Ballina Artikuj A është Kurani një libër i pastrukturuar?

A është Kurani një libër i pastrukturuar?

Një ndër akuzat e kahershme që jomuslimanët kanë folur kundrejt Kuranit, është se ai ka një strukturë dhe formë të çrregullt. Thuhet se nga ajeti në ajet, nuk ka një ndërlidhje fort të kuptimtë dhe se suret e tij janë vendosur në një farë mënyre që bazohet në parimin e papërpunuar të gjatësisë në zvogëlim, një sure e gjatë që pasohet me të tjera që vijnë duke u shkurtuar gjer në fund. Gjithashtu ata thonë se çdo sure shpjegohet nga një zhvendosje e çoroditur skenash, kundrinash e subjektesh, dhe ai që e lexon nuk mund të parashikojë me një lloj sigurie, se çfarë do të ndodhë më pas. Dhe si përfundim – sipas këndvështrimit të tyre – më së miri është një përmbledhje e jashtëzakonshme pjesëzash të palidhura ose një libër citatesh. Pra, megjithëse Kurani është plot me perla, këto perla qëndrojnë në një turmë të përzier.

Fjalët e orientalistëve rreth kësaj akuze janë shumë herë më thumbuese dhe më të këqija, por do të mjaftohemi vetëm me kaq, sepse me gjithë ndryshimet e dallimet në qasjet e tyre, të gjithë ata bien dakort se Kuranit i mungon plotësisht çdo lloj sistemimi i rregullt. Madje disa prej tyre janë orvatur që ta ristrukturojnë Kuranin, ose kronilogjikisht, ose sipas disa parimeve të vetëhartuara.

Duke iu përgjigjur kësa akuze, dijetarët muslimanë kanë thënë se Kurani nuk ka organizimin e një libri të mirëplanifikuar dhe asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim një gjë të tillë. Shpallja e Kuranit përfundoi pas 23 vjetësh dhe gjatë kësaj kohe, Kurani kishte të bënte me një numër aq të madh subjektesh të ndryshme, saqë asnjë formë përmbledhjeje nuk mund të kishte arritur një unitet dhe koherencë më të madhe se ato të tanishmet. Kurani, thonë ata, u mor me jetën, aktivitetet dhe problemet e një kombi të tërë për një kohë relativisht të gjatë, dhe kësisoj, çdo llojë akuze bazuar në konceptin e një teze kërkimore, s’do mend që është e pavend.

Kjo përgjigje, megjithëse gjithmonë ka shërbyer për t’i kënaqur muslimanët dhe së paku për t’u mbyllur gojën kritikëve jomuslimanë, nuk ka marrë në konsideratë, një fakt tepër të rëndësishëm, që strukturimi i Kuranit u bë nga Profeti (a.s). Në të njëjtën kohë që po shpallej, Kurani renditej në një formë të caktuar, nën udhëzimin e drejtpërdrejtë hyjnor nga Profeti (a.s). Përpilimi i renditjes së Kuranit, ishte i përshtatshëm në kokë me plotësimin e shpalljes së tij. Prandaj, përsa i përket renditjes dhe vijimësisë, Kurani i shpallur ndryshonte nga ai i përpiluari. Me fjalë të tjera, Kurani kishte dy renditje: një zbulore dhe një përpiluese. Pyetja qëndron: Përse u braktis renditja sipas shpalljes dhe iu dha përparësi asaj të dytës? A u pranua e dyta pa ndonjë arsye të veçantë? Nëse është kështu, përse kronologjia nuk u konsiderua e goditur sa duhet për renditjen e Kuranit? Dhe a mund t’i jepet liri dikujt, që të zbulojë, nëse është e mundur, renditja kronologjike e Kuranit dhe ta këndojë Kuranin sipas asaj renditjeje? Apo, nëse kronologjia nuk ishte një udhërrëfyes i përshtatshëm, përse nuk hyri në fuqi ndonjë lloj rregulli, për shembull ai i ndarjes së Kuranit në sure me të njëjtën gjatësi? As parimi i zvogëlimit progresiv, as që shkon aq larg sepse zvogëlimi nuk është edhe aq progresiv; ne vazhdimisht hasim se suret e gjata pasohen nga të tjera të shkurtra, të cilat ndiqen sërish nga të gjata e kështu me rradhë. Pyetja vazhdon e vazhdon të mbetet para syve: Përse një renditje ndryshe?

Imam Hamidudin Farahi i përgjigjet ndryshe kësaj akuze. Ai përmend se Kurani zotëron strukturën më të arrirë. Ajetet dhe suret e Kuranit, thotë ai janë renditur sipas një vijimësie të përsosur dhe pa të meta, dhe bashkarisht përbëjnë një të tërë me simetri dhe integrim marramendës. Dhe me gjithë atë mrekulli të asaj strukture, shton imam Farahi, nuk mund të themi se është thjesht një vlerë e rastit, përkundrazi ajo është thelbësore për kuptimin e Kuranit, madje është i vetmi çelës për kuptimin e tij.

