Kombet e Bashkuara kanë dërguar në Mianmar të dërguarin e tyre të Posaçme për të Drejtat e Njeriut, që do të vëzhgojë nga afër situatën në shtetin perëndimor Rakhine ku jeton pakica Rohingya, raporton Anadolu Agency (AA).
E dërguara e OKB-së, Yanghee Lee ka mbërritur mbrëmë në qytetin Yangon në kuadër të qëndrimit të saj 12 ditorë në këtë shtet ku do të takohet me këshilltaren Shtetërore të Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe me gjeneralin e ushtrisë, Min Aung Hlaing.
Akoma mbetet e paqartë situata në shtetin Rakhine, ku ushtria më 9 tetor vrau rreth 400 pjesëtarë të komunietetit Rohingya. Qeveria e Mianmarit nga ana e saj thotë se “nga përleshjet janë vrarë 91 persona, prej të cilëve 17 ushtarë dhe 74 sulmues”.
Organizatat humanitare botërore bëjnë të ditur se mbi muslimanët Rohingya në shtetin Rakhine ushtrohet dhunë nga ana e ushtrisë dhe se vëzhguesit ndërkombëtarë dhe gazetarët e kanë të ndaluar hyrjen në këto zona.
Pikërisht për këto arsye, Mianmari është kritikuar ashpër nga disa shtete, ndërsa në vazhdën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar qeveria e Mianmarit në fund të vitit 2016 themeloi një komision për hetimin e zhvillimeve në Rakhine i cili është kapluar nga dhuna që shpërtheu në vitin 2012 mes budistëve dhe muslimanëve.
Mianmari ka rreth 60 milionë banorë dhe është me shumicë budiste, shtet ky i cili në vitin 2011 kaloi në sistemin demokratik të qeverisjes. Muslimanët Rohingya përbëjnë rreth pesë për qind të popullsisë së Mianmarit, më konkretisht 2.5 milionë.
Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve të Kombeve të Bashkuar, muslimanët Rohingya janë pakica më e rrezikuar në botë, nuk ka shtetin e vet dhe me të drejta të kufizuara kolektive.