Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 50.801 raste nga 180.404 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.317 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 39.969 raste, numri i rasteve aktive është 9.515.
Instituti apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2 sipas indikacioneve epidemiologjike, në të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë.
Ndryshe, një ditë më parë ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë 73 fëmijë të infektuar me coronavirus kanë marrë trajtim në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, nga korriku deri më tani.
Epidemiologu Krasniqi ka thënë se pandemia COVID-19, nuk kurseu as fëmijët tanë.
“Si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë një numër i fëmijëve u prek nga virusi SARS-COV2. Fatmirësisht, ky infeksion te fëmijët, me përjashtime të rralla, nuk paraqitet në forma të rënda”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se në repartin COVID të Klinikes Pediatrike të QKUK gjithsej 73 fëmijë u trajtuan që nga muaji korrik kur u hap ky repart.
“Sot, vizitova 3 fëmijët që aktualisht po trajtohen ne këtë repart. Edhe pse kishin vendosur maskat, buzëqeshja fare lehtë vërehej në fytyrat e tyre. Vendosja e maskave nga fëmijët le të shërbejë si mesazh për të gjithë ne që edhe gjatë festave të fundvitit të respektojmë masat anti-COVID”.