Shkruan: Ismail SINANI
Çfarë është sot shqiptari? Nëse dikush na pyet se si mund ta përshkruajmë një shqiptar, çfarë do t’i kishim thënë? Si duket sot një homo albanicus në Shkup, në Prishtinë e në Tiranë? Çfarë ëndrrash sheh sot i riu nga Tetova, çfarë ai nga Korça, e çfarë ai nga Peja? Cila është sot empatia e një shqiptari nga Elbasani apo Vlora për Luginën e Preshevës? Ose, si e sheh sot një shqiptar i Vitisë atë të Strugës? Kush jemi ne? A jemi NJË? Apo jemi shumë NJË-sha? Nëse s’jemi NJË, pse nuk jemi një? Përgjigje që duhet dhënë me vëmendje e shumë sforcim intelektual.
“Do-me-thënë ky komp kaq’ i vjetërë thuheshë që m’atherë arbënë a arban, do-me-thënë ata që punojnë arënë, që korrin’ e mbjellinë”. Ky ka qenë shpjegimi i Sami Frashërit për shqiptarin, që, sipas fusnotës në librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, është një etimologji popullore që mbështetet në ngjashmëritë e jashtme të fjalëve. Por, në thelb, kjo më shumë i ngjan një narracioni popullor, që do të mund të shfrytëzohej për ngritjen e vetëdijes kombëtare, të domosdoshme në atë kohë. Në esencë, shprehur me gjuhën moderne, kundruar nga prizmi i shekullit 21, më shumë është folklor pa ndonjë bazë të fuqishme shkencore. Por, kjo nuk e zbeh faktin se Samiu, bashkë me vëllezërit e tij dhe gjithë atë plejadë intelektualësh nga radhët e rilindësve, po bënin përpjekje skajshmërisht vetëmohuese që ta shpëtonin qenien që fliste shqip, e që më vonë do të quhej komb shqiptar.
Qoftë edhe me narracione të tilla, rilindësit përpiqeshin që këta njerëz, që kishin një gjuhë dhe traditë tjetër në këtë nënqiell, t’i shpëtonin nga tërmeti i madh që po i avitej Perandorisë Osmane, i cili e dërgoi në analet e historisë.
Samiu, dhe jo vetëm, e kishte ndjerë me kohë se Europa nuk ishte më ajo e Mesjetës, por ishte ajo e pas-Revolucionit Francez, e shtetit modern gjerman, e anglezëve…, që botën e shihnin me tjerë sy. Duke qenë kështu, përkufizimi i asaj se ç’është shqiptare ishte domosdoshmëri e kohës, që sot ne, ndonëse me shumë divergjenca të sipërpërmendura, të mund ta flasim e ta shkruajmë këtë gjuhë. Me një fjalë, rilindësit e kryen amanetin e tyre kombëtar njëjtë sikurse Adem Jashari për shtetësinë e Kosovës.
Por, ç’ndodhi tutje? Si u zhvilluam? A është faji vetëm i yni apo edhe i atyre që pothuajse 100 vjet i kemi glorifikuar si komponenta më e rëndësishme e zhvillimit tonë kombëtar, pra i europerëndimit dhe europerëndimorëve?
Tashmë e dimë se fatkeqësia jonë kombëtare ka nisur që me Marrëveshjen e Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër… Po kështu e dimë se edhe pas themelimit të shtetit shqiptar jo të gjithë politikanët e drejtuesit kanë qenë ithtarë të përbashkimit. E dimë po ashtu edhe se komunizmi, si ideologji politike, ishte/është kryekëput antikombëtare, e dimë edhe se në ish Jugosllavi më të parapëlqyerit e sistemit kanë qenë antikombëtarët… Por, a e dimë, në fakt a duam ta dimë, se pas ’90-tës e këndej çfarë duam ne shqiptarët dhe si dëshirojmë të dukemi karshi tjetrit? A punohet në Tiranë për vetëdijesimin kombëtar, për ringritje të shpirtit shqiptar apo thjesht ky proces sociologjik i është lënë kohës? A ka kurrikula shkollore që ndihmojnë në këtë proces apo?!
