8.300 punonjës të teknologjisë u larguan nga Izraeli që nga lufta e Gazës

Deri në 8.300 punonjës në fushën e teknologjisë janë larguar nga Izraeli që nga fillimi i luftës shkatërruese izraelite në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti nga Autoriteti i Inovacionit të Izraelit, 8.300 punonjës të teknologjisë u larguan nga vendi në periudhën midis tetorit të vitit 2023 dhe korrikut të vitit 2024, duke përfaqësuar 2.1 për qind të të gjithë fuqisë punëtore në sektorin e teknologjisë në Izrael.

Sipas raportit, industria izraelite e teknologjisë së lartë pësoi rënie të numrit të punonjësve, me rreth 5 mijë punonjës të larguar nga industria vetëm në vitin 2024, duke shënuar herën e parë në të paktën një dekadë.

Shifrat treguan se numri i përgjithshëm i punonjësve në teknologjinë e lartë në Izrael ra në 390.847 në vitin 2024, me 1.2 për qind më pak nga viti 2023, që konfirmon largimin e 5 mijë punonjësve të teknologjisë.

Sipas raportit, më shumë se gjysma e fuqisë punëtore në kompanitë izraelite të teknologjisë së lartë aktualisht është jashtë vendit, respektivisht me 440 mijë punonjës jashtë vendit, krahasuar me 400 mijë në Izrael.

“Raporti i punësimit të teknologjisë së lartë thekson nevojën për investime të vazhdueshme të fokusuar në industri, e cila është motori kryesor i rritjes së ekonomisë izraelite”, tha Dror Bin, shefi ekzekutiv i Autoritetit të Inovacionit të Izraelit.

Bin bëri thirrje për marrjen e masave politike për të lejuar kthimin e punonjësve të teknologjisë në Izrael.

Më parë, raportet e mediave izraelite sugjeruan se shumë izraelitë janë larguar nga vendi pas luftës izraelite në Gaza dhe pasojave të saj në ekonominë dhe sigurinë në Izrael. Të paktën 50.800 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.