Shpeshherë perceptimi negativ i marrëdhënies së fesë me njeriun ushqehet nga disa modele fetare që përqendrohen në dekurajimin e potencialit dhe veprimtarisë njerëzore përballë jetës, të tilla si asketizmat e deformuar, shikimi i veprimtarisë njerëzore në përgjithësi si e ndotur plot imoralitet dhe kuptimi i adhurimit si një gjendje tërheqjeje nga mejdani i jetës.
Sipas vizionit kuranor, njeriu është qenie e nderuar dhe më preferuar nga shumë krijesa:“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar“.
„Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë“.
„Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës“.
„O xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe“!
Një nga kuptimet kryesore në Kuran është kuptimi i “padrejtësisë ndaj vetvetes”.
Padrejtësia e një personi ndaj vetvetes është edhe mos shfrytëzimi i aftësive dhe i kapaciteteve që i ka dhënë Zoti.
Ai që nuk i fut në funksion energjitë e veta dhe nuk investon në avansimin e tyre, për të zhvilluar jetën, ai sikur e ka harruar Allahun që i dha këto mirësi, dhe pastaj Ai e bëri të harroj edhe veten e tij: “Ata e harruan Zotin, kështu që Ai i bëri ata të harrojnë veten e tyre.”
Besimi është hapja e dëgjimit, shikimit dhe zemrës në jetë dhe soditja e thellë e realitetit të jetës, duke i shijuar bekimet e Zotit dhe duke i medituar shenjat e Tij.
Ndërkohë që mosbesimi është verbëri, shurdhim, moskokëçarje dhe ngurrim: “Thuaj: A janë të verbërit dhe ata që shikojnë njësoj, apo janë të njëjta errësirat dhe drita?“
Hoxhë Halil Avdulli