E në Kosovë ç’bëhet për kombin? A është sot banori i Kosovës shqiptar apo kosovar apo edhe njëra edhe tjetra apo më shumë kjo e fundit? A është koncepti (ultra)liberal që po i imponohet Kosovës ai që po e zhduk shqiptarizmin nga ky nënqiell apo është ndonjë ndikim tjetër?
Sa për shqiptarin e Maqedonisë së Veriut, ai është një përjashtim më vete, pasi që duke i mbajtur sytë nga tjetri, sot duket se gjendet në një bashkëdyzim shpirtëror “a me Shipni a me Kosovë?!”.
Dhe rikthehemi te tema: Çfarë është sot identiteti shqiptar? Si mund të definohet identiteti ynë kombëtar në kohët e sotme?
Ndryshimet gjeopolitike në rajon, konceptet dhe kauzat shqiptare në vende të ndryshme të rajonit, herë – herë duket se krijojnë narracione të ndryshme të interesit kombëtar. A i bie kjo se kemi më shumë konvergjenca apo divergjenca shqiptare? Në fakt, a është shqiptari i sotëm në vijën e projeksionit të rilindësve apo është një “nus produkt”, fillimisht i komunizmit e, më vonë, edhe i liberalizmit, që nuk e fsheh prirjen për rrafshimin e identiteteve? Si është (duke u) zhvilluar identiteti kombëtar, duke e pasur parasysh se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në disa shtete, të cilat kanë sfida të tyre të ndryshme shtetërore? Nisur nga kjo, a mund ta definojmë se cili është ideali ynë kombëtar për të ardhmen? Dhe, edhe më saktë, a flasim tashmë për ideal të unifikuar kombëtar apo për ideale kombëtare në varësi nga gjeografia ku jetojmë? Kur jemi këtu, a mund të konkludojmë se varësisht ku gjendemi sot si komb, në kuptim të njësisë politike, ashtu edhe po e trajtësojmë identitetin tonë? Dhe, krejt në fund, imagjinata shqiptare, a është e orientuar ndaj “një Shqipërie” apo ndaj “disa shqipërive”?
Mendja më e ndritur e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, Ukshin Hoti, duket se më së miri nga të gjithë e ka trajtuar çështjen e identitetit. Dhe, si për ironi, ai këtë temë e ka rrahur në librin e titulluar “Bisedë përmes hekurash”, duke u përgjigjur në pyetjet e Ismail Kadarës gjatë qëndrimit të tij në burgun e Nishit. Themi për ironi, sepse çdo intelektual tashmë e di se cili është qëndrimi i Kadaresë përkitazi me çështjen identitare shqiptare, posaçërisht pas polemikës së famshme që e kishte vite me parë me një mendje po ashtu të ndritur të kombit tonë, Rexhep Qosjen.
Hoti, një njeri me formim brilant intelektual, që në atë kohë i ndjenë izmat. Ai i sheh ato kur shqiptarët ende jetonin nën gërmadhat ideologjike të Marksit, Engelsit e Leninit e ca të tjerë kishin marrë yrysh të pakontrolluar drejt “diellit që lind në Perëndim”.
Po në librin në fjalë, ndonëse i tëri duhet të shërbejë se lektyrë politike për çdo politikan, ai, ndryshe nga bastarduesit e shumtë të politikës shqiptare, sidomos në Kosovë, e përdëfton orientimin europian të Kosovës, por nuk harron t’i përmendë edhe zhgënjimet kur i ka parë se po ky Perëndim ka ngurruar të ndihmojë në Srebrenicë pikërisht sepse viktimat kanë qenë me identitet islam. Ai sjell në kujtesë edhe pohimin e Riçard Holbrukut, diplomatit amerikan, që në atë kohë e mbante nofkën e “buldozerit” se si vetë në librin e tij ka pohuar troç se: “Nuk do të kishte ngjarë Srebrenica sikur të ishte fjala për një popullsi të krishterë”. “Kjo më shtyri ta pyes veten se athua Europa ende udhëhiqet me motive të kohës së kryqëzatave? Ndonëse përgjigja definitive realisht mbetet e paqartë, nuk dëshiroj ta besoj dhe as dëshiroj të ndryshoj diç në përkatësinë time religjioze islamike”, shprehet Ukshin Hoti.
