Muhamed Rashidi, mësimdhënësi i medresesë në Mijanmar, i cili është strehuar në Bangladesh pas sulmeve të ushtrisë së Mijanmarit, tha se ushtarët kanë sulmuar fshatin e tij dhe i kanë djegur njerëzit të gjallë.
Rashid rrëfeu për gazetarin e AA-së se si ushtarët budistë kishin bastisur fshatin në errësirë para namazit të sabahut. Duke treguar se gjatë bastisjes ua kishin djegur shtëpitë, Roshid u shpreh:
“Ushtronin tirani ndaj njerëzve, grave, vajzave dhe të rinjve. Njerëzit i mbyllnin në shtepitë e tyre dhe hidhnin zjarr mbi ta, duke i djegur të gjallë. I detyronin njerëzit të vrapojnë në fushat e orizit dhe i vrisnin. Mësimdhënësit e tjerë me të cilët kam punuar në medrese i vranë duke i prerë në fyt. Unë jam i vetmi i mbijetuar nga mësuesit e medresesë. Kur në mëngjes pas largimit të ushtarëve u kthyem në fshat, kufomat e djegura kundërmonin gjithandej”.
Rashid tregoi se nga fshati ka shpëtuar duke vrapuar. Ai tha se njerëzit ishin fshehur në pyje dhe aty kishin qëndruar për 15 ditë, ndërsa më pas në grupe kishin ardhur në Bangladesh me varka të vogla. Roshid më tej tregoi se nuk ka kontaktuar me familjen e tij dhe se nuk di gjë për nënën, bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
“Dua të jetoj në paqe në Arakan sikurse më parë dhe të vazhdojë punët e mia për Islamin”, tha Rashid.