Siguria rrugore mbetet një shqetësim në Kosovë, ku gjatë vitit 2024 janë regjistruar 21,838 aksidente, përfshirë 88 me fatalitet dhe 96 viktima, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, raporton Eknomia Online.
Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini, ka thënë për Ekonomia Online se numri i këtyre aksidenteve është shqetësues, por që sipas tij, krahasuar me shifrat e vdekjeve në rajon nga aksidentet e trafikut, Kosova ka numër më të ulët.
Ai ka shtuar se duke marrë parasysh numrin e madh të vdekjeve në komunikacion, duhen masa konkrete për t’i ulur këto aksidente.
“Çdo aksident i ndodhur është për t’u shqetësuar, sigurisht që çdo aksident me dëme materiale të mos flasim për vdekje, lë për tu shqetësuar e mundësi për të vepruar dhe për të ndikuar që të kemi numër sa më të vogël të aksidenteve. Në vitin 2024 i kemi pasur 96 viktima të shkaktuar në 88 aksidente që kanë ndodhur me fatalitet. Për Kosovën është numër jashtëzakonisht i madh. Mirëpo, krahasuar me indeksin e vdekjeve në rajon nuk jemi më së keqi. Do të thotë Mali i Zi e ka numrin më të madh të viktimave të aksidenteve në komunikacion në raport me një milion banorë, dhe Maqedonia e ka numrin më të ulët të aksidenteve në raport me një milion banorë. Numri i madh i vdekjeve në komunikacion që kemi pasur lë për të dëshiruar dhe për të marrë masa konkrete për të ulur këto aksidente”, tha ai për Ekonomia Online.
Shahini theksoi se 85% e aksidenteve në Kosovë janë shkaktuar nga faktori njeri, duke përmendur përdorimin e telefonit, gjendjen jo të mirë shëndetësore të shoferëve dhe ndikimin e alkoolit si disa nga faktorët kryesorë. Si shumë shqetësuese, ai e ka konsideruar edhe numrin e lartë të vetaksidenteve, të shkaktuara nga tejkalimi i shpejtësisë në masë të madhe dhe mospërshtatja e shpejtësisë në bazë të kushteve të rrugës.
“Pra, krejt këto elemente, krejt këto detaje, krejt këta faktorë na bëjnë që ne duhet të marrim masa konkrete dhe të shpejta që të ulet numri i aksidenteve”, ka thënë Shahini.
Shahini shtoi se duhet të bëhet edhe vendosja e radarëve statikë dhe të ndriçimit të rrugëve, veçanërisht në udhëkryqe dhe rrethrrotullime.
“Masat konkrete që duhet të merren për parandalimi e aksidenteve është masa të rrepta nga ana e policisë, mosfalja e shkelësve të ligjit, vendosja e radarëve statikë është e domosdoshme, vendosja e ndriçimit sidomos nëpër udhëkryqe nëpër rrethrrotullime, në zona të urbanizuar dhe ku ka qarkullim të automjeteve është masë tjetër që ndikon në parandalimin e aksidenteve dhe kufizimi i shpejtësisë dhe përdorimi i sinjalizimit rrugor horizontal dhe vertikal është tjetër faktor që ndikon në masë të madhe”, tha Shahini për Ekonomia Online.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për EO, përgjatë vitit të kaluar (2024) në vendin tonë janë regjistruar 21 mijë e 838 aksidente. 96 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve.