A jemi komb apo vetëm një popull?

PhD Merjeme Gashi

Pse shqiptarëve ju mungon një jetë mendore? Kjo ishte një prej preokupimeve kryesore të Branko Merxhanit. Si shkaqe kryesore që i kishte identifikuar ai ishin temperamenti dhe edukata. Egoizma intelektuale është pjesë e temperamentit që e karakterizon shqiptarin, sipas tij. Të menduarit që si ne nuk ka, si gjuha jonë, si kultura e traditat tona, si trimëria jonë, si heronjtë tanë, si fisi jonë, si mahalla jonë, si qyteti jonë, si familja jonë, janë tregues të mos formimit apo mos pjekurisë intelektuale të një shoqërie. Ndërsa me edukatë dhe kulturë Merxhani i referohet mungesës së jetës mendore, zotësisë për studim e gjurmim, edukatës shkencore, filozofike e psikike tek shqiptarët.
“Mos formimit intelektual të një shoqërie”. Çka është pra shoqëria? Sipas Merxhanit, “një shoqëri është një entitet i krijuar me ndjenja sociale dhe ndërgjegje të komunitetit”. Atëherë sa i kemi ne të zhvilluara ndjenjat sociale dhe ndërgjegjen shoqërore? Abeceja e problemacitetit shqiptar për Merxhanin është pyetje sociologjike për të ndriçuar tërë historinë shqiptare. Vlerat morale, thotë Merxhani, nuk kanë zënë rënjë në zemrën tonë. Para interesit material dhe atij moral, shqiptari në çdo kohë dhe në çdo rasë ka preferuar të parën. Interesi material ka qenë gjithnjë ideali i shqiptarëve. Ideal primitiv, i ngushtë, i ultë.
Sikurse Nebil Çika, edhe Merxhani vjen në përfundim të ngjashëm se është interesi material ai i cili ka rëndësi dhe peshë më të rëndë tek shqiptarët se sa ndjenjat dhe interesi i përgjithshëm shoqëror.
Pse? Kjo po të çon tek njëri prej definimve që i bën Merxhani kombit. Kombi mund të ekzistoj vetëm atëherë kur krijon një ndërgjegje shoqërore, thotë ai. Përndryshe njeriu është thjeshtë një krijesë ndërsa popullit që i mungon ndërgjegja shoqërore është thjesht masë barbare. Krijesa mundet me u shndërru në “njeri” vetëm atëherë kur fiton një ideal brenda jetës shoqërore.
Nisur nga ky definim lindë pyetja e rradhës, a i kemi pëmbushur “kushtet” apo a i kemi kaluar fazat e nevojshme për t’u quajtur komb? Apo ende jemi thjeshtë një popull apo masë barbare të cilës i mungon ndërgjegja shoqërore? A jemi “njerëz” me ideale shoqërore, apo thjeshtë krijesa?
Sigurisht që kombi dhe identiteti kombëtar është dinamik e jo statik. Nuk është diçka të cilin mund ta definosh një herë dhe ai definicion të ketë zbatueshmëri dhe vlefshmëri të përhershme. Por, a arritëm ne të jemi komb në rradhë të parë? Kjo është dilema! Apo fakti që u formuam si shtet ende pa u formuar si komb me ndërgjegje dhe vetëdije kolektive bëri që ne të kemi zbrazëti të mëdha në jetën kulturore, shoqërore, kombëtare, politike?
Bernard Fischer shtetin shqiptar e quan si një “laborator politik” i cili u krijua rastësisht dhe pa përgatitje paraprake me qëllim të parandalimit të shpërbërjes së territorit mes fuqive që fituan Luftërat Ballkanike. Lidhur me këtë Vangjel Koça thotë “ne krijuam Shqipërinë, tash është koha të krijojmë shqiptarët”.
A u “krijuan” ende shqiptarët? Kjo është pyetja kryesore! Nëse jo, kjo shpjegon shumë sjelljen e politikanit, intelektualit dhe të qytetarit shqiptar. Kjo shpjegon edhe mungesën e emocionit, vullnetit dhe interesimit tonë për përmirësimin dhe zhvillimin e një jete më të mirë shoqërore, politike, kulturore, ekonomike, etj. Kjo gjithashtu tregon që ne ende jetojmë me idenë që shteti nuk është i yni. E jona është vetëm shtëpia, prandaj ato i mbajmë si e më së miri!

PhD Merjeme Gashi