Të shtunën, me rastin e përfundimit të leximit të Kuranit, u mbajt ceremonia e duasë së hatmes në Xhaminë e Çarshisë së Rahovecit.
Pas punës së vazhdueshme 3 vjeçare të mësuesve, të cilët nuk e ndërprenë mësimin as në fillet e pandemisë, duke vazhduar kështu mësimin online, shtatëdhjetë e gjashtë nxënës përfunduan leximin e Kuranit.
Këtu përveç nxënësve dhe prindërve, i pranishëm ishte edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me stafin e tij, si dhe përfaqësues të Dijanetit.
I pari i Bashkësisë Islame i përgëzoi mësuesit dhe nxënësit për punën e bërë duke përmendur edhe vlerën mësimit të Kuranit , ai tha se gjatë tërë kohës që keni mësuar të lexoni, shpërblimi është i shumëfishtë, për juve, për mësuesit tuaj, për familjarët tuaj dhe për të gjithë ata të cilët sado pak u angazhuan që sot të jeni në këtë gjendje, që të lexoni fjalën e të Madhit Zot.
Myftiu ndër të tjerash shprehu urimet e tij për muajin e shenjtë të Ramazanit duke përcjellë edhe disa porosi për këtë muaj.
“Jemi në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, më lejoni që përmes juve që jeni të pranishëm e në veçanti përmes këtyre nxënësve të gjithë besimtarëve tanë këtu në Kosovën tonë, mirëpo dhe vëllezërve e motrave tona në mërgatë kudo që ata gjenden të ua uroj muajin e shenjtë të Ramazanit.”
Kurse kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Rahovecit, Shani ef. Sylka, nën emocione për rezultatin e sotëm, falënderoi për përkrahjen edhe BIK-un dhe tha se në këtë kohë pandemie dhe në këtë kohë kur njerëzit janë hutuar pas dynjasë, ju si prindër të cilët po i sillni fëmijët në xhami keni sevapet më të mëdha në ditën kur dilni para Allahut xh.sh..
Në fund të ceremonisë për shtatëdhjetë e gjashtë nxënësit u shpërndanë mirënjohje dhe u shpërblyen me dhurata për suksesin e treguar për këto tri vite radhazi. /bislame