Edhe pse të punuarit në skuadër dhe në një ambient të përbashkët zyre mund të funksionojë për disa, sepse i krijohet mundësia që të ndajnë me njëri-tjetrin burime të ndryshme, duke ndikuar në përfundimin e një projekti në kohë dhe në mënyrën produktive, kjo nuk do të thotë se është zgjidhja ideale për të gjithë.
Për disa të tjerë, kjo gjë nuk funksionon, sepse ata kanë për të marrë fëmijët nga kopshti ose çerdhja çdo ditë të javës, gjë që kërkon fleksibilitet në orare. Disa kanë takime të shumta mjekësore dhe të tjerë janë shumë më produktivë po të punojnë vetëm.
Më poshtë do të njiheni me katër arsye të cilat do t’ju bëjnë të kuptoni nëse të punuarit nga shtëpia mund të jetë edhe zgjedhja që mund të funksionojë më mirë edhe për ju:
1.) Zakonisht bizneset të cilat ofrojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia drejtohen nga gratë dhe kanë një kulturë kompanie shumë më të mirë në krahasim me të tjera.
Zakonisht, pjesa më e madhe e bizneseve të cilat ofrojnë mundësinë e të punuarit nga shtëpia drejtohen nga gratë, sepse janë pikërisht ato të cilat pasi bëhen nëna e gjejnë veten të dyzuara ndërmjet familjes dhe punës. Prandaj kjo është edhe një prej zgjidhjeve ideale për to, sepse në këtë mënyrë ato arrijnë që të balancojnë një pjesë të madhe të përgjegjësive, pa krijuar mungesa në asnjërën prej tyre.
2.) Liderët që drejtojnë biznese me punonjës të cilët punojnë nga shtëpia, janë krejtësisht ndryshe nga ata të bizneseve tradicionale.
“Një tjetër element i rëndësishëm i të punuarit nga shtëpia është se drejtimi i tyre nuk bazohet në nocionin e liderit tradicional. Drejtuesit e këtyre kompanive nuk shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës në zyrë, nuk kanë veshjen tipike të drejtuesit me kostum dhe kollare, dhe as pamjen e një drejtuesi tradicional”.
3.) Të punuarit nga shtëpia po shënon një rritje gjithnjë e më të madhe
Sipas studimeve të fundit, ky trend i ri i të punuarit nga shtëpia, ka shënuar rritje gjatë periudhës dekadës së fundit. Referuar të dhënave të publikuara nga Global Workplace Analytics, të punuarit nga shtëpia për shembull në fushën e telekomunikacionit ka shënuar një rritje nga 9 për qind në 2007 në 43 për qind në 2017.
4.) Avantazhet e të punuarit nga shtëpia janë të shumta
Një ndër avantazhet më të mëdha të të punuarit nga shtëpia është ai për nënat më fëmijë, të cilat e konsiderojnë atë si zgjidhjen e problemeve të tyre, duke marrë në konsideratë vështirësitë e shumta që ato hasin gjatë rikthimit në punë apo edhe humbjen e vendit të punës si pasojë e largimit. Por të punuarit nga shtëpia nuk është avantazh vetëm për nënat me fëmijë, sepse ai një prej formave më të rëndësishme të fleksibilitetit. Ai i vjen në ndihmë edhe atyre personave që kanë për t’u kujdesur për prindërit e moshuar, atyre që duan të qetësohen nga lodhja dhe stresi i madh me të cilin janë të mbushura shumica e ditëve apo atyre që kanë probleme shëndetësore, atyre që jetojnë në zonat rurale. Të punuarit nga shtëpia është një prej formave më të mira për të balancuar jetën personale me atë profesionale.