Nga: Dr. Rijad Imeri
Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, sa herë vjen Krishtlindja, hapen tema e polemika rreth Jezusit a.s. të cilat disa i fusin në dyshim e të tjerët në urrejtje, dhe formohet bindja se vetëm emri krishtlindje nëse përmendet, atëherë njeriu del nga feja Islame.
Kjo metodologji e të menduarit dhe të vepruarit jo vetëm që nuk është e dobishme por as produktive e që ndoshta ndonjëherë del edhe jashtë suazave të Islamit.
Fillimisht dua të ndalem te dy nocione Jezus dhe Krisht, të cilat te disa musliman mund të krijojnë eufori nga dëgjimi i tyre, duke mos e ditur se këta dy emra janë të përdorur në librin e tyre të shenjtë në Kur’an.
Emri Jezus i cili sot përdoret në të gjithë Evropën është deformim apo greqizim i Emrit “ Isa “ të cilin Zoti e përmend në Kur’an, e që në greqishten e lashtë (Ἰησοῦς –iëːˈsuːs ) shqiptohej, dhe përkthimet e para biblike në greqishte kanë ndikuar që edhe emrat të ndikohen nga gjuha greke.
Kurse emri Krisht nga i cili e ka marr emrin edhe feja e Krishtere po ashtu kishte fatin e njëjtën, pasi edhe ky term rrjedh nga greqishtja e vjetër ( Χριστός – Khristos ) e që në gjuhën shqipe do të thotë ( i vajosur ), por edhe ky emër nuk është i huaj për Kur’anin, vetëm se aty përmendet në gjuhën arabe el-Mesih.
Pasi që u sqarua kjo gjë, tani është radha të sqarohet edhe togfjalëshi Krishtlindje e që do të thotë lindja e Krishtit apo e Jezusit apo Isaut a.s.
Sikur Kur’ani ta mohonte lindjen e tij, atëherë do të kishte arsye sa do të vogël për muslimanet që të kenë eufori ndaj kësaj fjale, por përkundrazi Kur’ani i ka kushtuar vëmendje të veçantë kësaj lindje e cila ia kalon lindjes së profetit tonë Muhamedit a.s., sepse Zoti deshi që Jezusi – Isai a.s. të lind si mrekulli, të jetoj duke bërë mrekulli dhe të mbes mrekulli sa të ekzistoj kjo gjithësi.
Dhe një gjë këtu është shumë e rëndësishme të ceket, se në “ Mevludat “ të cilët këndohen në tubime të muslimanëve cekën disa gjëra të hiperbolizuara për lindjen e Muhamedit a.s. e që nuk janë të argumentuara, por formën e lindjes së Jezusit – Isait a.s. vetë Kur’ani e ka konfirmuar, e që në kontekst do të kishte përparësi lindja e Jezusit – Isait a.s. të tregohej në vargje të bukura të gjuhës shqipe ( Mevlud ) ashtu siç përmendet lindja e Muhamedit a.s. dhe të organizohet nga institucione fetare Manifestime të cilat do ta tregonin vlerën dhe realitetin e Jezusit – Isait a.s. nga këndvështrimi Islam, gjë të cilën ende nuk kemi hasur një gjë të tillë!
Sa bukur na tregonte Muhamedi a.s. për Isaun a.s. duke thënë:
“ Ne Profetët e Zotit jemi vëllezër, nënat i kemi të ndryshme, por fenë e kemi të njejtë “ ( transmeton Buhariu dhe të tjerët )
Kurse Kur’ani i citon fjalët e Isait a.s.: “ Paqeja e Zotit qoftë mbi mua në ditën që u linda, në ditën që do të vdes, dhe në ditën që do të ringjallem” ( Kur’an 19:33 )
Megjithëse ideologjia krishtere me atë islame dallon rrënjësisht, por që të dyja pajtohen se Jezusi – Isai a.s. lindi nga një njeri,një femër e virgjër e cila ishte prej femrave më të devotshmëve mbi sipërfaqen e tokës, Maria – Merjemi, e cila u përgëzua me këtë gjë nga engjëlli Gebrail – Xhibril, mbeti shtatzënënë Jezusin – Isaun a.s. duke mos pasur kontakte me ndonjë mashkull, pastaj Jezusi – Isau a.s. i cili lindi si njeri dhe jetoi si njeri, gjatë jetës së tij ishte Profet dhe ftonte që të madhërohet Zoti dhe proklamonte udhëzimet e tij sidhe i lutej Zotit – Atit në qiell, dhe me ndihmën e Tij bënte mrekulli.
