Shtatë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, ndërsa janë konfirmuar edhe 467 infektime të reja me virusin.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar të shëruar nga COVID 427 qytetarë, duke e çuar numrin total të shëruarve në 173,870 që nga fillimi i pandemisë.
Në të gjithë vendin janë aktualisht 7,561 pacientë aktivë me virusin, ku rreth gjysma e tyre janë në Tiranë. 159 pacientë janë të shtruar në spital, 19 prej të cilëve janë në gjendje shëndetësore më të rënduar.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë.
Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të marrin vaksinat anti-COVID në pikat e vaksinimit në vend, ndërsa që prej datës 1 nëntor do të mund të vaksinohen edhe adoleshentët mbi 16 vjeç.
Gjithashtu, Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit ka bërë me dije se prej datës 1 nëntor, qytetarët mbi 60 vjeç mund të marrin dhe dozën e tretë të vaksinës, 6 muaj pas të dytës.