Se kjo çështje e ka prekur shumë sedrën e tij njerëzore dhe intelektuale ndjehet në vijimësi të këtij libri në formë të megaintervistës. Ai këtë e pohon edhe duke thënë se kjo çështje është një farë “Thembre e Akilit” në politikën shqiptare, e cila në vazhdimësi përpiqet të gjejë përgjigje të kënaqshme për perëndimorët kur është në pyetje çështja identitare shqiptare. Por, në fund, konkludon ai, “askujt, madje as euro-amerikës, nuk do të provoj t’i vardisem me ndërrimin e fesë dhe as të emrit”.
Se identiteti nuk është vetëmse “problem shqiptar” vërehen në çdo elaborim intelektual në gjithë globin, pa dallim race e besimi. Por, çuditërisht, çdo debat mbi këtë temë sjellë një antagonizëm shumë të madh që buron drejtpërdrejtë nga Perëndimi, i cili në shekujt e fundit është bërë si një lloj antiteze për çdo lëvizje kombëtare, religjioze dhe kulturore.
Po kështu, njëri ndër luftëtarët më në zë të njerëzimit për çështjen identitare në shekullin e 20-të, Malkolm X, flet me vepra konkrete se kur “tjetri” dëshiron të të integrojë, ai në fakt nuk të dëshiron ashtu siç je, por ai mëton të të bëje sikurse vetvetja. Libri i tij autobiografik, që i ka pushtuar zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre “rebelëve” që e duan dhe çmojnë lirinë, flet për racizmin e amerikanit të bardhë, për Demokratët “dhelparakë” siç i quan ai, por edhe për ekstremët Republikanë, por flet edhe për ata “zezakë të bardhë”, që në frazeologjinë shqiptare do të ishte përkthyer si ata shqiptarë që janë “më katolikë se Papa” apo “të ndershëm” siç i quanim në ish Jugosllavi. “E vërteta është se ‘integrimi’ është një imazh, është një tymnajë tinëzare e liberalit verior që krijon një pështjellim lidhur me nevojat e vërteta të zezakut amerikan.”, thotë Malkolm X.
Parashtrohet pyetja: A është sot kjo arsyeja që shqiptari në kohën kur është dashur të bëhet autokton në çështjen identitare të rrëshqasë keq duke i kërkuar kallëp vetes për t’u bërë tjetri? A kemi nevojë të bëhemi tjetri duke qenë vetvetja për shekuj të tërë? Dhe, kur dikush merr nisma për t’u bërë tjetri, a e ka parasysh se jo të gjithë kanë dëshirë të shndërrohen në “zezakë të bardhë”?
Megjithatë, kjo nuk i bie se shqiptari i sotëm duhet të jetë antiintegrues. Assesi. Kjo i bie se shqiptari me shumësinë e identiteteve të veta duhet të jetë ose, të paktën, do të duhej të ishte pjesë e “familjes së madhe”, pa nevoja për “konvertime”, çfarëdo qofshin ato.
Në gramatikën e gjuhës shqipe thuhet se “mënyra dëshirore është një nga mënyrat e foljes në gjuhën shqipe, e cila shpreh një veprim ose gjendje që mendohet nga folësi si diçka që dëshirohet të ndodhë a të jetë. P. sh. rroftë, qoftë, u bëftë, daltë, ardhsha, etj. Kjo mënyrë është shumë e veçantë, pasi haset rrallë në gjuhët e tjera qoftë brenda, qoftë jashtë familjes indoevropiane”. Duket se fatkeqësia jonë pak a shumë mund t’i ketë rrënjët pikërisht në këtë definicion gramatikor, pasi që teksa ne apo disa prej nesh duan diçka përmes foljeve “qoftë, u bëftë”, tjetri nuk është se parapëlqen të njëjtën gjë.