Ndërsa në divergjenca që ka në mes këtyre dy feve shohim se lindja e Jezusit në Kur’an dhe vdekja e tij është shumë më madhështore se sa në Bibël dhe kjo për disa arsye:
- Në bibël shkruan se Maria ishte e fejuar me Jozefin, dhe kjo e bën që ta forcoj mendimin e atyre që e akuzonin Marian se ajo ka sjell një fëmijë në këtë botë në mënyrë të jashtëligjshme pasi që ka kryer akt paramartesor me të fejuarin e saj, dhe kjo e forcon idenë pasi në bibël ceket se Jozefi i fejuari i saj ishte vazhdimisht në shoqëri të saj edhe gjatë lindjes së saj. Marr logjikisht, sikur të mos ishte fëmija i tij, një i fejuar nuk vazhdon më lidhjen me të fejuarën e tij përderisa nuk mban ajo një fëmijë të tij. Jo vetëm kjo, gjatë jetës së Jezusit konsiderohej ai si i biri i Jozefit.
- Por Kur’ani libri i shenjtë i muslimanëve këtë ngjarje e tregon në mënyrë fantastike, duke treguar që Maria apo Merjemi ishte një femër e virgjër dhe shumë e devotshme, e cila nuk kishte kontakt me ndonjë mashkull apo të fejuar, dhe e cila begatohej vazhdimisht me ushqime nga Zoti i saj, sa që edhe kujdestari i saj profeti i Zotit Zekerijau habitej kur shihte ushqimet pran saj.
Asaj kur iu afrua koha e lindjes, u largua nga tempulli fshehurazi, në një vend të largët, e që ishte e vetme, nuk kishte askënd afër, dhe kjo e bën edhe më madhështore Marian – Merjemin. Derisa u afrua pran një palme hurmash, në vend të hapur, e jo si ceket në Bibël në një ahur sepse kjo i përshtatet pastërtisë së Marias dhe Jezusit, dhe aty edhe e lindi Jezusin pa pasur dikë afër t’i ndihmoj. Të vetmin ngushëllim që e gjeti ishte fëmija i saj i porsalindur, Jezusi, i cili ishte vërtet mrekulli sepse filloi nga ai moment të flasë rrjedhshëm e që kjo gjë nuk ceket në Bibël.
Dhe pastaj i tha nënës së tij, fillo dhe shkunde palmën se do të pikin hurma të buta. Këtu nuk pajtohem me disa dijetar Islam të cilët mundohen ta përcaktojnë kohën e lindjes së Jezusit – Isait a.s. përmes kësaj Palme se kinse ai ka lindur verës. Ngase edhe lulëzimi i Palmës ishte mrekulli, për dy arsye, e para sikur të kishte hurma në të, nuk do të kishte vlerë fjala e Jezusit shkunde Palmën, sepse nën palmë mund të ketë hurma, dhe e dyta e përmendëm më herët që ajo furnizohej gjatë shtatzënisë së saj me ushqime të ndryshme nga Zoti, e si mos të furnizohet në momentet më të vështira të jetës së saj me të njëjtën metod.
