Zyrtari turk “shpreson” për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të Istanbulit

Zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın, ka deklaruar se ai “shpreson” që marrëveshja e drithërave e Istanbulit do të zgjatet, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti ynë i dha sugjerimet e nevojshme presidentit Putin për ta zgjatur atë për tre muaj, gjashtë muaj ose një vit. Ne kapëm një atmosferë pozitive. Megjithatë, rusët nuk kanë dhënë ende një përgjigje të qartë”, tha Kalın për transmetuesin turk të lajmeve ‘A Haber’.

Më 22 korrik, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Palët aktualisht po negociojnë një zgjatje dhe zgjerim të mundshëm përtej afatit të 19 nëntorit për të përfshirë eksportet ruse të drithërave dhe plehrave bujqësore.

“Unë jam me shpresë. Mendoj se oferta dhe kërkesa e presidentit tonë drejtuar presidentit Putin për këtë temë do të ketë përgjigje. Siç thonë të gjithë tani, i vetmi lider që mund të ketë rezultate në këtë drejtim është presidenti ynë, sepse nuk ka asnjë lider tjetër evropian apo amerikan që mund të flasë për këto çështje me Putinin”, tha Kalın lidhur me zgjatjen e mundshme të marrëveshjes.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, herë pas here thekson se Ankaraja është e vendosur të forcojë marrëveshjen e drithërave të Istanbulit dhe nëpërmjet Türkiyes të transportojë drithërave dhe plehra bujqësore ruse në vendet e pazhvilluara.

Kalın tha se Putin përmendi rreth 150 milionë tonë drithëra, duke shtuar se, “Ata mbajnë një pjesë të saj për vete, ndoshta një të tretën e saj, por pjesën tjetër do ta japin në tregun ndërkombëtar. Kjo është një shifër e madhe”.

Ankaraja ka qenë në kontakt të ngushtë me Moskën dhe Kievin që nga fillimi i luftës. Presidenti Erdoğan vazhdimisht ka theksuar dëshirën e tij për të sjellë presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, së bashku në tryezën e bisedimeve në Türkiye, me qëllim për t’i dhënë fund luftës.