Izraeli ka shembur më shumë se 81 ndërtesa në Kudsin Lindor që nga fillimi i këtij viti, tha një zyrtar palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Përshkallëzimi i shembjeve është shoqëruar me një rritje të rreziqeve të evakuimit të qindra palestinezëve nga shtëpitë e tyre ku ata kanë jetuar për dekada në lagjen Sheikh Jarrah dhe qytetin Silwan, në favor të kolonëve izraelitë”, tha ministri i Çështjeve të Kudsit Fadi Al-Hadmi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Komentet e tij erdhën gjatë takimit të tij me përfaqësuesit e vendeve të Amerikës së Jugut të akredituar në Shtetin e Palestinës në zyrën e tij, gjatë të cilit ai i informoi ata për “situatën serioze” në Kuds.
Në takim morën pjesë ambasadorët e Argjentinës, Kilit, Brazilit, Venezuelës, Ekuadorit dhe Meksikës.
“Ai (Al-Hadmi) paralajmëroi gjithashtu për prishjen e planifikuar të dhjetëra shtëpive në lagjen al-Bustan në qytetin Silwan”, tha deklarata, duke shtuar se ministri i informoi diplomatët mbi “rreziqet e projektit izraelit të quajtur Qendra e Kudsit Lindor, i cili vë në shënjestër qendrat më të rëndësishme tregtare, kulturore dhe të popullsisë në Kudsin Lindor”.
Autoritetet izraelite kanë njoftuar kohët e fundit planet për prishjen e dhjetëra shtëpive palestineze në lagjet al-Bustan dhe Batin al-Hawa në Silwan.
E drejta ndërkombëtare i konsideron si Bregun Perëndimor, ashtu edhe Kudsin Lindor, si territore të pushtuara dhe i cilëson të paligjshme të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje atje. /aa