A ka çmim “filozofia rugoviane”, unifikimi përkundrejt diversifikimit për çështje strategjike?

Rizvan Sulejmani

A ia vlen ta sakrifikojmë “demokracinë” në emër të luftës për liri? Gjegjësisht, a mos i ngatërrojmë ndoshta konceptet “liri” dhe “çlirim”, i pari në kuptimin liri individuale, i dyti si koncept i lirimit kolektiv nga okupimi prej jashtë. A e kemi idenë për lirinë pozitive dhe atë negative, e para në kuptim më të thjeshtuar si vetëkufizim, kurse e dyta si kufizim i imponuar për liri, prapë në kuptimin individual?

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Sot nëpër internet, broshura politike, punime shkencore në libra shkollorë e akademikë gjeni shkrime pa fund për veprimtarinë, vizionin, filozofinë, estetikën, kritikën letrare deri tek profili psikologjik e mental i Ibrahim Rugovës. Shumë prej tyre të bazuara në fakte, me metodologji studimi të vërtetuara, por ka edhe të tillë që në entuziazëm ose në dëshpërim nuk i përmbahen as etikës e as profesionalizmit në trajtimin e kësaj figure, që pa dyshim ka vendin e vet në historinë më të re shqiptare. Si një racionalist i tepruar, për shumëçka edhe defetist e skeptik, e kam respektuar e vlerësuar rolin e tij, por kur nuk e kam mitoligjizuar e hyjnizuar, bile në shumë raste kam pasur dozë kritike. Më kujtohen debatet e gjata pas shpalljes së pavarësisë, atë kohë i punësuar në Kosovë, dhe pyetjeve pa fund: a do na pranojnë?; kur do të na pranojnë?; çka thotë Europa?; çka thotë Amerika?, që pothuajse gjithmonë mbaronin me frazën e “E din Braha”. Por, ajo ishte kohë e regjimit, kur tërë mendimi politik ishte i ndikuar nga gjendje e një jete paralele, e rezistencës paqësore, ku secili në mënyrën e vet e jepte kontributin e vet. Edhe në aso rrethana, unë gjeja hapësirë të shtroj pyetje jostandarde për kohën dhe opinionin dominues të kohës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve për president kur Dr. Rugova i fitonte zgjedhjet me 99.7% të votuesve të dalur në zgjedhje (24 maj 1992), kurse partia e tij me 76%. Edhe në aso rrethana e shtroja pyetjen: a është e mundur që edhe neve, që e njihnim vetën për më të ngritur intelektualisht, të mendojmë e gjykojmë politikisht njësoj si ata që punojnë në “pakeraj”, vendi ku paketohej çimentoja në fabrikë, që zakonisht ishin punëtorë me nivel më të ulët arsimorë e standard jetësor? Të gjithë e votojmë Rugovën. Rrjedhimisht, pyetjen që më së shpeshti e shtroja ishte “A shkon përcaktimi se pavarësia do të fitohet përmes Europës në miqësi të përhershme me SHBA-në, me metoda demokratike, pa demokraci?. A mund të ketë demokraci pa alternativë, pa mundësi zgjedhjeje, pa oponencë, posaçërisht siç ishte rasti në zgjedhjet e vitit 1988, kur shumica e partive të Kosovës i bojkotuan ato?”. Përgjigja më e shpeshtë, bile edhe njëzëri, ishte “jemi në luftë, kjo është lëvizje, nuk na duhet përçarje, na duhet unitet”. Po, por a nuk mundet procesi i pavarësimit dhe demokratizimit të shkojnë bashkë? A ia vlen ta sakrifikojmë “demokracinë” në emër të luftës për liri? Gjegjësisht, a mos i ngatërrojmë ndoshta konceptet “liri” dhe “çlirim”, i pari në kuptimin liri individuale, i dyti si koncept i lirimit kolektiv nga okupimi prej jashtë. A e kemi idenë për lirinë pozitive dhe atë negative, e para në kuptim më të thjeshtuar si vetëkufizim, kurse e dyta si kufizim i imponuar për liri, prapë në kuptimin individual? Përskaj rrethanave objektive të sigurisë, ato socio-ekonomike që e determinonin funksionimin e jetës politike e ekonomike dhe ndikimin që e kishin në jetësimin e pluralizmit politik dhe të demokracisë, që pa dyshim i kam ndërmend, atëherë dhe sot mendoj se duhet hapur debat për këto çështje, gjë që nuk e kemi bërë. Së fundi, nga kjo distancë kohore, në rrethanat ekzistuese të shtetit të pavarur, kur kemi njerëz të akuzuar për “likuidim të oponentëve politikë” në Hagë, a mund ta shtrojmë pyetjen mos, ndoshta, rrënjët e kësaj janë lëshuar në atë kohë, kur në emër të çlirimit e sakrifikuam apo, më saktë thënë, na atrofoi demokracia? Bile ndoshta edhe sintagma e pranuar njëzëri, me përjashtime të vogla, “lëvizje paqësore”, “Gandi shqiptar”, mos ishte shkak i përplasjeve të grupeve të armatosura të dy krahëve, që filloi në kohën e luftës e vazhdoi edhe pas çlirimit, pasojat e së cilës i përjetojmë edhe sot? Apo ndoshta kjo është fatura që duhej paguar për thyerjen e një miti, të idesë se përmes “lëvizjes paqësore” dhe unitetit, unifikimit të mendimit për llogari të diversifikimit, demokratizimit në emër të çlirimit?