“Qyshse popujt europianë bënë përpjekje praktike për të përfshirë të gjithë popujt e tokës në konceptin e tyre për njerëzimin, kanë qenë të irrituar me dallimet e mëdha fizike midis tyre dhe popujve që ata gjetën në kontinentet e tjera”, thotë Hannah Arendt, humaniste me origjinë hebreje në librin e saj “Origjinat e totalitarizmit”.
Ajo flet për ndjesinë e superioritetit racial që e shfaq “njeriu i bardhë” kundrejt tjerëve, e në këtë rast për fat të keq edhe ndaj shqiptarëve në veçanti dhe Ballkanit në përgjithësi.
Madje, po ky njeri i bardhë nuk është se e ka lodhur shumë veten kur e ka zbatuar darvinizmin edhe në rrafshin e qenieve njerëzore. Ai ka ditur shpeshherë t’i bëje NJË sociologjinë dhe biologjinë dhe racat njerëzore t’i shikojë nga këndvështrimi i zinxhirit racial. Shembull shkollor sot e kemi luftën në Ukrainë dhe gjenocidin në Gaza. Tashmë po shihen botërisht dy kutet e matjes së problemit nga ata që flasin se e mbajnë bajrakun e humanizmit.
“Miti për Europën kristiane dhe kontinentin islam është njëri prej stereotipave më së thelli të ngulitur, barabar në mënyrë jokritike i përvetësuar edhe në rrafshin e komunikimit të përditshëm, si edhe në nivelin më të lartë të shkencave shoqërore historike. Ky mit, ideologjikisht i krijuar dhe po ashtu ideologjikisht i përjetësuar, është shkaku kryesor që Europa, sidomos në pjesët me traditën kryesisht kristiane, sot ka probleme serioze me identitetin vetjak”, thotë filozofi Ferid Muhiq, në librin e tij të titulluar “Identiteti islam i Europës”.
“Qoftë në kuptimin fetaro-teologik, qoftë në atë historiko-kulturor, Krishterimi është një nga elementet bazë identitarë të Eurupës dhe kjo gjë kujtohet menjëherë sidomos kur bëhet fjalë për kultura dhe fe joeuropiane”, thotë edhe Ibrahim Kalin në ekzegjezën e tij intelektuale “Unë, tjetri dhe përtej”, duke shtuar se, megjithatë, në periudhën moderne qytetërimi perëndimor po përjeton një thyerje të brendshme pasi që është duke u përballur me kultura dhe qytetërime joperëndimore, veçanërisht islame.
Pse gjithë kjo çështje (të) ndërlidhet me identitetin religjioz shqiptar? Arsyeja është shumë e thjeshtë: shumica nuk kanë dëshirë të flasin këtë temë dhe e hedhin topin djathtas-majtas. Shqiptari i sotëm, pa kurrfarë nevoje, po i nënshtrohet një inxhinjeringu. Prej tij sot po kërkohet të ketë VETËM një paradigmë euro-integruese, liberale dhe, mundësisht, sa më pak (intra)identitare? Atij po i kërkohet të shndërrohet në diçka të panjohur për të. Ndërkohë ai ende i bart me vete pasojat e shkapërderdhjes në shumë shtete të Ballkanit dhe botës.
Sot, në vend të kërkimit të identitetit të ri, Shqipëria, si shteti amë, do të duhej të kishte një agjendë për çdo shqiptar që gjendet në rruzullin tokësor, qoftë për ata të vonshmit që kanë migruar, qoftë për ata të hershmit. Ama, si duket, kjo ngelet vetëmse çështje gramatikore, një mënyrë e dëshirores. Homo albanicusi është në rrezik!
“Në mest të shqiptarëvet të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë”, thoshte atëbotë Samiu. E ne sot, vërtet a jemi një trup, një mendje, me një qëllim e një besë?! Folkloristët thonë po, por ç’thonë për këtë racionalistët?!
(Editoriali i Revistës SHENJA)