82 palestinezë të vrarë në Gaza në 24 orët e fundit, numri i të vdekurve shkon në 30.960

Të paktën 82 palestinezë janë vrarë dhe 122 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij në Rripin e rrethuar të Gazës, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavës, transmeton Anadolu.

“Okupacioni izraelit kreu 10 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 82 dëshmorë dhe 122 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, tha Ministria në një deklaratë.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, thuhet në deklaratë.

“72 për qind e viktimave të agresionit izraelit në Gaza janë fëmijë dhe gra”, njoftohet më tej.

Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Izraeli po i vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku të paktën 30.960 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 72.524 janë plagosur që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.

Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në GJND. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Sulmet kanë vazhduar pandërprerë dhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.