Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 81 shtëpi palestineze të rrënuara nga Izraeli në Kudsin Lindor këtë vit

81 shtëpi palestineze të rrënuara nga Izraeli në Kudsin Lindor këtë vit

Izraeli ka shembur më shumë se 81 ndërtesa në Kudsin Lindor që nga fillimi i këtij viti, tha një zyrtar palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Përshkallëzimi i shembjeve është shoqëruar me një rritje të rreziqeve të evakuimit të qindra palestinezëve nga shtëpitë e tyre ku ata kanë jetuar për dekada në lagjen Sheikh Jarrah dhe qytetin Silwan, në favor të kolonëve izraelitë”, tha ministri i Çështjeve të Kudsit Fadi Al-Hadmi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

Komentet e tij erdhën gjatë takimit të tij me përfaqësuesit e vendeve të Amerikës së Jugut të akredituar në Shtetin e Palestinës në zyrën e tij, gjatë të cilit ai i informoi ata për “situatën serioze” në Kuds.

Në takim morën pjesë ambasadorët e Argjentinës, Kilit, Brazilit, Venezuelës, Ekuadorit dhe Meksikës.

“Ai (Al-Hadmi) paralajmëroi gjithashtu për prishjen e planifikuar të dhjetëra shtëpive në lagjen al-Bustan në qytetin Silwan”, tha deklarata, duke shtuar se ministri i informoi diplomatët mbi “rreziqet e projektit izraelit të quajtur Qendra e Kudsit Lindor, i cili vë në shënjestër qendrat më të rëndësishme tregtare, kulturore dhe të popullsisë në Kudsin Lindor”.

Autoritetet izraelite kanë njoftuar kohët e fundit planet për prishjen e dhjetëra shtëpive palestineze në lagjet al-Bustan dhe Batin al-Hawa në Silwan.

E drejta ndërkombëtare i konsideron si Bregun Perëndimor, ashtu edhe Kudsin Lindor, si territore të pushtuara dhe i cilëson të paligjshme të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje atje. /aa

Exit mobile version