.” Convention on the Elimi-nation of All Forms of Discrimination against Women, “General Rec-ommendations Made by the Committee on the Elimination of Discrimi-nation against Women,” Division for the Advancement of Women – Department of Economic and Social Affairs, June 12, 2009, http://www.un.org/womenwatch/daw/cedaw/recommendations/recomm.htm.
[36] Judith Butler, “Sexual Consent: Some Thoughts on Psychoanalysis and Law,” Columbia Journal of Gender and the Law 21, no. 2 (2011): 405-429.
Lila Abu-Lughod
Erasmusi / Janar 2017