Përvjetori i 80-të i lindjes së Ibrahim Rugovës është një mundësi e mirë që, përveç homazheve, përkujtimit të momenteve më të ndritura të historisë sonë, ndoshta duhet së paku në qarqet akademike të hapen tema paksa më të ndjeshme, për ta zbardhur filozofinë e historisë politike të shqiptarëve të dekadave të fundit.

Në vazhdën e kësaj ndoshta na duhet pak më esëll të trajtojmë “filozofinë rugoviane”, aq të glorifikuar nga disa subjekte, intelektualë e individë, trashëgimtarë të partisë që ai e themeloi. Cila ishte filozofia rugoviane që sot po zbatohet me shumë mangësi, me gjasë që kurrë të mos realizohet? Apo, më e rëndësishmja, cila ishte viktima e parë e saj? Unë kam pasur fatin ta takoj dy herë presidentin Rugova, një herë si përfaqësues i partisë së parë shqiptare në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik, dhe një herë në kapacitetin e ministrit të qeverisë së Maqedonisë. Me fanatizëm, edhe sot e kësaj dite i ruaj guralecët nga trojet e Kosovës që m’i dhuroi edhe në takimin e parë edhe në të dytin. Në dyja rastet nga goja e tij er dëgjova idenë: “unë e shoh ardhmërinë e shqiptarëve në dy shtete e gjysmë”. Në një interpretim më të avancuar kjo do të nënkuptonte një popull me dy shtete ose, më saktë, dy shtete e gjysmë. Për këtë jo se nuk ka mjaft praktika në Ballkan. Nëse mund të ketë një Greqi dhe një Qipro, nëse mund të ketë një Turqi dhe një Qipro Veriore, një Serbi dhe një Republika Serbska, së fundi edhe kërkesat bullgare karshi Maqedonisë së Veriut mund të përkthehen si Bullgaria dhe Maqedoni bullgare, pse nuk mund të ketë Shqipëri dhe Kosovë?! Ky qëndrim nuk më entuziazmoi as atëherë as sot, edhe pse shokun e parë politik e kisha përjetuar shumë më herët, kur u organizua referendumi për pavarësinë e Kosovës (26-30 shtator 1991, me 99% pro nga 87% të dalur; serbët e bojkotuan) vetëm brenda kufijve të saj administrativë që i trashëgoi nga ish Jugosllavia. Si njeri i përfshirë në aktivitete politike në Maqedoni që me lindjen e partisë së parë shqiptarë, edhe pse nuk e shprehnim sa duhet publikisht, e kishim një ëndërr – ëndrrën shqiptare. Si i punësuar në qendrën kompjuterike në SHAR të Hanit të Elezit, me një grup të punësuarish, një pasdite na u dha për detyrë t’i nxjerrim në letër tre opsionet e politikës shqiptarë në ish Jugosllavi, që duhej të aprovoheshin ditën e nesërme (11 tetor 1991 nga 11 parti politike shqiptare) në takimin e liderëve të të gjitha partive politike të regjistruara në atë kohë, mes tjerash edhe PPD-së nga Maqedonia, të drejtuar nga Nevzat Halili. Derisa e shkruaja dokumentin, mendoja se ndoshta ëndrra nuk është e vdekur, ngase në atë takim partitë politike shqiptare “duke u përcaktuar për rrugën paqësore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetëvendosje“, e zgjodhën Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi me kryetar Dr. Ibrahim Rugovën dhe u aprovua një dokument. Në dokument ishin draftuar tre opsionet, që nuk do të mundem t’i citoj saktë si ishin formuluar, por mund t’i parafrazoj: nëse Jugosllavia shpërbëhet në tërësi, opsioni shqiptar ishte “shqiptarët në një shtet të përbashkët”; nëse ajo mbetet në kufijtë e jashtëm ekzistues, kurse ridefinohen kufijtë e brendshëm, shqiptarët do ta mbanin qëndrimin “një tërësi etnike si popujt tjerë” brenda saj dhe, nëse edhe kufijtë e brendshëm nuk ndryshojnë, shqiptarët do të kishin qëndrimin “Kosova Republikë, kurse shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë popull konstitutiv i këtyre republikave”. Përskaj këtij dokumenti, për mua si skeptik, më luhatej bindja se ranë në ujë dy opsionet e para dhe mbetej të luftohet për të tretin me referendumin për pavarësi i organizuar brenda kufijve të Kosovës. Nëse po, viktima e parë që ra dëshmor ishte ëndrra shekullore e mbajtur ndër vite – shqiptarët “një flamur, një gjuhë, një shtet”, që u vërtetua më vonë, përskaj