Teologjikisht, shoqëritë nuk edukohen vetëm nëpërmjet ndalesave, por nëpërmjet “urdhëresave”, veprave të mira. Filozofia fetare ndërtohet rreth punëve të mira, dhe ndalesat vijnë “në raport me aq sa ato bëhen pengesë për realizimin e punëve të mira”.
Prandaj, të gjitha ndalesat janë zbritur pas urdhëresave, sepse filozofia fetare nuk e ka konceptuar edukimin njerëzor thjesht nëpërmjet ndalesave apo “ligjit”, por nëpërmjet urdhrit për vepra të mira dhe ndalimit nga veprat e këqija. Zoti thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Kur’an: Ali-Imran: 110)
Nga kjo, nuk mund të edukojmë brezat thjesht duke ndaluar TikTok-un, edhe pse ky program duhet mbyllur. Por a mjafton vetëm kjo? Mendoj se nuk mjafton.
Zgjidhja më e duhur do të ishte nëse ata edukohen nëpërmjet mundësive që TikTok-u të bëhet diçka të pavlerë.
Aq shumë duhet zbukuruar shoqëria sa vetmia të bëhet humbje, aq e bukur duhet të bëhet puna sa papunësia të duket vdekje, aq e hijshme të bëhet jeta sa lufta të duket marrëzi, aq e ëmbël të bëhet shtëpia sa qëndrimi larg saj të duket vetmi.
A nuk është e nevojshme të rishikojmë shkollat, të cilat kanë të paktën 100 vjet në një format, në një stil mësimdhënie, në një format klase, në një format provimesh…etj?
A nuk shikojmë se si mungon argëtimi, arti, kultura, piktura, mungon edukimi nëpërmjet sportit, mungojnë palestra, trajner serioz që edukon duke luajtur.
A nuk kemi vënë re që thjesht ju japin një top në dorë dhe kaq ishte ora e fiskulturës.! Pse edukim është ky…?
Nuk ka novacion, nuk shikon risi, nuk vërejmë metoda atraktive mësimi. Ndoshta duhen vendosur bankat në formë rrumbullake, që askush mos të jetë në fillim dhe askush në fund. Ndoshta mësuesi duhet të bëjë bashkëbisedim me nxënësit, jo vetëm ai pyet e këto përgjigjen…etj etj.
Mbi të gjitha duhet të mos harrojmë se çdo program ka risi “update” çdo 6 muaj, ndërsa shkolla ka të paktën 100 vjet njësoj.
Hoxhë Vladimir Kera