Kjo ide prodhimtare e imam Farahit është shtjelluar më tej nga student i tij Mevlana Ahsan Islahi. Duke e marrë shkëndijën nga parimet që mësuesi i tij me emër kishte nxjerrë, Mevlana Ahsan Islahi ka shkruajtur një koment rreth Kuranit, në të cilin ka treguar se si Kurani është një libër sistematik, gjë që e pohoi edhe mësuesi i tij, imam Farahi. Mevlana krejt me modesti e cilëson veprën e tij si të shtjelluar, por siç mund ta shohë çdo kush, ajo është një vepër shumë origjinale. Në të vërtetë, ai nuk është thjesht, sqaruesi më autentik i mendimit të imam Farahit, por mund të thuhet se ai e ka rimodeluar atë mendim. Më poshtë po japim shkurtimisht disa prej pikëpamjeve të tij rreth strukturës së Kuranit. Këto pikëpamje janë të përmbledhura tek parathënia e librit  të tij “Reflektime mbi Kuranin”. Ai shkruan si më poshtë:

1 – Çdo sure në Kuran ka një ide mbizotëruese, quajtur ndryshe boshti i asaj sureje, rreth së cilës vërtiten të gjitha ajetet e saj. Kësisoj, asnjë ajet, apo asnjë grup ajetesh, nuk qëndron më vete, por ka një lidhje të drejtpërdrejtë me boshtin e sures dhe është pjesë e skemës koherente të sures.

2 – Suret në Kuran janë në çift dhe dy suret e çdo çifti plotësojnë njëra – tjetrën duke ndërtuar së bashku një njësi. Megjithatë, ka disa përjashtime si për shembull surja e parë “Fatiha” nuk ka asnëj shoqe, sepse është një lloj hyrje për gjithë Kuranin. Të gjitha përjashtimet e tjera, nuk janë përjashtime në kuptimin e vërtetë të fjalës, përderisa  secila syresh është një zgjatim për njërën apo tjetrën sure.

3 – Të gjitha suret e Kuranit mund t’i klasifikojmë në shtatë grupe. Grupi i parë përfundon tek surja e pestë e Kuranit. Grupi i dytë tek e nënta. Grupi i tretë tek e njëzet e katërta. Grupi i katërt tek e tridhjetë e treta. Grupi i pestë tek dyzet e nënta. Grupi i gjashtë tek e gjashtëdhjetë e gjashta dhe grupi i shtatë tek surja e fundit. Secili grup përmban një apo më shumë sure të shpallura në Mekë që pasohet me një apo më shumë sure të shpallura në Medine, të së njëjtës formë. Si suret individuale ashtu edhe ato në çift, çdo grup ka një temë qëndrore që i përshkon të gjitha suret, duke i bashkuar ato në një njësi të veçantë. Në çdo grup, gjenden dhe temat e grupit tjetër, por si tema ndihmëse.

4 – Çdo grup – logjikisht – të shpie tek tjetri, e kësisoj, të gjitha grupet bëhen varacione të temës qëndrore të Kuranit, që është: Thirrja që i bën Allahu njerëzimit për të ndjekur rrugën e drejtë.

Ndërkohë që po flasim për koherencën e strukturës së Kuranit, duhet të bëjmë dallimin mes lidhshmërisë dhe unitetit organik. Mes dy objekteve në univers mund të krijohet një lidhje, sado e mistershme dhe e çuditshme të jetë ajo. Por, uniteti organik nënkupton praninë e një ndërlidhjeje harmonike mes përbërësve të një trupi, apo njësie që jep një të tërë të unifikuar, një e tërë që qëndron sipër apo mbi shumën totale apo përbërësit e saj dhe që mbart vlerë dhe kuptim në vetvete. Ajetet dhe suret e Kuranit nuk është se janë thjesht të lidhura me njëra – tjetrën, por kanë vendin e vet, secila prej tyre, në skemën e përgjithshme kuranore dhe nuk lidhen thjesht me njëra – tjetrën, po gjithashtu dhe me kornizën e përgjithshme. Kurani është një organizëm, ajetet dhe suret e të cilit janë pjesë organikisht koherente.

Një tjetër pikë që duhet përmendur është edhe metodika e Kuranit që nuk është thjesht një çështje rastësore në studimin e Kuranit, por pjesë integrale e kuptimit të tij. Thënë më thjeshtë, përderisa Kurani ka një strukturë organike, çdo ajet apo grup ajetesh dhe çdo sure ka një kontekst të përcaktuar qartë dhe interpretimi i çdo pjese kuranore duhet bazuar në të kuptuarit e drejtë të atij konteksti. Kurani është një ndër librat më të pafat, në sensin se ajetet e tij shpeshherë janë shkëptur nga konteksti për të argumentuar mendime të veçanta juridike apo nocione sektariane dhe herë pas here termat dhe shprehjet e tij janë keqanalizuar nga ata që i qasen atij duke kërkuar, në ndonjë verset të paqartë në mbështetje të pikëpamjeve të tyre që tashmë i kanë formuar në të tjera terrene përveç atij kuranor. Ekziston një ironi e thellë në atë se të gjitha herezitë janë pohuar si të bazuara në Kuran nga parashtruesit e tyre. E nëse këto herezi për shumë veta ishin të papranueshme, kjo ndodhi për shkak se konteksti i këtyre ajeteve që përbën të ashtuquajturën “bazë kuranore” nuk u kuptua si duhet. Siç e ka thënë edhe Mevlana Aslah Islahi, kontekstualizimi u jep verseteve, një ndërtim ndryshe nga ai që është vënë zakonisht në ta, por gjithashtu në aspektet metodike të atij mesazhi; ai u jep domethënie të re jo vetëm urdhërave morale dhe ligjore të Kuranit, por gjithashtu historive dhe parabolave që tregohen në Kuran. Dhe së fundmi na mundëson një të kuptuar të thellë jo vetëm të stilit dhe tonit kuranor vazhdimisht në ndryshim, por gjithashtu edhe të formave të ndryshme të logjikës që përdor.

Exit mobile version