- Ballafaqimi i Marias me Parinë dhe popullin e saj, po ashtu është një mrekulli tjetër që nuk e përmend Bibla, pasi të gjithë e akuzonin se ajo ka bë një vepër të kundërligjshme, por Maria kishte vendos të agjëronte me heshtje, dhe bënte me gisht kah i biri i saj, ata të shtangur e të habitur dëgjuan fjalët e Jezusit – Isaut a.s.: “Ai ( Isau ) tha: Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë librin dhe më ka bërë Profet. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka obliguar me falje dhe lëmoshë sa të jem gjallë. Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm.” ( Kuran 19: 30-32 )
Dhe nga kjo ndodhi i kuptojmë dy gjëra shumë të rëndësishme:
E para: fjalët e para që i dëgjoj populli i tij nga Jezusi ishte se ai ishte rob i Zotit, krijesë si të gjithë krijesat madhështore të Zotit, që ta ndaloj dikë të mendoj se është diçka tjetër jashta natyrës njerëzore.
Dhe e dyta: të cilën e pohon edhe Bibla se ai ishte Profet, urtësia e Zotit ishte që ta bëjë atë Profet sepse një Profet thërret që të adhurohet Zoti, e jo të i shoqërohet në adhurim diçka Atij, siç ishin edhe udhëzimet e Jezusit në Bibël se adhuruesit e idhujve nuk do ta trashëgojnë fronin e Perëndisë.
- Në Islam jo vetëm lindja e Jezusit ishte mrekulli, por edhe fundi i tij është mrekulli. Pasi armiqtë e tij në çdo formë dëshironin të arrinin tek Ai dhe ta torturojnë në format më tmerruese, duke e kryqëzuar e poshtëruar. E Zoti e përmend në Kur’an se armiqëve të Jezusit nuk ua ofroi këtë kënaqësi, por e ngriti në qiell, përderisa në Bibël bie në duart e armiqëve të tij të cilët e kryqëzuan dhe e shfryen mllefin e tyre mbi të, para syve të Perëndisë.
Në Islam kemi një metodë të mirë të cilën na e ka mësuar Muhamedi a.s. në jetën e tij, dhe ajo është se ne kemi përparësi ndaj Profetëve të Zotit se sa të tjerët, ngase i pasojmë udhëzimet e tyre ashtu siç janë dërguar prej Perendisë. Dhe kjo pikërisht vërehet me veprën e judëve të Medinës të cilët agjëronin në ditën e Ashuras, dhe kur u pyetën pse agjërojnë në formën e tyre? Ata thanë: Ne shprehim falënderim dhe gëzim Zotit sepse në këtë ditë Zoti e ngadhënjeu Musain a.s. ndaj Faraonit. Muhamedi a.s. tha: ne kemi përparësi në Musain a.s. ndaj tyre dhe urdhëroi që muslimanet ta agjërojnë këtë ditë.
Ai nuk i angazhoi pasuesit e tij me polemika të thata, se kjo ditë a është pikërisht ajo ditë në të cilën ka ndodhur kjo gjë apo jo?!
Por urdhëroi që të agjërohet ashtu siç agjërojnë muslimanët e jo si veprojnë judët në agjërimin e tyre.
Pikërisht këtu them edhe unë, përderisa i shohim të krishterët duke festuar këtë ditë dhe duke iu gëzuar lindjes së Jezusit – Isait a.s., edhe ne duhet ti gëzohemi kësaj dite, e jo të shfaqim urrejtje dhe armiqësi por të manifestojmë jo në formën dhe sipas riteve të krishtere sepse kjo nuk na lejohet në fenë tonë por sipas rregullave dhe udhëzimeve Islame.
Dhe në fund them, se miliona njerëz i gëzohen sot lindjes së Jezusit – Isait a.s.,por të paktë janë ata që i kujtojnë mësimet e tij, i cili ishte paq, erdhi që të vendos paqe, dhe u dërgua nga Zoti paqedashës, andaj dërgoni mesazhe paqe, nëse jeni prej atyre që e doni paqen dhe e doni Jezusin – Isain a.s..
Dr. Rijad Imeri