disa përpjekjeve të një partie minore për ta mbajtur gjallë. Ishte një ëndërr që e garantoi mbijetesën e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit amë me shumë sakrifica, herë paqësore e herë aktive, demonstrata e rebelime, që kulmuan me një luftë çlirimtare, e cila u nis për ta jetësuar dhe mbaroi me “varrosjen” e saj. Për satisfaksion u shpërfaq teza “shqiptarët e bashkuar në Europën e bashkuar”. U bë dhe bëhet përpjekje që ëndrra shqiptare të zëvendësohet me ëndrrën europiane. Sot mund ta shtrojmë pyetjen se a ia vlejti? A ia vlejti të shuhet një ëndërr për ta ngritur një tjetër, që as sot nuk e dimë çka është dhe më së paku nesër si do të duket. Popujt tjerë të Ballkanit, që jetojnë në dy shtete, që janë anëtarë të BE-së ose që janë shumë me afër integrimit në të, e ruajnë me fanatizëm një ëndërr rezervë në prapaskenë, të kamufluar përmes projekteve dhe strategjive të maskuara si ide “fisnike”. Ndër ne diskutohet “serbski svet” (bota serbe), “helenizmi grek”, “strategjia blu e Turqisë”, “historia dhe gjuha e përbashkët e bullgarëve dhe maqedonasve”, që të gjithë në mënyrë direkte ose indirekte i prekin edhe interesat shqiptare. Përkundër kësaj, ne – të mahnitur me ëndrrën europiane pa hezitim, pa asnjë debat, jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por nën presion të hatashëm edhe prej atyre të Kosovës e të Shqipërisë, po e “realizojmë” ëndrrën greke – duke bërë çmos që t’ia ndërrojmë emrin Maqedonisë; ëndrrën bullgare – duke bërë çmos që t’i fusim bullgarët në preambulën e shtetit; pa shumë hezitime ose në heshtje – futemi në botën serbe përmes “Ballkanit të Hapur”. Kur seriozisht nuk kemi hapur debat e jo më të kemi një qëndrim politik unike se çka humbim e çka fitojmë ne në këtë argatllëk që ua bëjmë fqinjëve tanë, që para hundëve tona i realizojnë ëndrrat e tyre të heshtura. Greqia qëmoti, por edhe Bullgaria, e kanë realizuar ëndrrën europiane, por nuk e kanë harruar dhe as nuk i kanë lënë anash ëndrrat e tyre rezervë. A thua ata janë të zhgënjyer nga ëndrra europiane apo dinë shumë më tepër se ne se çka është Bashkimi Europian, çka ofron ai, cilat janë perspektivat e cilat janë mangësitë e tij. Apo, shkaku qëndron në atë se ato udhëhiqen nga parimet real-politike, që thonë se politika ndërkombëtare, përfshirë edhe atë europiane, nuk ka rregulla dhe nuk ka moral?! A mbetemi ne kalorësit e fundit të qasjes idealiste të politikës ndërkombëtare, ku parimet, aleancat, miqësitë dhe drejtësia e dominojnë atë?! Këto janë pyetje që një ditë detyrimisht duhet të shtrohen, veçanërisht tani kur ballafaqohemi me një botë të trazuar ku shumë më tepër dominon fuqia ushtarake, ekonomike e gjeopolitike sesa drejtësia, parimet, miqësia e aleancat. Së fundi, mos ndoshta ka ardhur koha ta paguajmë faturën e filozofisë rugoviane dhe unifikimit të mendimit për llogari të diversifikimit që e mbollëm atëherë dhe sot e korrim përmes pranimit pa hezitime që të shuhet ëndrra shqiptare për atë europiane, pa alternativa e opsione rezervë?! Në këtë rast filozofia rugoviane nuk është emër i përveçëm i një njeriu, por mendimi dominues i elitave politike dhe intelektuale shqiptare, që kurrë seriozisht nuk i debatuan këto çështje. Ata që me euforinë e integrimit dhe amerikanizimit e fikën entuziazmin shqiptar, në shumë raste e shkelën vullnetin e tyre, duke kërkuar legjitimim nga zyrat diplomatike para popullit të tyre. Në emër të një qëllimi “të madh” – integrimet europiane, e anashkaluam parimin bazë të demokracisë, lirinë individuale, duke e shpallë si tradhtar, arkaik e aziatik çdo mendim alternativ, qoftë edhe kur dëgjohet nga një zë i vetëm. A është koha për reflektim e zgjim?! A është koha të bisedojmë për faturën që e paguajmë për idenë e unifikimit për llogari të diversifikimit për çështje strategjike dhe të filozofisë rugoviane për llogari të alternativave dhe opsioneve rezervë?!